fbpx

Kryesore

Grimca nga jeta jonë e hallakatur






               Publikuar në : 09:30 - 21/09/19 |
Nga Erion Kristo

Nga Erion Kristo


Gjithmonë më ka pëlqyer ideja për të bërë diçka të pabërë, flas në fushën e publicistikës. Në përgjithësi, shkrimet nëpër gazeta janë shumë serioze, problematike, politike, goditëse etj. etj. Por rrallë gjen ndonjë përpjekje për të përmbysur formën dhe për të qenë njëherazi shkrime serioze, problematike, politike, goditëse etj. etj. Ndaj do të sjellim disa grimca nga jeta jonë e hallakatur për të përcjellë në një shkrim shumë sythe shkrimesh në të njëjtën kohë. Nuk kemi nge e as dëshirë të tjerrim kaq shumë lesh sa mblidhet përditë te ne. Është e pamundur. Por nuk është e pamundur të mbahet një kujtim i kësaj hallakatjeje, që brezat e ardhshëm ta kenë më të lehtë deshifrimin e kodeve tona jetësore.



Po e fillojmë me opozitën. Në krye denoncoi Kryebashkiakun e parë që ishte marrë me drogë në të ri të vet. Përpëlitje pati. Në fund, dha dorëheqje. Pastaj u denoncua Kryebashkiaku i dytë për qarkullim parash false. Edhe ky pati përpëlitjet e veta, ndoshta ishte vërtet i pafajshëm. Po njolla mbetet sërish. Pastaj doli Kryebashkiaku i tretë për vjedhje makinash. Ky kundërshtoi edhe më fort. Loja ende vazhdon. Janë dhe tetë kryebashkiakë të tjerë. Siç duket janë zgjedhur me përpikëri, siç zgjedhin këto firmat e salcave domatet më të pjekura në serat më të mira, për të prodhuar një salcë të pashoq. Ndërkohë njerëzit pyesin: Kur do vijë dija në pushtet?

Një djalë shqiptar 31 vjeç u aksidentua me makinë në Itali dhe ndërroi jetë më pas. Një djalë 28 vjeç humbi jetën në Itali nga makina që thyente gurët. Një shqiptar 35 vjeç vari veten në Milano. Një shqiptar gjendet i vdekur në shtëpi në Trieste. Një shqiptar tjetër theri me thikë gruan moldave, po në Itali. Një djalë 20 vjeç u shtyp nga treni, edhe ky në Itali. Një 40-vjeçar, ra nga çatia ku po punonte, gjithashtu në Itali. Sa për thyerje, një vajzë në Zvicër u vra nga bashkëshorti shqiptar me thikë.

Bota jonë arsimore po ecën përpara, ndërsa të miturit shqiptarë po largohen nga vendi, nga viti në vit. Lidhur me librat e përdorur, do harxhojmë më shumë lekë për lapsa e goma se sa kushton libri. Për të mos folur për dhimbjen e muskujve gjatë fshirjes dhe kohën e harxhuar. Nuk ia vlen barra qiranë. Përse nuk hapet sërish part-time?

Ditmir Bushati mbajti një fjalim të bukur në Kuvend. Po dhe Rudina Hajdari donte të mbante një fjalim të bukur. Është fare e qartë se Shqipëria ka nevojë jo vetëm për një reformë zgjedhore dhe jo thjesht të Kodit Zgjedhor, për një reformë të politikës, e mbi të gjitha për një reformë të thellë Kushtetuese. Kushtetuta është bërë si çorape e grisur. Ajo tregon fare qartë sa të pazotë jemi si komb për të bërë përpara. Një nen i saj shkon dhjetë faqe. Janë prishur balancat. Ndërkohë politika bën sikur nuk i shikon këto. Ose i përmend dhe i hesht sa herë do.

Në fshatin Tragjas të Vlorës në përfundim të Luftës së Dytë Botërore kishte 29 njerëz me shkollë të lartë. Fshati mblidhte para dhe u paguante shkollimin më të mirëve. Shikoni çfarë shkalle e lartë e organizimit shoqëror. Ndaj mos thoni kurrë “ik o fshatar”!

Asnjë shqiptari nuk i ka rënë në sy që prej vitesh, ose prej dekadash në këtë vend vidhet TVSH me fatura false. Askush nuk mund ta bëjë këtë nëse nuk ka mbështetjen e pushtetarëve. Pra, pushtetarët tanë vjedhin TVSH. Ndërkohë gjobisin të vobektët për qindarkat. Miliona euro të dhuruara që nuk dihet se përse vazhdojnë pafundësisht të vidhen. Madje dhe nga biznesmenë të njohur.

Çudi e madhe me këta çekët që donin të ngrinin në Kosovë flamurin “Kosova është Serbi”. Prej vitesh vë re se ka një propagandë që tek ne, në çdo sezon turistik, humbin çekë, vazhdimisht çekë. Nuk po dëgjoj të humbë ndonjë tjetër, por çekë. Askujt nuk i ka rënë në sy kjo?

Mos vallë nuk e kemi përmendur sa duhet fjalën dialog në demokracinë tonë? A nuk ia ndiejmë nevojën? Ndërkohë Banka e Shqipërisë nxori lekët e rinj që dukeshin si me verdhëz.

Është shumë e çuditshme që ne kemi marrë nga bota gjithë gjërat më të pavlera, dhe asnjë nga gjërat e vlefshme. P.sh. nuk e di çfarë vlere ka Hallouini, por di se çfarë vlere ka një bibliotekë në Finlandë. Morëm të parën, por jo të dytën.

A nuk ju duket se ka ardhur koha që pasi kemi ngritur monumentin e Selam Musait mu në mes të Komunës së Parisit në Tiranë, të ngremë dhe një monument për gjyshërit dhe gjyshet? Po për viktimat e komunizmit? Po për…

Të bërtasësh dhe të ngresh zërin janë dy gjëra të ndryshme. Duhet të heqim dorë nga e para dhe të kapemi tek e dyta. Se di pse jemi bërë kaq të ngordhur.

Këto ditë po mendohesha gjatë me veten time dhe po thosha: Ku përfundoi vallë ajo Akademia e Fshatrave? Jo, në fakt po pyesja veten: Ata inxhinierët që kanë bërë rrethrrotullimet tona, çfarë njerëzish janë?

Përditë njerëzit po ankohen për kompanitë e avionëve që tallen me pasagjerët e tyre duke u shtyrë fluturimet, duke mos dhënë llogari, duke mos dëmshpërblyer. Sa qejf ka njeriu shqiptar të zvarritet. Ai thjesht ankohet, nuk e çon ankimin e tij te zgjidhja.

Një turp personal për artikullshkruesin është mosnjohja e një personazhi të rëndësishëm që është larguar nga jeta pak kohë më parë, Mikel Kuzhnini. Është e turpshme të mos njohësh një veprimtar të madh të çështjes shqiptare. Ndërkohë, bluaj me veten time: çfarë shoqërie kemi ngritur? Këtu nuk njeh qeni të zonë. Me këtë rast shpreh dhe mirënjohjen time ndaj këtij njeriu të madh, me shpresën se mirënjohja dikur-dikur do kthehet në vlerë kombëtare.

A mund të bëj një lutje për të gjitha portalet? A mund të mos postoni më foto dhe lajme nga ngjarje të dhimbshme me vrasje dhe shfarosje nga e gjithë bota? A nuk na mjaftojnë hallet që kemi vetë? Mos e shtoni dozën e helmit në eter!

Pati shumë shqetësim nga njerëzit për pyjet e Amazonës, por nuk ka pasur kaq shqetësim për pyjet tona. E vetmja ndihmë konkrete që mund t’i japim kozmosit, është të kujdesemi për punët tona.

Ti vërtet ke një makinë të bukur, por mënyra se si e ke shtënë në dorë makinën nuk është e bukur!

Disa gra të famshme kanë ndërmarrë një nismë lidhur me ushqimin e fëmijëve. Nisma quhet: Bukë me vete. Është një ide brilante. Shoqëria duhet ta përkrahë, sepse fëmijët tanë u shqepën me ushqim qeskash. Është e rëndësishme dhe të edukojmë, dhe të japim model dhe të largohemi nga qasja se problemet tona mund të na i zgjidhë vetëm politika. T’i japim frymë shoqërisë. Ndaj bashkohem me Blerina Bombajn, Denada Toçen dhe Gerta Hetën.

Po e mbyllim këtu këtë shkrim të thjeshtë me një pyetje drejtuar të gjithëve: A po mendon ndonjë njeri në këtë vend për Shqipërinë e vitit 2050? A duhet të kemi katedra futuristike?


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas