Në 24 orët e fundit në vend nuk është regjistruar asnjë vatër re me gripin e shpendëve. Kështu deklaroi zv.ministrja e bujqësisë Ermira Gjeci në nëj konferencë për shtyp. Ajo u shpreh se janë kryer kontrolle në të gjithë vendin, duke shtuar se po bashkëpunohet edhe me pushtetin vendor për marrjen e masave për ndalimin e tregtimit të shpendëve të gjallë në mjedise të hapura të pamiratuara.
“Janë kryer rregullisht kontrolle në të gjithë territorin e vendit dhe nuk janë konstatuar shkelje. Është miratuar urdhri dje për marrjen e masave kufizuese për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjes në mjediset e hapura dhe tregjet e kafshëve të gjalla. Po vijojmë bashkëpunimin për marrjen e masave për ndalimin e tregtimit të shpendëve të gjallë në mjedise të hapura të pamiratuara për shitjen e tyre, përfshirjen e trupës veterinare në rritjen e vigjilencës. Nuk kemi asnjë rast të ri të regjistruar”, tha zv.ministrja.
Ajo shtoi se procesi i eliminimit të shpendëve të infektuar do të zgjasë të paktën edhe 5 deri në 6 ditë, pasi është procedurë që kërkon kujdes.
“Procesi është i gjatë, ka ende kafshë të gjalla që kanë destinacion eliminimin e tyre dhe procedura kërkon që ato të eliminohen gradualisht. Është një proces që mund të shkojë nga 5 deri në 6 ditë. Për vatrat e tjera bëj me dije që janë të pastruara, janë në numër të vogël të ngordhjeve. Janë ferma të vogla apo shpendët e oborrit që duhet të bëjnë dezinfektimit”, theksoi ajo.