Një sallon bukurie në Kabul është vendi i vetëm ku mund të takohen gratë jashtë shtëpive. Ndryshe salloni është cilësuar si vendi i vetëm ku gratë mund të sfidojnë talebanët, duke qëndruar larg syve mashkullorë, në flluskën e tyre të lirisë.
Gruaja e guximshme që drejton sallonin është Mohadessa. Ajo e ka mbajtur sallonin e saj të bukurisë të hapur pavarësisht kërcënimeve nga udhëheqësit e rinj të Afganistanit.
Qendra estetike siguron të ardhura për stafin dhe momente kënaqësie për klientët, por ditët e saj mund të numërohen. Që kur talebanët pushtuan Kabulin në gusht, shumë gra u zhdukën nga jeta publike nga frika apo nga kërcënimet e drejtpërdrejta që kanë marrë. Por salloni i Mohadessas, ka mbetur një vend ku gratë mund të takohen me njëra-tjetrën, të flasin për problemet e tyre ose t’i harrojnë ato për fare pak orë.
Ditën që AFP vizitoi sallonin, rreth 30 gra kishin përballuar frikën për të ardhur dhe për t’u rregulluar. Gratë po shijonin shansin e rrallë për t’u veshur dhe përkëdhelur veten, me flokët e rregulluar dhe me vendosjen e qerpikëve që plotësonin një gamë shumëngjyrëshe.