Aktualitet

Grupet ekstremiste që po përndjekin Amerikën














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:27 - 28/10/20 |
Arsen Hoxha

Arsen Hoxha, Washington





Ata shfaqen në tubime politike, në protesta masive kundër dhunës policore, në mbështetje të forcave politike që i afrohen ideologjive të tyre, në marshime publike apo organizime private. Ata janë ekstremistë të djathtë, supremacistë të bardhë, antifashistë, marksistë dhe propagandues të teorive të çmendura konspirative. Ata janë armiq të betuar të njëri-tjetrit, por i bashkon një element i vetëm. Ata janë të gjithë pjesë e një realiteti paralel që beson se dhuna është një armë efektive për të çuar përpara axhendat ekstremiste. Njihuni me botën jo më të nëndheshme të ekstremizmit.


QAnon




QAnon është një teori konspirative globale, me shtrirje të gjerë dhe që ka zënë rrënjë në disa pjesë të shoqërisë amerikane. Ajo është një bashkim i teorive të reja dhe teorive tashmë të njohura, që u bëjnë jehonë antisemitizmit dhe ksenofobisë. Në thelb, teoria pretendon se pothuajse çdo president në historinë amerikane—pa përfshirë këtu Presidentin Donald Trump—ka qenë një kukull e vendosur nga një elitë globale e agjentëve të pushtetit, të vendosur për të pasuruar veten dhe për të ruajtur kultin e tyre seksual Satanaik për vrasjen e fëmijëve.


Q është një referencë ndaj termit “çertifikim sigurie i katergorisë Q” ose “autorizim i hyrjes i kategorisë Q”, termat të përdorur për të përshkruar një nivel çertifikimi sekret brenda Departamentit të Energjisë.


Sipas QAnon, kjo elitë globale (deep state ose the cabal), vepron brenda shtetit dhe synon të rrëzojë qeveritë legjitime. Sipas kësaj teorie konspirative, ata kontrollojnë jo vetëm qeveritë botërore por edhe sistemin bankar, kishën katolike, industritë bujqësore dhe farmaceutike, mediat dhe industrinë e argëtimit.

QAnon pretendon se ky grupim punon gjatë tërë kohës për të mbajtur njerëzit e botës të varfër, injorantë dhe të robëruar. Pavarësisht nga një mungesë së thellë të ndonjë prove mbështetëse, QAnon është katapultuar me sukses nga katakombet paranojake të kulturës së internet-it, në lëvizjen kryesore konservatore të Amerikës. Ndërsa ideologjia QAnon ka fituar një audiencë më të gjerë, një industri e tërë që porpagandon këtë filozofi po rritet në mënyrë paralele, duke mbjellë mosbesim të thellë ndaj qeverive të zgjedhura, shkencës dhe mediave kryesore.

Ajo ka tërhequr një numër qytetarësh të thjeshtë, mashtrues të të gjitha llojeve, politikanë, si dhe një mbështetje të konsiderueshme brenda lëvizjeve të tjera ekstremiste, veçanërisht milicisë dhe lëvizjeve anti-qeveritare. Pasuesit e QAnon kanë qenë të lidhur me akte vrasjeje, dhune, rrëmbimesh dhe shqetësimesh publike. Situata e koronavirusit ka shërbyer si ushqim shtesë për pasuesit e QAnon, të cilët e lidhin pandeminë me teoritë e tyre konspirative dhe botëkuptimin thellësisht paranojak.

Në janar të këtij viti, 20 kandidatë që konkurojnë për Kongresin e SHBA-së mbështetën hapur teorinë e konspiracionit QAnon. Ndërkohë që disa prej tyre janë mundur ose kanë braktisur garën, (ata të mbeturit nuk ka gjasa të fitojnë), përhapja e kësaj teorie është shqetësuese. Po kaq shqetësues është fakti se mbështetja për QAnon lidhet me besnikërinë nga ana e tyre ndaj Presidentit Trump, duke i dhënë zë besimit se kundërshtarët e tij politikë janë armiq të njerëzimit.

I ngacmuar disa herë nga mediat amerikane, Presidenti Trump ka thënë se ai është në dijeni se ky grupim mbështet politikat e administratës së tij, por ai vetë nuk ka asnjë lidhje me ta.

Antifa

Antifa është lëvizje antifashiste e krahut të majtë në Shtetet e Bashkuara që përfshin individë apo grupime që veprojnë në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri. Mosbesues të reformave politike, ata synojnë të arrijnë objektivat e tyre përmes përdorimit të veprimeve të dhunshme ose jo të dhunshme. Një lëvizje tepër e decentralizuar, aktivistët politikë të Antifa-s janë anti-racistë të cilët përfshihen në protesta, në betejë kundër fashistëve dhe racistëve si neo-nazistët, supermacistët e bardhë dhe ekstremistët e djathtë.

Kjo mund të përfshijë aktivizmin dixhital, ngacmimin, dhunën fizike dhe dëmtimin e pronës kundër atyre që ata i identifikojnë se i përkasin të djathtës ekstreme. Pjesa më e madhe e aktivizmit të Antifa-s është jo i dhunshëm, duke përfshirë fushata me postera dhe fletushka, mbajtjen e fjalimeve, marshimin në protestë dhe organizimin e komunitetit në emër të kauzave kundër racizmit dhe nacionalistëve të bardhë.

Individët e përfshirë në lëvizje shfaqin tendenca anti-autoritare, anti-kapitaliste, antifashiste dhe anti-shtetërore, duke u mbështetur në një mori ideologjish të majta si anarkizmi, komunizmi, marksizmi, social demokracia dhe socializmi. Emri Antifa dhe logoja me dy flamuj që përfaqësojnë anarkizmin dhe komunizmin rrjedhin nga lëvizja gjermane Antifa.

Veprimet e këtij grupimi kanë mbështetësit dhe kundërshtarët e vet. Disa në të Majtën Amerikane kritikojnë Antifa-n për gatishmërinë e saj për të qenë pjesë e veprimeve të drejtpërdrejta të dhunshme. Ata i shohin këto veprime si kundërproduktive ose kundërvepruese duke inkurajuar të djathtën dhe aleatët e tyre. Ata që janë në të djathtë e karakterizojnë atë si një organizatë terroriste vendase ose e atashojnë termin Antifa me çdo protestë me prirje të majtë ose liberale.

Disa studiues argumentojnë se Antifa vjen si një përgjigje legjitime ndaj rritjes së ekstremit të djathtë dhe se dhuna e aplikuar nga Antifa është shumë larg asaj që shihet në grupimet e ekstremit të djathtë.  Gjatë protestave të George Floyd-it në maj dhe qershor të këtij viti, administrata Trump ka drejtuar gishtin nga Antifa për orkestrimin e protestave masive në shumë qytete amerikane.

Presidenti Donald Trump dhe Prokurori i Përgjithshëm William Barr kanë bërë thirrje disa herë për ta përfshirë Antifa-n në listën e organizatave terroriste vendase. Por, kundërshtarë të kësaj ideje argumentojnë se një veprim i tillë do të tejkalonte autoritetin e presidencës dhe do të shkelte amendamentin e parë.

Djemtë Krenarë

“Djemtë Krenarë” është një organizatë e ekstremit të djathtë dhe neofashiste (vetëm për burra) që promovon dhe përfshihet në akte dhune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada. Ndërsa grupi zyrtarisht refuzon racizmin, disa anëtarë kanë qenë të lidhur me supremacistët e bardhë. “Djemtë Krenarë” janë përshkruar nga shërbimet inteligjente të Shteteve të Bashkuara si “një grup i rrezikshëm supermacistësh të bardhë”.

Grupi u bë u bë i njohur me publikimin e revistës së ekstremit të djathtë Taki’s në vitin 2016. Ai udhëhiqej nga bashkë-themeluesi i “Vice Media” dhe ish-komentatori Gavin McInnes. Emri i gupit u frymëzua nga kënga “Krenar për Djalin Tuaj” nga shfaqja muzikore e Disney “Aladdin.”

Megjithëse “Djemtë Krenarë” u shfaqën si pjesë e të djathtës ekstreme, McInnes u distancua nga kjo lëvizje në fillim të vitit 2017, duke thënë se ai i përkiste një rryme tjetër të së djathtës (alt-light) që e distancojnë veten e tyre konservatorizmi klasik, e djathta ekstreme dhe supermacistët e bardhë.

Përpjekja për të krijuar një imazh të ri të grupimit u intensifikua pas tubimit të supermacistëve të bardhë “Bashkoni të Djathtën.” Që nga fillimi i vitit 2019, Enrique Tarrio, i cili identifikohet si Afro-Kuban, është kryetari i “Djemve Krenarë.”

Lidhja Anti-Shpifje (ADL) thotë se megjithëse grupi mund të përshkruhet si i dhunshëm, nacionalist, islamofob dhe homofob, anëtarët e tij përfaqësojnë një mori prejardhjesh etnike. Po kështu udhëheqësit e grupit e kundërshtojnë ashpër ndaj çdo pretendim që i lidh ata me racizmin.

Edhe pse e mohojnë se ata janë një grup racist, “Djemtë Krenarë” kanë tendencë të mbështesin ideologjitë raciste dhe të tërheqin supremacistët e bardhë si anëtarë.

“Unë jam i lumtur që jam i bardhë dhe mendoj se është diçka për të cilën jam shumë krenar. Unë nuk dua që kultura jonë të zhduket. Ne duhet të mbyllim kufijtë menjëherë dhe të asimilojmë të gjithë ata që janë këtu. Ata duhet të përqafojnë mënyrën tonë të jetesës dhe gjuhën tonë”, thoshte themeluesi i grupit McInnes.

Grupi beson se burrat dhe kultura perëndimore janë nën rrethim. Pikëpamjet e tyre besojnë në teori konspirative bazuar në filozofinë e genocidit të bardhë. Anëtarët e grupit kanë marrë pjesë në ngjarje të shumta me karakter racist dhe akte dhune kundër Antifa-s, kundër së majtës dhe kundër socializmit. “Djemtë Krenarë” është një grup që beson tek dhuna. Qendra Jugore e Ligjit për Varfërinë (SPLC) e ka quajtur grupin një “Klub Luftimi i së Djathtës Ekstreme”.

Në fund të nëntorit 2018, një memo e brendshme nga Zyrës së Sherifit të Qarkut Clark tregoi se FBI-ja kishte përfshirë “Djemtë Krenarë” në listën e grupeve ekstremiste. Por më vonë u sqarua se vetëm disa anëtarë të grupit përbënin kërcënim, konsideroheshin si ekstremistë dhe me lidhje me nacionalizmin e bardhë.

Në vitin 2019, dy “Djem Krenarë” u dënuan me katër vjet burg për sulm në bandë, përpjekje për sulm dhe akuza të tjera për një incident të Nju Jorkut 2018 ku ata sulmuan individë që prokurorët thanë se ishin anëtarë të antifa. “Djemtë Krenarë” janë tashmë një grup i përjashtuar nga Facebook, Instagram, Twitter dhe YouTube.

Grupime të tilla kanë ekzistuar prej vitesh tashmë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por, me acarimin e klimës politike dhe në tërësi polarizimin e tejskajshëm të shoqërisë amerikane, vitet e fundit është vënë re një shfaqje më e madhe e ketyre grupimeve dhe pasuesve të tyre.

Interneti në përgjithësi dhe rrjetet sociale në veçanti u shndërruan në parajsën propagandistike të ideologjive ekstreme, dhunës dhe urrejtes. Protestat e verës së këtij viti kundër dhunës policore në komunitetet me ngjyrë, pandemia apo edhe klima parazgjedhore shërbyen si fitila për të ndezur reagimin e ketyre grupimeve anembanë Shteteve të Bashkuara. Ky fenomen jo vetëm që nuk po njeh të ndalur, por të tjera grupe po shfaqen në shumë qytete amerikane. NFAC (Koalicioni që nuk bën shaka) është njëri prej tyre. Grupi që përbëhët vetëm nga antar të komunitetit afro-amerikan— me qendër në Atlanta—po shton radhët e veta me individë që shprehin frustrimin e tyre karshi praktikave të dyshimta policore dhe vdekjeve në rradhët e komuniteteve me ngjyre. Antarët e grupimit që lindi në vitin 2017 për të kundërshtuar dhunën policore dhe për të vënë drejtësinë racore në SHBA, marshojnë të armatosur deri në dhëmbë dhe thonë së veprimet e tyre janë në përputhje me amendamentin e dytë të kushtetutës amerikane. Të ngjashëm me të ashtuquajturën “Milicia e Bardhë”, ata thonë se nuk do ta tolerojnë më abuzimin e vazhdueshëm me komunitetet e tyre dhe mungesën e respektit për burrat, gratë dhe fëmijët e tyre.

Mbetet për tu parë nëse aktivizimi i këtyre grupimeve lidhet më zgjedhjet e 3 nëntorit dhe preferencat e tyre për Presidetin e ardhshëm, apo ky është një fenomen shumë më i thellë që do të përndjekë Amerikën në vitet që do të vijnë?!

*Posaçërisht për gazetën Mapo

1


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas