Grupi i njohur muzikor suedez, MadMan’s Choice ka zgjedhur të urojë shqiptarët për 28-29 Nëntorin përmes tingujve muzikorë. Larg gjuhës së tyre mëmë, MadMan’s Choice ka sjellë në version unik këngën “Xhamadani vija vija”.
Ata e cilësojnë si një dhuratë për të gjithë shqiptarët kudo që janë. Grupi suedez gjithashtu bën me dije se ky projekt muzikor ka ardhur si fryt bashkëpunimi me artistë të njohur shqiptarë.
“Ky projekt është një mënyrë për të treguar vlerësimin tonë për njerëzit e mirë dhe Kosovën e bukur. Puna në këtë projekt ishte përvojë shumë argëtuese dhe e paharrueshme. Dy vjet më parë ne ishim të ftuar të performojmë në Hardh Fest në Rahovec, Kosovë. Para koncertit vendosëm të provonim një këngë shqiptare si një dhuratë për publikun.
Përgjigja ishte jashtë kësaj bote. Kjo çoi në disa bashkëpunime me Bujar Berishën, Florent Boshnjakun dhe Berat Keqekolla. Kështu që ideja për të bërë një video për këngën “Xhamadani”, erdhi natyrshëm. Sapo ta kalojmë këtë situatë Covid-19 ne shpresojmë që njerëzit e Kosovës të mund të lëvizin lirshëm si një nga të drejtat themelore të njeriut”, – shprehet MadMan’s.