Grupi Parlamentar Demokrat është përfshirë në debate në lidhje me tenderët dhe koncesionet korruptive që, sipas demokratëve, qeveria po ua kalon klientëve të saj. Ish-Kryeministri Sali Berisha ka ngritur shqetësimin në Grupin Parlamentar për tenderat që ka marrë vëllai i Kryeministrit Edi Rama dhe njerëz të afërt të tij, të cilët duhet të denoncohen me forcë nga opozita.
Shqetësimi kryesor i ish-Kryeministrit lidhej me koncesionin e lojërave të fatit që, sipas Berishës, janë në duart e Olsi Ramës, vëllait të Kryeministrit dhe Endri Meksit, djalit të ish-Kryeministrit demokrat, Aleksandër Meksi. Sipas Berishës, ortakëria mes Olsi Ramës dhe Endri Meksit ka vënë nën kontroll lojërat e fatit, duke krijuar një skemë pastrimi të parave të pista.
Por Berisha u përball me reagimin e deputetit të Qarkut të Fierit, Myslim Murrizi, i cili kërkoi që demokratët t’i nisin akuzat nga vetja. Murrizi ka kujtuar në Grupin Parlamentar se ish-funksionarë të PD-së si, Ridvan Bode, Keltis Kruja dhe Fabian Topollaj, marrin tendera nga qeveria.
Pjese nga debati Berisha-Murrizi
Sali Berisha: Unë do të kërkoja që të gjithë deputetët e PD, të denoncojnë fort të gjithë tenderat dhe koncesionet korruptive të qeverisë. Është e papranueshme që vëllai i Kryeministrit të vendit, Olsi Rama, ka vënë nën kontroll lojërat e fatit. Është shumë e thjeshtë, Oldi Rama është bashkortak në kompaninë “Pegasus Communication”. Kjo kompani është në pronësi të Endri Meksit, i cili njihet dhe dihet që është ortak dhe mik i Olsi Ramës…
Myslim Murrizi: Doktor, këta deputetët që janë këtu, janë të rinj dhe kanë ardhur në parti me korrespondencë. Unë jam që ta fillojmë me këta tanët, që edhe thonë që jemi opozitarë edhe i bëjnë opozitë opozitës, në një kohë që joshen dhe marrin tendera nga qeveria. Pse nuk flasim për shoferin e Bodes dhe vëllain e Keltis Krujës?…/Panorama