Struktura për të menduarit dhe të nxënit është një procedurë përmes së cilës mësuesit udhëheqin nxënësit drejt arsyetimit. Si ndodh kjo?!
Arsyetimi, jo vetëm mund të përshkruhet për çdo pjesë të saj, por mund të perceptohet edhe si një strategji e ndërfutur dhe mjaft e lidhur. Struktura për të menduarit dhe të nxënit është ndërtuar sipas parakushtit të mëposhtëm: Struktura, këtu, është zhvilluar rreth përmbajtjes së një mësimi. Ajo nuk është e kufizuar vetëm në përmbajtjen e mësimit, por është e zbatueshme në të gjitha situatat e të nxënit. Përmbajtja e mësimeve, këtu, shërben si shembull zbatimi.
Për të arritur te arsyetimi kuptimplotë, i qëndrueshëm dhe kritik, nxënësit duhet të përfshihen në mënyrë aktive në procesin e të nxënit. Përmes përfshirjes aktive, nënkuptohet që nxënësit duhet të bëhen të ndërgjegjshëm për të menduarit, duke përdorur gjuhën e tyre.
Më pas, ata duhet të shprehin njohuritë dhe arsyetimin e tyre në të menduarit aktiv, në të shkruarit apo të folurit. Në këtë mënyrë, ndërgjegjësohen nxënësit për njohuritë vetjake dhe është gjetur “skema” e të menduarit për ndërtimin e një teme apo ideje. Përmes arritjes së këtij ndërtimi apo skeme, nxënësi është më i aftë të lidhë informacionin e ri, me atë që dihet, sepse konteksti për arsyetimin është bërë i qartë.
Përderisa arsyetimi i vijueshëm është procesi për të lidhur informacionin e ri, me skemat e mëparshme, qëllimi i tretë i fazës së evokimit është kryesor. Përmes kësaj faze, vendoset interesi dhe qëllimi për shqyrtimin e temës. Interesi dhe qëllimi janë thelbësorë për të ruajtur zotimin aktiv të nxënësit. Të nxënit e qëllimshëm është më i frytshëm se të nxënit e paqëllimshëm. Megjithatë, ka dy tipa qëllimesh: qëllim i vendosur nga mësuesi apo teksti dhe qëllim i vetëdrejtuar. Qëllimet e vetëdrejtuara janë më të fuqishme, sesa ato të shfaqura nga burimet e jashtme dhe interesi i njërit, shpesh përcakton qëllimin e tjetrit. Pa mbajtur interesin, motivimi për të ndërtuar skema ose për të përshtatur informacionin e ri, do të ulet. Përpara leximit të një pjese, interesi është i nxitur nga renditja e mendimeve dhe ideve rreth tyre përmes breinstorming. Me diskutimin në grup, idetë shtesë u mbivendosen të mëparshmeve. Disa nga këto ide dhe bindje mund të kenë qenë, ndoshta, të kundërta. Kjo është e rëndësishme për të zbuluar një përcaktim të tyre në klasë, sepse ndryshimet mund të çojnë në pyetje vetjake dhe pyetjet vetjake mund të jenë një motivues i fuqishëm për leximin që ka si qëllim zhvillimin e arsyetimit. Një studiues [Pirswn (Pearson) 1991] ka sugjeruar se përcaktimi i të kuptuarit tani është “të sigurosh përgjigjen për pyetjet që bën vetë”.
Karakteristikat e të nxënit në bashkëpunim
- Përdor grupe të vogla prej tre apo katër nxënësish (mikrogrupe).
- Përqendrohet në detyrat që duhet të kryhen.
- Kërkon bashkëpunim dhe komunikim të grupit.
- Cakton përgjegjësi individuale për të mësuar.
- Mbështet kompaktësinë e grupit, ka drejtim të përbashkët.
Arsyeja e përdorimit të të nxënit në bashkëpunim
Të nxënit në bashkëpunim merr shumë forma brenda klasës. Karakteristika e tij thelbësore është se ai ndihmon në vartësinë e brendshme pozitive, nëpërmjet të nxënit të nxënësve, që të mësojnë dhe të punojnë bashkë në njësi grupesh të vogla. Grupet tradicionale të të nxënit në bashkëpunim përmbajnë tre apo katër nxënës, të cilët punojnë për një detyrë së bashku, në mënyrë të tillë që çdo anëtar grupi arrin të kontribuojë në procesin e të nxënit dhe, pastaj, mëson të gjitha konceptet bazë që janë shpjeguar. Si grupet individuale të nxënësve, ashtu dhe grupi në tërësi janë përgjegjës për rezultatin. Të nxënit bashkëpunues ofron përvoja unike të të nxënit për nxënësit. Ky ofron mundësi për nxënësit të mësojnë nëpërmjet proceseve të të folurit dhe të dëgjuarit (gjuhës së folur), si dhe nëpërmjet proceseve të të lexuarit dhe të shkruarit (gjuhës së shkruar).
Të nxënit bashkëpunues rrit aftësitë mësimore, drejtuese dhe sociale të nxënësve.
Të nxënit bashkëpunues ofron shumë përfitime: te nxënësit ai përmirëson të nxënit e njohurive dhe shprehitë sociale; te mësuesit ajo është një ndihmë në drejtimin dhe udhëzimin e klasës. Të nxënit bashkëpunues rrit entuziazmin e nxënësve për të nxënë dhe vendosmërinë e tyre për të arritur suksese në mësime. Ky lloj të nxëni shton rezultatet mësimore të nxënësve të të gjitha niveleve të aftësive [Stivens dhe Sleivin (Stevens & Slavin 1995)], në të lexuar, në të shkruar, në llogaritje dhe zbatime matematikore, në të kuptuarit dhe të menduarit kritik. Në të nxënit bashkëpunues, koha për kryerjen e detyrave dhe angazhimi rriten, sepse çdo nxënës është pjesë e nevojshme e suksesit të të gjithë grupit [Malriwn (Mulryan 1995)].
Që grupet e nxënësve të jenë të efektshme, duhet që anëtarët e tyre të mësojnë të nderojnë dhe të respektojnë dallimet e njëri-tjetrit, të mbështesin njëri-tjetrin nëpërmjet procesit të të nxënit, të komunikojnë në mënyrë të efektshme me njëri-tjetrin dhe të arrijnë mirëkuptim kur kjo nevojitet.
Kështu të nxënit bashkëpunues ofron ushtrime të vlefshme të atyre shprehive që nevojiten për t’i bërë nxënësit qytetarë të vlefshëm, të marrin pjesë në grupet që merren me zgjidhjet e problemeve. Të nxënit bashkëpunues përmirëson marrëdhëniet ndërpersonale. Ky përmirëson gjendjen emocionale të nxënësit, vlerësimin vetjak, aftësitë përballuese dhe qëndrimet ndaj detyrave të shkollës. Nxënësit e përfshirë në përvojat e të nxënit në bashkëpunim kanë qenë në gjendje të dallojnë rritje në njohuritë e tyre, në Vlerësimin vetjak, në besimin për shokët e klasës, dhe në zgjidhjen e problemeve dhe zgjerimin e aftësive komunikuese.
Përvojat e të nxënit në bashkëpunim ofrohen, gjithashtu, për të përmirësuar marrëdhëniet midis nxënësve të ndryshëm, kur mësuesit kujdesen që të ndërtojnë grupe nxënësish me nivele nevojash dhe aftësish fizike të ndryshme.
Ju si mësues përfitoni nga të nxënit bashkëpunues në aspektin e drejtimit të klasës. Kur jepni mësim me të gjithë klasën dhe nxënësit nuk lejohen të ndërpresin apo të ndihmojnë njëri-tjetrin, ju përket pikërisht juve të afroni ndihmë individuale te nxënësit të cilët nuk kanë kuptuar një koncept të dhënë, që kanë vështirësi në ndjekjen e udhëzimeve, kanë mangësi të aftësive që nevojiten për të filluar një detyrë apo kanë vështirësinë ndjekjen e detyrës së klasës. Koha që humbet nxënësi për të mësuar, kur pret që mësuesi të qarkullojë nëpër klasë, është e konsiderueshme. Të nxënit në bashkëpunim ofron mundësi të kënaqshme të të nxënit të lëndës.
Të menduarit
Në çfarë mënyre është e lidhur kjo strukturë për mësimdhënien edhe të nxënit me mendimin? Mendimi kërkon aftësi për të gjykuar dhe për të reflektuar, se çfarë di dhe mendon dikush. Përpara se të ndodhë kjo, nxënësit duhet të sjellin më parë njohuritë dhe arsyetimin e tyre në nivel të vetëdijshëm.
Shpesh nxënësit dështojnë në risjelljen e njohurive të tyre të mëparshme, duke e bërë këtë më të vështirë për të reflektuar, lidhur me informacionin e ri, me terma të kuptimshëm.
Duke dështuar në gjallërimin e njohurive të mëparshme, nxënësit mund të jenë:
- Konfuzë;
- Te kenë mendime të paqarta dhe kontradiktore;
- Te pengojnë të nxënit e ardhshëm. Për të menduar në mënyrë kritike, është thelbësore që nxënësit të njohin se çfarë dinë.
Reflektimi dhe analiza kritike kërkon qëndrim të vëmendshëm dhe krijues rreth mënyrës se si mund të zbatohen njohuritë në arsyetimin e mëparshëm dhe se si arsyetimi i mëparshëm mund të ndryshohet për të përshtatur informacionin e ri. Ky është një proces aktiv. Ai kërkon kohë, vëmendje dhe kujdes për t’u përmbushur. Ai, në mënyrë tipike, nuk ndodh rastësisht. Nxënësit duhet të lejohen të rikujtojnë njohuritë e mëparshme dhe t’u sigurohet një proces që çon te njohuritë e pazbuluara, si dhe skema të dobishme. Mësimdhënia për zhvillimin e të menduarit bëhet për procese njohëse (kognitiviste) dhe metanjohëse (metakognitiviste). Është njohës, sepse nxënësit duhet të mendojnë rreth përmbajtjes, rreth ideve dhe arsyetimit, rreth informacionit dhe njohurive të përgjithshme. Megjithatë, është, gjithashtu, metanjohës, sepse ata duhet të mendojnë rreth të menduarit të tyre. Ata që mendojnë në mënyrë kritike pyesin veten:
- “Çfarë mendoj unë rreth kësaj?”
- “Si përshtatet ky informacion, me ato që unë di?”
- “Çfarë mund të bëj në mënyrë të ndryshme, tani që kam këtë informacion të ri?”
- “Si janë të ndikuara bindjet e mia nga këto ide të reja?”
Mendimtarët janë aktivë:
- punojnë në mënyrë sistematike;
- reflektojnë ndaj njohurive bazë;
- për të ripërcaktuar veten dhe kanë si tipar mënyrën se si perceptojnë botën e tyre gjatë rritjes dhe të nxënit.
Ajo që ndodh kur nxënësit bëhen të vetëdijshëm dhe kontrollojnë proceset e tyre metanjohëse është se bëhen më të aftë për të dëgjuar dhe kuptuar idetë e reja, skemat e reja, mënyrat e reja të vendosjes së informacionit dhe të koncepteve së bashku. Skemat e tyre bëhen më të ndryshueshme dhe më pak të thyeshme, ngaqë rritet shkalla e ndërgjegjësimit të sistemit të bindjeve të çdonjërit. Nxënësit bëhen më të aftë të reflektojnë për informacionin e ri, sepse kanë më shumë leje dhe kontroll rreth të menduarit të tyre. Ata janë më të aftë për të mirëpërdorur informacionin e ri, sepse kanë besim më të madh në aftësitë e tyre për të përfshirë në mënyrë të frytshme njohuritë e reja me njohuritë e mëparshme. Përfitimet janë të shumëfishta.
Punoi: Majre Levenishti/ Portali Shkollor
REFERENCAT; Mësimdhënia dhe të nxënit ndërveprues, Bardhyl Musai ,Tiranë, 2008
Metodologjia e mësimdhënies, Bardhyl Musai, Tiranë, 2003
Mësimdhënia dhe të nxënit në edukimin joformal, Tiranë, 2006