Tregim-dëshmi kushtuar intelektualit të shquar shkodran Prof. Guljem Dedës, i cili përballoi 45 vjet burg e internim, ku në ato kushte të pamundura përktheu kryeveprën e poetit italian Lodovico Ariosto, “Orlando Furioso” (Orlandi i çmendun), po ashtu kryevepër në gjuhën shqipe.
Tregimi vjen direkt nga rrëfimet e vetë prof. Dedës…
Nga Lek Pervizi
Trupi Lemit ishte katandis në një thes me kocka prej 37 kg. Njeriu që peshonte 80 kg ma përpara, i cili kur qeshte me të madhe tundeshin muret e theheshin xhamat e dritareve, ishte aq i dobësuem sa që nuk mund të qëndronte gjatë mbi kambët e veta. Profesor i letërsisë dhe i gjuhës shqipe e latine, Guljelm Deda, ishte reduktue në një qënie skeletike, buzët e shtrëngueme, sytë e mbyllun nga qepallat e randueme: me iu dhimb gurit e drunit.. – Kokalle … kokalle … kocka… ja si na kanë katandisur!
Thërriste Spiro Himarioti, duke lëvizun krahët si dy pyrteka të thata, si ato të të gjithë të burgosunve të shkretë. Të reduktuem në qënje skeletike apo figure shkjeshë, të raskapitun nga gërmimi prej agimit deri në muzg, me vegla rudimentare, zhytun në baltën e kanalin faraonik të Vloçishtit.
Sa viktima të pafajshme që kishte gëlltitur kjo humnerë monstruoze? Në cilin rreth të ferrit i kishin do t’i kishte pllakosë Dante Aligieri? Rojet kuqaloshe, zemër zi e të pashpirt vinin për rreth si qen të tërbuem gati me kafshue e me mbjell vdekje.
Djajt me brina të pajisun me cfurqe ishin zëvendësue nga demonë në uniformë dhe me armë vrasëse, shumë ma të tmerrshëm dhe të kobshëm. Ferri fantastik i Dantes ishte transformue në një ferr real toksor. Lemi u ul kruspull tue u mbajtë pas lopatës. Rrezet e diellit të korrikut ia përvëlonin trupin. Ushqim diellor! Fatmirësisht mendjen e kishte esëll. Liri, liri, sa krime janë krye në emnin tand! I vinin në mendje këto fjalë. Njerëzimi kishte ra shumë poshtë.
Poeti i madh Dante, duhet të kishte lindun në kët shekull për me shkrue një Ferr tjetër të vërtetë, ku vuenin e torturoheshin qenie njerëzore krejt të pafajshëm, pa qenë fajtor për asgja. Mendimet e tij u ndërprenë nga një hije që i zuni diellin. Një formë njeriu i doli përpara. Ai mezi ngriti qepallat dhe njohu figurën e Tonit. Ky po, mbahesh mirë. I frymë si një thes me pambuk. Toni kishte ndjek një kurs për infermier dhe ma vonë u gjet bashkë me të në burg. Ai ishte infermieri i kampit të Vloçishtit. Kjo e kishte shpëtue nga puna e detyrueme. Pa infermeri, pa mjek e pa ilaçe, konditat shëndetsore nuk ekzistonin fare, hiç.
Ai ishte caktue me u sigurue për vdekjen e të burgosunve ose të atyne që ishin në prag të vdekjes. Toni e kishte kuptue gjendjen pa shpresë të mikut të tij, Guljelm Dedës, që të gjithë e thirrnin Lem. I kishte thanë se do mundohej të gjendte një zgjidhje për ta shpëtue. – Lem…Lem! E kam gjetun! – Kë?… Danten?…foli Lemi duke qeshun, sepse një herë i kishte thanë, , ti Ton shif e mos e ndesh dhe Danten këtu, dhe pyete në cilin rreth të ferrit do të na kishte vendosë. – Ç’Dante more Lem! Kam gjet mënyrën me të shpëtue! – Me më shpëtue?…Po unë i shpëtuem jam.
Një thes me eshtna 37 kilesh! Ejani, ejani se kemi mjaft kocka, kokalle, plot një thes! Merrini mos u hynë në punë ashtu kot. Lemi u mundue të qeshte si dikur por nuk kishte ma forcë. Mbeti gojë hapun, sytë të ngulun mbi Tonin, shpetimtarin e tij t’ardhshëm. Lemi shakatë i kishte të tijat. Por aty s’i hynin në punë, veç sa me rrejtë veten se ishte hala në rregull me mendt. – Lem, leni shakatë. Asht çështje jete a vdekje. Ti duhet të ngjitesh rrëpinës së kanalit deri sipër dhe atje shtriu për tokë. A more vesh? Kur të mbarojë puna e ditës, të burgosunit do të vijnë të hedhin ndonjë lopatë mbi ty, duke të kujtue të vdekun. Ti do të hapish një vrimë sa me marrë frymë. A more vesh?
Mos lëviz fare as qepallat dhe prit aty, deri sa të vij unë për kontroll me rojët. Lemi desh të qeshte si dikur por i doli një zgërdhimje e thatë. S’kishte ma forcë. Kij kujdes, rri i qetë e ruej gjakftohësinë. Mbasi ia shpjegoi mirë planin e tij, Toni u largue.
Ishte punë serioze. Lemi i tha vetes, në daç me shpëtue zbato porosinë e Tonit. Ai ndejti do kohë pa asnjë mendim tjetër në kokë, veç se si do të ngjitesh asaj rrëpine.
Po i dukej si mundimi i Sizifit, jo për me rrotullue një alamet guri, por se si me u ngjit kamadoras deri atje nalt si një majmun. I dha forcë vetës dhe nisi të ngjitet. Ma në fund arriti sipër buzës kanalit. Bani do hapa dhe u hodh për tokë, dhe kur e ndjeu zhurmën e ramjes së trupit, i erdh në mendje vargu i famshëm i Dantes: E u rrzova si trup i vdekun rrzohet. E zuni një dëshirë e madh për gjumë. Mos vallë po i vinte vërtet vdekja?
Ai ishte besimtar. Iu duk se dora mbrojtëse e Zotit po shtrihej mbi të. Humbi ndjenjat. Dielli po ulej tej horizontit të përflakun. Të burgosunit e kishin mbarue punën ditore. Rojet vinin vërdallë kërcënues. Befasisht Lemi ndjeu një peshë mbi trupin e tij. Ishin lopatat e dheut që hidhnin të burgosunit. Pushoftë në paqë! Ai e mbajti frymëmarrjen deri sa të burgosunit u larguen. Hapi dheun për me marrë frymë. Ishte lufta për ekzistencë.
Lemi dëgjoi disa zana. Toni që ishte kërrus mbi të, foli: -Po ky qenka akoma i gjallë! -Kush asht. Mos e njeh ti? -Jo, aspak. Po shikoni, qënka krejt kockë e lëkurë. -Mbylle gojën! Atë e dijmë ne. Ti shko e thirr dikë e na thuej kush asht! Toni, thirri dy të rij shkodranë, të cilëve u tregoi për Lemin. Ata shkuen menjeherë dhe e morën profesorin dhe e çuen te çadra e infermerisë. Të burgosunin e quenin çadra e vdekjës. Sa prej tyne kishin dhanë shpirt aty. Por për Lemin ishte shpëtimi.
Toni me dy të rijt i sollën plaçkat e disa sende ushqimore dhe ujë të pijshëm. Aty me të ishin shtri dy të burgosun të tjerë. Lemi nuk pati kohë të merrte vesh asgja, pse ra në një gjumë të thellë që e mbajti 24 orë. Kishte shpëtue. Një ditë, pas shqyrtimit të sëmurëve bashkë me infermierin erdhi njëni nga rreshterët, i cili e kishte fiksue shikimin mbi Lemin, të shtrirë në shtratin e tij, sytë dhe gojën të mbyllun, i palëvizshëm. – Po ky qen, nuk ka ngordhur akoma? Egërsia e këtyne njerëzve nuk kishte kufi.
Po afrohej një vjeshtë me kohë të keqe. Të burgosunit u rikthyen në burgjet respektive para afatit prej shinave që kishin bllokue vazhdimin e punimëve. Erdhën kamionët ku të burgosunit u stivoseshim duer e kambë të lidhuna nën grykën e armëve të policëve. Ata linin mbrapa mjaft shokë fatzi që kishin humbë jetën në baltë e kënetës së Maliqit, dhe të tjerë që ua kishin pushkatue para syve.
Larg punës së stërmundimshme në kanalin faraonik të Vloçishtit dhe të krimeve të xhelatëve, dhe veçanërisht në sajë të vëllajt Pashko, që e ndihmonte me ushqime, Lemi e mori veten dhe e trasformoi historinë e tij në satirë, si shkrimtar e poet e njeri i humorit siç ishte. Në burgun e Shkodrës bashkë me shpëtimtarin e tij, Tonin e të tjerët, ishte një kënaqësi e madhe me e dëgjue se si e tregonte ngjarjen me një zhvillim tragjiko- komik.
Dhe ai ia niste: – Kisha vendosë me dek aty në kanal, siç isha katandisë në një thes me kocka, kur ja vjen një engjëll shpetimtar….Toni, dhe mrekullia ndodhi. Kështu Lemi ringjallet sipas urdhnit të infermierit Toni, që tue zëvendësue Krishtin e ringjalljës së Lazarit, urdhnoi: Lem çohu! dhe Lemi u çue. Por ndodhitë e Lemit nuk kishin mbarue. Mbasi i kishte shpetue mrekullisht një vdekje të sigurtë, siç u tregue ma sipër, dhe mbasi kishte plotësue 5 vjetët e dënimit, ai lirohet.
Jeton bashkë me të vëllanë Pashko ose Paçi. Shtepinë ua kishte konfiskue regjimi komunist, dhe ata jetonin së bashku në një dhomë me qera. Duhej punue me fitue bukën e përditshme. Parrulla e partisë ishte, kush s’punon s’han. Diploma e profesorit s’pinte ma ujë. Zyra e punës e caktoi me punue ne një gurore, në malin e Taraboshit.
Me thye blloqe gurësh të mëdhej me varré. Nuk kishte tjetër punë për të, i thoshin. Ai qeshte me vëllanë dhe shokët. – Ja pra, unë jam duke u përgatitë me u diplomue në fakultetin e gurë- thyesve. Kjo punë ishte shumë e randë dhe shpërblimi mizerabel. Ai nuk mund të përfytyronte tjetër zgjidhje. Edhe dëshira me shkrue e lexue i ishte hequn. Stërmundimet e Vloçishtit, e kishin reduktue në një robot.
Një ditë prej ditësh e therrasin në Degën e Brendshme të Shkodrës. Ai u gjet ball për ball me shefin e Degës, i gjithpushteshmi kolonel Hilmi Seitin që bante ligjin në atë qytet. E kishte prit Lemin në zyrën e tij. Ishte çue ne kambë, i buzeqeshun e xhentil, tue e ftue të zinte vend në karrikën para tryezës e tue i ofrue e ndezë një cigare Partizani.
Pas tij, në mur, varej fotografia e Stalinit. Sikur buzëqeshte ironikisht nën musteqet. Koloneli e kishte pyet si e ndiente veten dhe ç’bante. Lemi ishte pergjegje, se ndihesh shumë mire dhe se ndiqte fakultetin e gurëthyesve. Shefi kishte qeshë me të madhe tue u tregue shumë i përzemërt. Mbasi shkëmbyen disa fjalë të rastit, koloneli kishte marrë një shprehje serioze. – Degjo Lem, ne të njohim mirë.
Në i çmojmë aftësitë e cilësitë intelektuale të tua, si profesor i letërsisë e gjuhësisë. Gjithashtu ne e dijmë që ti ke nderuar vendin tonë e qytetin tënd të Shkodrës. Tue pasë fitue diplomën me vlerësimin ma të naltë “Summa cum Laude” në Universitetin e Padovës në Itali. Ne e vlerësojmë tepër këtë përgatitje të nivelit të naltë.
Partia e qeveria na kanë porositë që të kemi parasyshë aftësitë e tua intelektuale dhe profesionale, dhe me të ndihmue në këtë drejtim. Mund të ushtrojsh profesionion tand si profesor i letërsisë në gjimnazet e Shkodrës. Gjithashtu do të keshë mundësi të ushtrosh talentin tand krijues si shkrimtar dhe të publikosh veprat e tua. Pra, ti e shikon vetë se partia e qeveria të shtrijnë dorën.
Ti duhet të përfitosh nga ky fat e kjo bujari. Lemi nuk hapi gojë. I përqendruem në vetvete iu kujtue vargu i Vigjilit te Eneida, «Timeo Danaos et dona ferentes» (I kam frikë grekët dhe dhuratat që më sjellin). -Nuk mbetet veçse me firmos një dokument për angazhimin tënd për të kontribuar në ndërtimin e socializmit në vendin tonë, nën udhëheqjen e ndritur të shokut Enver Hoxha, sekretari i parë i partisë sonë.
Lemi e kuptoi se ku donte me dalë shefi. Bani sikur po i ndiqte fjalët e tij, duke tundun kokën në mënyrë aprovuese. Por dardha e kishte bishtin mbrapa. Koloneli vazhdoi: – Pra, unë mendoj se të do të jeshë dakord me këtë mundësi që të jepet. Do të përfitosh shumë. Do të keshë privilegje dhe ne do të sigurojmë një apartament në qëndër të qytetit. Por, sikur të thashë, duhet të firmosur një dokument angazhimi nga ana jote, që të jeshë besnik ndaj partisë dhe regjimit tonë, dhe t’u shërbejsh me devocio dhe sinqeritet.
Nga ana tjetër të bashkëpunosh me ne të sigurimitn të shtetit, që unë përfaqësoj këtu në Shkodër. Ndërkaq shefi i kishte vu përpara një fletë letre të daktilografueme që Lemi duhej të firmoste. – Ja Lem, mjafon vetëm një firmë e jote që të biem dakord dhe të përmbyllim angazhimin tënd përfundimtar. Lemi që i kishte hedh një sy letrës u përgjigj preras : – Ç’far dokumenti? Unë jam dakord me gjithë ato që ju thatë por unë nuk jam dakord aspak me firmos këtë lloj dokumenti angazhues për me u ba një bashkëpuntor e spiun.
Po qe se më keni thirrë për këtë punë, ju nuk do te keni asnjë lloj angazhimi nga ana ime, as me fjale as me firmën time. Fytyra e shefit u transformue në vend, nga shprehja e ambël e njeriu t’urtë, në atë të një tigri t’egërsuem. – Kështu e kundështon bujarinë tone? Ti dashke të vazhdosh të jeshë një armik i populli e i partisë? Mirë, do të presi toga e pushkatimit ose do të ngordhish në fund të një biruce t’errtë burgu. Firrmos Lem, po deshe te jetosh edhe disa ditë i qetë, bertiste koloneli me za të çjerrë krejt i gjindosun me fytyrën e skuqun nga mënia. – Kurrë! Bani ç’të doni me mue. S’e kam frikë vdekjën.
Më vrisni ose me hidhni në burg, qyshë tashti. Ja ku më keni! – I mjeri ti! Nuk hedh firmë? Ti nuk pranon të bashkëpunosh me ne? Ti i hedh posht propiozimet tona? Mirë, mund të dalish gjallë nga kjo zyrë, por ke për ta paguar shtrejtë këtë demostrim armiqësor dhe përbuzës ndaj partisë e regjimi tonë! Lemi u ngrit nga karrika dhe doli pa përshëndet. Nga fotografia, Stalini vazhdonte të hidhte vështrimin e tij sarkastik.
Pas disa muejsh, Lemi arrestohet dhe izolohet në një qeli të burgut të Shkodrës. Aty ndejti shumë kohë pa pa njeri, veç rojëve që i binin buk e ujë, dhe, e zorshme me u besue, edhe cigare me gjithë shkrepse. Ai e kuptonte se ishte një lojë e kolonelit. Sigurisht se ai kërkonte t’i bante presion paraprisë për orvajtje të tjera ndaj tij. Një lloj paralajmërimi që të mendonte për atë që i kishte propozue.
Dhe ja një ditë dera e qelisë hapët dhe një kapter i policisë e urdhnon që ta ndiqte, pa i vu prangat. U gjet në një dhomë, ku pas një tavoline të zakonshme ishte ulun vetë shefi, Hilmi Seiti. Ai i bani me shej të ulej në karrigen përball tij. Profesori ynë nuk kishte lëviz buzët për ta pëshëndetun, dhe u ul në karrige i heshtun.
Kësaj radhe nga muri e vështrone Lenini. Koloneli iu drejtue : – Kështu Lem, arrestimi yt asht i lidhun me programin e partisë për me ba “piazza pulita” me kundështarët tone. Lemi s’u përgjigj. Ai e kishte parandie këtë takim të dytë me përfundim të parashikueshme. Ç’far do të banin me të? Unë kam folur me shokët e partisë, që të njohin e të vlerësojnë shumë. Ata tregohen shumë të kenaqur të të shohin të përfshirë në shoqërinë dhe jetën socialiste.
Shefi i dha fund bisedës duke u tregue i mirësjellun dhe i prirun për mirë ndaj tij. Lemi e kishte mbledh veten dhe foli: -Ju a kam dhanë përgjigjen time. Nuk mund ta pranoj kurrë atë ofertë. Ju mund të bani ç’të doni me mue mbi jetën dhe trupin, por jo mbi mendjen e shpirtin tim. Nuk do të pranoj kurrë të njollos veten me turp e përbuzje. Dhe ndërkaq i dha një të shtyme letrës drejt kolonelit.
Ky u tërbue nga inati dhe u kthye në një egërsinë, duke u Prof. Guljelm Deda, çue në kambë e duke bërtitë me sa za kishte ndërsa përplaste duert mbi tavolinë. – Mirë të te bëhet. Do t’i marrësh ato që po kërkon. Nuk do të dalësh kurrë prej burgjve e kampëve të internimit, në qoftë se i shpëton pushkatimit. Vetë e ke kërkuar! Kapter Sulo, mere këtë armik e mbylle atje në birucë dhe mësoje që të sillet më mirë!
Sa e çuen ne birucë, kapteri dhe dy policë të tjerë u hodhën mbi të me grushta e shqelma deri sa ai humbi ndjenjat i shtrimë mbi dyshemenë prej betoni. Kur ra nata dhe erdhi në vete e lanë të shkonte sa mezi mbahej në kambë. Pas disa ditëve, ia behën disa policë në shtëpinë ku banonte me vëllanë. I vunë prangat dhe e hypën mbi një kamion me ato pak plaçka që kishte.
Makina ishte plot me të arrestuem të tjerë të prangosun si ai, të ngjeshun bri njeni-tjetrit. Nën rojën e policëve t’armatosun deri në dhambë. Lemin e shokët e tij, të gjithë intelektualë shkodranë, i mbyllën në kampin e Shtyllazit, ngjit me atë të burgosunve, dhe i nxorrën në punë të detyrueshme në hapjen e një kanali të madh, bashkë me të burgosunit.
Kampi i Shtyllazit në fushën e Fierit, ishte vendosun pranë rrënimeve të qytetit të lashtë të Apollonisë. Bashkë me Lemin ishin internue nja 100 vetë nga qytete të tjerë, shumica inteklektualë. Gjysma e tyne ishin mbi 60 vjeç, dhe i kishin ba nga 5 deri 10 vjet burg. Ish funksionarë të naltë, ministra, oficerë, shkrimtarë e profesorë që i kishin shpëtue pushkatimit. Shtyllazi, u transferue ne Kuç të Kurveleshit, kamp izolimi, ku i mbajtën katër vjet, 1954- 1958.
Këtu Lemi nisi punën e madhe të përkthimit të poemit të Lodoviko Ariostos ‘Orlando Furioso”. Ndërkaq ata i çuen në Lushnje, që ishte caktue si qendër internimi. Ku përveç disa pleqve të tjerët i detyruen të punonin në bujqësi. Më 1962 Lemi martohet me zonjushën Marie Muzhani, bij e Prof. Luigj Muzhanit, e cila kishte pranue të martohet me Lemin duke nda internimin me të. Më 1964 u ba një lirim, ku Lemi përfitoi e u vendos në Tiranë pranë familjës së grues.
U duk se morën fund telashet e tij. Por jo. S’kaluen dy muej dhe e arrestuen e ngarkuen mbi një kamion me gjithë gruen dhe e degdisën në fshatin e humbun Ndërnenas të Fierit, ku qëndroi 25 vjet deri 1989. Këtu ai e vazhdoi punën e përkthimit, në kondita të tilla të pamundshme. Arriti ta përfundojë pas 17 vjetësh, një kryevepër në kryevepër. Testament tij i përjetshëm.
Kështu heroi ynë, i përmbushi 45 vjet dënime të ndryshme, burgje e kampe pune e internimi. Pasojat i shkaktuen një sëmundje të randë, që i dridheshin duert e nuk mund të shkruente. Kaloi ne Itali, ku pas disa muejve u vendos në qytetin Perugia, i ndihmuar nga një shoqate humanitare. Aty, me gjithë ndërhymjet e mjekësisë, kaloi në gjendje pa shpresë dhe vdiq në mars 1994. Por ai kishte lanë një vepër poetike monumentale, kryevepra e tij, «Orlandi i çmendun», prej 40 mije vargjesh.
Diçka që një mendje e shëndoshë s’mund ta konceptojë as përfytyrojë, për kushtet në të cilat u krye. Kurajo nuk i mungoi kurrë. Me atë vepër ai iu kundërvue me vendosmeni e vullnet të pathyeshëm diktaturës që deshti ta shuente fizikisht e mendërisht. Një hero i vërtetë i mendimit.