Ipeshkvi i Dioqezës së Rreshenit, dom Gjergj Meta u ka kërkuar publikisht institucioneve dhe veçmas Ministrisë së Kulturës të mos ndërmarrin veprime arbitrare duke dëmtuar vlerat historike të zonës së Gjugjës në Fan.
Përmes një statusi në facebook ai shprehet:
E kam thënë edhe më parë që nuk jam ekspert i artit shkëmbor, por specialistët me të cilët kam folur thonë që guri nuk duhet të lëvizë nga Gjugja.
Përveç kësaj banorët më kanë dhënë një mandat moral për t’u bërë zëri i tyre.
Nuk mund t’i merret apo rrëmbehet pasuria arkeologjike një toke dhe një vendi. Ftoj edhe Bashkinë Rrëshen të përfshihet në këtë situatë me përgjegjësi dhe vullnet të mirë.
Nëse është i vërtetë lajmi (dhe duket që është) se duan ta zhvendosin gurin pa asnjë studim konteksti dhe në mënyrë arbitrare, kjo bie ndesh me shumë gjëra.
I ftoj edhe specialistët të shprehen publikisht e të thonë mendimin e tyre.
Banorët, që atë ditë kur shkuam aty ishin të shumë, kanë të drejtë të ndjehen të fyer për këtë gjë.
Prandaj u bëj apel institucioneve ta shohin me kujdes, pa arbitrarizëm e mos t’i bien shkurt kësaj çështje, por të shprehen publikisht, me transparencë e arsyetim mirëfilli shkencor.
Unë jam me banorët e Gjugjës dhe me ata specialistë që mendojnë se Guri duhet të rri aty.
***
Më poshtë shkrimi i Dom Gjergjit, i datës 14 gusht, kur vizitoi Gjugjën dhe u takua me banorët
Periferitë janë qendrat e vërteta. Në zonat e largëta, shpesh të papërfillura apo të shpërfillura, pothuajse si për shkak të një rastësie, historia del nga harresa e na dëftohet. Ato fshatra, që shpesh për ne modernët janë pa leverdi ekonomike apo elektorale, kthehen në mbartësit e origjinës tonë. Por, origjina është qendra, është rrënja. Këtë ndjesi e këto mendime pata sot, kur shkova në Gjugjë të Fanit, në Mirditë.
Sikurse kisha dhënë fjalën tashmë, sot u nisa qysh në mëngjes me disa miq për në Gjugjë, që të shihja Gurin, apo rrasën si i thonin banorët, me petroglife. Kishin ardhur shumë njerëz, aq sa mund të vijnë në një ditë jave, në një fshat të thellë të Mirditës. Por, kishin ardhur nga Tirana, Durrësi, Rrësheni, nga fshatrat përreth si Fani e Thirra, madje edhe nga Kukësi, Vlora e Berati.
Ishte një takim i ngrohtë me gjugjasit që mua më bëri mirë shumë. U mahnita edhe njëherë nga bukuria e lagjeve që shihen, kur lë mbikalimin e autostradës në Fan e të del para sysh Kujti, Konaj, Shëngjini, Petoqi e deri në Gjugjë me toponimet e saja shumë interesante, e cila shkon deri te Qafa e Kombit (Kushedi pse quhet ashtu!). Gjugja është fshati i fundit i Dioqezës së Rrëshenit në kufi me Arrnin që i përket Kukësit.
Por, kryefjala sot ishte Guri i Gjugjës. Aty gjendeshin vërtet disa figura të gdhendura në gur që urgjentisht u takon specialistëve ta vlerësojnë pa humbur kohë. E po ashtu të merren sa më shpejt masat e ruajtjes së një gjëje që ka dalë nga toka dhe ka ndryshuar habitatin e saj. Por edhe të bëjnë çmos që ajo pasuri arkeologjike t’i rrijë atij vendi, sepse aty përket dhe ata banorë janë krenarë për këtë gjë. E bashkë me ta edhe unë.
Sot, banorët më dhanë një mandat moral mua, ipeshkëvit të tyre, që në emër të tyre të flas e të them, të nxis autoritetet e Ministrisë së Kulturës dhe sidomos ata që janë specialistë të fushës. Mos të humbet kohë, por të vlerësohet para se t’i ndodhë ndonjë gjë e keqe atij guri, jo nga banorët që e kanë për krenari dhe angazhohen ta ruajnë, por nga faktorët atomosferikë e sidomos nga vonesat shpesh të pajustifikuara të autoriteteve tona kulturore e historike.
Në fund bëmë edhe një lutje të gjithë bashkë. Aty ku janë dy ose tre së bashku e luten, Zoti është me ne. E ne kemi nevojë për Të e për njëri-tjetrin.
Nuk e lashë megjithate Gjugjen pa u freskuar pak te Kroi Winsauer, prane Gurit të Nuses.