Aktualitet

Gushti i koncerteve politike!














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 12:04 - 25/08/21 |
Sali Berisha

Politika e koncerteve duhet t’i shërbejë afrimit dhe mirëkuptimit të popujve. Por koncertet politike të këtij gushti në veri të Kosovës dhe juglindje të Shqipërisë me Çorben dhe Goranin të planifikuara në Beograd për mjaltimin e “Ballkanit të Hapur”, ishin në vete edhe një kurth i ndyrë që serbomadhi Vuçiç dhe argati i tij i Tiranës, Zografi bis, sajuan kundër shqiptarëve me moton bashkim-vëllazërim; në të vërtetë bashkim-poshtërim.






Ata me lojën e tyre të rrezikshme e zjarrnxitëse dështuan të dy si gangsterë provokatorë!


Mirëpo pas dështimit me sukses të koncertit të Bregoviçit në Korçë, në një akt përuljeje gjer në pështirosje ndaj padronit të tij Vuçiç dhe si për t’i kërkuar ndjesë atij për “de fakto” braktisjen e Goranit nga publiku i civilizuar i Korçës, Zografi Bis tejkaloi çdo kufi në vetposhtërimin e tij.







Ai shpejt e shpejt shpiku analogjinë jo vetëm midis çetnikëve serbë dhe fashistëve shqiptarë, por edhe të viktimave të tyre respektive.



Sipas tij, të parët kishin sulmuar këngëtaren e mirënjohur shqiptare Dua Lipa vetëm se ajo vishej me flamujt e kombit të vet, kurse të dytët po sulmonin Goranin e pafajshëm tek i cili sipas tij nuk kishte asgjë antishqiptare, madje as dhe serbe, por vetëm e vetëm se ai këndonte serbisht.



Keqshfrytëzimi i shërbëtorit nga padroni, flligështia dhe vetposhtërimi i njeriut nuk mund të ketë shëmbëlltyrë tjetër më të shëmtuar se kjo e Zografit bis me këtë krahasim.

Kjo analogji të rikujton krahasimin që i bënte Enver Hoxha, patër Gjergj Fishtës me serbomadhin famëzi, ish-kryeministrin e mbretërisë së sllavëve të jugut, Vlladan Gjeorgjeviçin.

Hoxha që po punonte intensivisht për bashkimin e Shqipërisë si republikë e shtatë e Jugosllavisë nuk mund të pranonte që vetëm serbët të kishin racistë antishqiptarë dhe për të kënaqur padronet e tij në Beograd, Titon dhe Rankoviçin, e shpalli kolosin e letrave shqipe Gjergj Fishtën, në një fjalim që mbajti në Kuç, si racist antiserb dhe e krahasoi atë me ish-Kryeministrin famëzi Gjeorgjiviç.

Pavarësisht se sot personat ndryshojnë shumë nga personazhet e Enverit, konteksti dhe klisheja është absolutisht e njëjta.

Kështu që mund të thuhet se i shplarë nga çdo moral njerëzor dhe në çdo aspekt është krahasimi si person i Dua Lipës, një vajze që me talentin e saj ka arritur në majat botërore të këngës – me Goranin, i cili qenka i pafajshëm në raport me nacionalizmin e verbër etnik serb sa vetë 30-vjeçarja Dua Lipa.

Por unë nuk po ndalem në krahasimin e dy këngëtarëve krejtësisht të pakrahasueshëm, të cilët Edvini i paraqet njëlloj viktima të pafajshme, e para e ultra-nacionalistëve serbë dhe i dyti i fashistëve shqiptarë.

Unë do të ndalem në krahasimin nga ai i reagimeve ndaj Bregoviçit, të shqiptarëve viktima të barbarisë dhe genocidit të fundit serb ndaj tyre me reagimet e ultra-nacionalistëve të verbër serb ndaj suksesit tashmë botëror të një këngëtareje shqiptare për fajin e vetëm se ajo mban flamujt e kombit të saj dhe është e etnisë të cilën, racistë serbe e kanë për ta vrarë dhe zhdukur.

Ky reagim nuk është absolutisht as rastësi as dhe naivitet.

Kjo është shprehje e një qëndrimit çnjerëzor, i mohimit njëlloj si padroni i tij të genocidit ciklik serb në Kosovë nga Zografi bis përfshi këtu genocidin e fundit të ushtruar me operacinon “Patkoi”.

Në avokatinë e tij prej puthadori të neveritshëm, Zografi bis thotë se Gorani nuk ka asgjë serbe dhe kjo sipas tij është garancia e absurditetit të sulmeve ndaj tij.

Në fakt duhet të jesh i detyruar të poshtërosh veten në shkallë ekstreme të bësh një krahasim të tillë.

Gorani ka nënë serbe, por absolutisht asnjeri nuk e ka sulmuar atë pse është djali i një nëne serbe. Por Goranin e kanë sulmuar si kolaboracionist jo me kallash në dorë, por me këngën e tij në koncertin e tij famëkeq të mbajtur në Selanik kundër bombardimit nga NATO, të kasapit të Ballkanit, Millosheviç, për plojën e tmerrshme që ai kishte ndërmarrë ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Duhet të jesh i zhveshur nga çdo moral dhe ndjenjë njerëzore, duhet të mos dish çfarë do të thotë nder, nënë, grua, vajzë apo motër, të krahasosh sulmet e ultra-nacionalistëve serbë kundër këngëtares shqiptare me zërat, thirrjet kundër koncertit të Bregoviçit, të përfaqësive të 20 mijë vajzave, grave, nënave dhe motrave shqiptare të Kosovës të cilat përjetonin mynxyrën më tragjike që mund t’i bjerë një femre, përdhunimet shtazore nga falangat e

Millosheviçit ndërkohë që Bregoviç me këngën e tij protestonte me koncert në mbrojtje të regjimit mizor të shefit të përdhunuesve të tyre.

Edvin, me këtë krahasim dëshmon se në gjak, deje dhe gjithë qenien tënde je një skllav mjeran i padronit tënd Vuçiç.

Të shpallesh histerike dhe fashiste thirrjet e dhimbshme, zërat përfaqësues të dhjetëra mijëra familjarëve të viktimave të kasaphanës serbe në Kosovë kundër koncertit të Goranit të padronit tënd, sipas teje i pafajshëm sa vetë Pafajësia, ndërkohë që ai protestonte me këngën e tij, me armën e tij kundër ndërhyrjes së NATO-ë për shpëtimin e tyre nga kafshëritë primitive të serbëve me dhe pa uniformë në Kosovë, ti je një armik i egër në gjak, deje dhe gjithë qenien tënde të përçudnuar, i shqiptarëve.

Ata përfaqësues të shqiptarëve që ngritën zërin kundër koncertit të Goranit në Korçë, i cili sipas teje nuk ka asgjë serbe, nuk kundërshtuan koncertin se Bregoviç është djali i një nëne serbe.

Ata kundërshtuan koncertin si njerëz të qytetëruar sepse Goranit të padronit tënd që e sollët në Korçë për bashkim-poshtërim, genocidi i serbëve ndaj shqiptarëve në Kosovë nuk i dridhte një kordë të vetme të zërit të tij. Përkundrazi, shqetësimi i Goranit që sipas teje nuk ka asgjë antishqiptare në atë kohë, ishte fati i agresorit dhe jo i viktimës dhe kjo e tëra sepse viktima ishte e etnisë tjetër, etnisë të cilën ti e urren jo sa Gorani por sa padroni yt apo Vladani, paraardhësi i tij. Por tmerrsisht e hidhur është se edhe sot Gorani dhe avokatërit e tij llum njerëzor nuk duan t’ia dinë dhe nuk pranojnë genocidin ciklik të serbëve ndaj shqiptarëve.

Edvin, ti nderohesh me të thënë nuk je shqiptar. Ndaj po të them ti nuk je njeri!

Përveç këtyre Gorani i Vuçiçit dhe i yti, njëlloj si një ultranacionalist i verbër serb, ka fyer çdo shqiptar kur zhytet të notojë lakuriq në kënetën e ultra-nacionalistëve serbë të miteve dhe historisë.

Ai me ligësinë e tij të thellë morale përdor famën e tij si ekspert i muzikës rome por në fakt dhe përçmues i etnisë rome për të mohuar në një akt urrejtjeje etnike origjinën shqiptare të Shën Terezës.

Por, këtu po e rëndoj ndofta Bregoviçin sepse në fakt në këtë rast të dy jeni njëlloj. Nënë Terezën, nobelisten shqiptare sot Shën Terezën e ka dashur dhe nderuar mbarë njerëzimi. Por atë e kanë urryer për vdekje jo vetëm albanofobët jo shqipfolës por edhe soji i prindërve të Edvinit si dhe vet ky i fundit, i cili në një akt antishqiptar sapo erdhi si kryeministër në pushtet nuk i ndryshoi dot asaj kombësinë, por zhduku me shpejtësi nga faqja e dheut përmendoret e saj nga Sheshi Nënë Tereza në Tiranë dhe nga sheshi i Aeroportit, po me emrin e saj.

Si përfundim mund të themi edhe njëherë se politika e koncerteve duhet t’i shërbejë afrimit dhe mirëkuptimit të popujve. Por koncertet politike të këtij gushti ishin një kurth i ndyrë që padroni Vuçiç dhe argati i tij antishqiptar Zografi bis sajuan kundër shqiptarëve duke sjellë njëkohësisht për vëllazërim-poshtërim Goranin në Korçë dhe Çorbën në veri të Kosovës. Por me lojën e tyre të rrezikshme dështuan të dy si provokatorë të ulët!

1


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas