Ekzekutimi i 48-vjeçarit Kujtim Kraja, vrarë mesditën e së shtunës në afërsi të Varrezave të Dëshmorëve në Shkodër, është bërë nga dy persona, që akoma nuk janë të identifikuar. Policia tha se dyshon që krimi është bërë për hakmarrje, ndërsa Kraja ishte i afërm me Mir Koçinë edhe ky i ekzekutuar disa muaj më parë, ndërsa dyshohet se kemi të bëjmë me të njëjtën linjë krimi. Sipas informacioneve zyrtare të policisë, në vendin e ngjarjes janë gjendur e sekuestruar në cilësinë e provës materiale 30 gëzhoja model 56 kalibër 7.62 mm,7 copë gëzhoja pistolete model 54 kalibër 7.62 mm, 3 këmisha predhe dhe një bërthamë predhe e deformuar, si dhe automjeti ku është qëlluar viktima, i llojit kamion vetëshkarkues Iveko ngjyrë i bardhë me targe SH 0304 E. Viktima është ndjekur nga autorët dhe vendi i ekzekutimit është gjendur i veçuar dhe pa shumë lëvizje. Mendohet se autorët kanë lëvizur me motoçikletë dhe me këtë janë larguar pas ngjarjes, ashtu siç ka ndodhur dhe në disa vrasje të tjera të ndodhura së fundmi në qytetin e Shkodrës. Viktima Kujtim Kraja nuk ka qenë i dënuar më parë dhe më 21 janar të këtij viti gjatë një kontrolli të policisë, atij i janë gjetur në banesë 2 krehra automatiku me nga 30 cope fishekë dhe për këtë kishte nisur procedimi penal në gjendje të lirë.