Aktualitet

“Hakmarrja për Drejtësi” në Vetting, kërkon shkarkimin e gjyqtarit






               Publikuar në : 14:42 - 27/05/19 |
mapo.al

Radha për Vetting i erdhi sot gjyqtarit të Apelit në Krimet e Rënda, Dhimitër Lara. Ai është një nga gjyqtarët që dënoi me burgim të përjetshëm “Hakmarrjen për Drejtësi”, cilësuar nga Sali Berisha si banda më e rrezikshme në vend në vitet ’90.


Gjatë seancës dëgjimore për gjyqtarin, Lara u relatua se “nga 5 denoncime të publikut, KPK ka veçuar dhe ka kërkuar shpjegime nga gjyqtari për një vendim, ku Lara ka qenë pjesë e kolegjit gjykues. Dhe pikërisht KPK-ja i kërkoi shpjegim gjyqtarit Dhimitër Lara për “Hakmarrjen për Drejtësi”. Në seancë, Lara tha se “edhe nëse do kthehej pas, nuk mendonte se do bënte ndonjë ndryshim”.

Gjatë seancës u tha: “Dy shtetas, të akuzuar si pjesë e “Hakmarrjes për Drejtësi”, pretendojnë se janë dënuar padrejtësisht nga trupa e Apelit, pjesë e të cilës ka qenë edhe Lara. Denoncuesit kanë pretenduar se gjyqtari është korruptuar politikisht dhe ka probleme me aftësitë profesionale.

Nga verifikimet, konstatohet se këtë vendim ndaj Orik Shytit, Laert Shytit e të tjerë, e ka ndryshuar një tjetër trup gjykuese e Apelit. Për këtë konstatim subjektit (Dhimitër Lara) i është kërkuar shpjegim nga KPK-ja.

“Hakmarrja për Drejtësi”

Duhet thënë që në krye të herës se vëllezërit Shyti u arratisën në 1997 nga Shqipëria dhe fituan azil në vendet e BE. Në Shqipëri u zhvilluan një sërë gjyqesh dhe u dënuan në mungesë me burgim të përjetshëm (2008) për vrasjen e ish-drejtorit të Burgjeve, Bujar Kaloshi, për bombën tek VEFA, e shumë akuza të tjera.

Por në vitin 2017, kur e majta ishte në pushtet ata morën pafajësinë. Reagimet qenë të shumta, dhe kryesisht nga Sali Berisha që i ka quajtur si banda më e rrezikshme në Shqipëri. Orik e Laert Shyti janë djemtë e ish-ministrit të Brendshëm socialist, në vitin 1991, Aredin Shyti dhe gjithnjë e kanë quajtur gjyqin ndaj tyre si politik duke mos pranuar asnjë prej krimeve që akuzoheshin.


Etiketa: , , , , ,

Pas