Mapo.al
Po të ndjekësh artikulimin publik të udhëheqësve të Rilindjes këto kohët e fundit, duke nisur nga nivelet e larta drejtuese e deri tek kryeministri, do të dallosh me lehtësi se ka një distancë të madhe, galaktike, mes nevojave, shqetësimeve dhe halleve që ata kanë, me ato të njerëzve dhe qytetarëve të vendit.
Vini re se si u bënë muaj tashmë që në tehun e shpatës, skifterët dhe shqiponjat e PS, kanë Presidentin e Republikës. Edhe sot, Taulant Balla qe shprehur diku se Meta paska shkelur ligjin dhe kushtetutën.
Kjo çështja e kreut të shtetit, kishte patjetër një rëndësi jo të vogël dhe interes publik deri para 30 qershorit. Shkoi si shkoi ajo punë, rilindja mori çdo bashki, ca syresh edhe me 5 ose 6 % pjesmarrje në zgjedhje.
Fakti që Meta e anuloi datën e zgjedhjeve dhe shpalli një tjetër me motivin legjitim për shmangien e përplasjes civile, është deri diku i mjaftueshëm si arsyetim për aktin e tij, dhe prodhoi rezultat.
Konflikt nuk pati, dhe rilindja me shefin e saj thelloi kursin e kapjes dhe përqendrimit të pushtetit. Shumica e qytetarëve të vendit e kanë fare të qartë çfarë ndodhi.
Pas 30 qershorit, e çdo ditë që kalon, pakkush do t’ia dijë për kushtetueshmërinë e atij akti, për opinionin e Venecias, për teknikalitete kësodore.
Njerëzit kapluar hallesh, kanë nevoja bazike.
Pjesa më e madhe mezi mbyllin muajin, konsumi ka rënë, ekonomia ka ngrirë, s’ka investime të huaja, gjykatat janë paralizuar, gjithë punët publike i merr një grusht personash, dhe aeroporti e pikat e tjera kufitare po djersijnë çdo ditë nga fluksi i turmave që ikin.
Dhe natyrshëm, të rinjtë, burrat, gratë e vendit, në këtë udhëkryq të pashpresë, me siguri shohin me interes nëse Shqipëria po hedh një hap drejt integrimit, a po afrohet me BE-në, atje ku të gjithë po mbushin valixhet e shtyhen të shkojnë.
Paradoksi është i madh. Teksa standadet demokratike nëpërkëmben keqazi, korrupsioni shkon në nivele të larta, borxhi i fshehtë thellohet, çdo pasuri në duart e 10 vetëve, dhe spekulantë të përditshëm të medias, përfitues të kësaj ligatine, duan të na mbushin mendjen se kjo është Shqipëria që duam, prapë, megjithëqë çdo punë shkon për dreq krejt në të kundërt me vlerat europiane, jemi në pragun e një vendimi për të hapur negociatat për pranim në BE.
Para kësaj atmosfere, qeveria ka një përgjigje. Mban gjallë fantazmën e Ilir Metës që paska bërë puç kushtetues, dhe ushqen mitet e armiqve të tjerë të brendshëm e të jashtëm, si frenues e pengues të përparimit. Meta më anë tjetër, nuk i lë gjë mangut. Bën publike foto me aktorë komedie me një lakuriqësi prej jo shtetari, dhe tregon aftësitë e tij të reja të xhonglimit të topit.
Çdokush i esëllt në këtë situatë, mund të dalë e të bëjë një sondazh në rrugën ku jeton. Le të pyesë 10 vetë. Zor se i gjen 2 prej tyre që u ha meraku se ç’po bën Rama me Metën, e çfarë zbuloi sot Taulanti apo Spiropali për shkeljet e Presidentit.
Por ama, rilindjes i intereson kjo ndezulli, padyshim. Ndryshe pse e mban gjallë. Në të kundërt vemendja mediatike dhe e publikut do të ishte te kushtet që kërkon Gjermania, te britmat e vendeve si Franca për valën e azilkërkuese, apo tek kuja holandeze për krimin e drogën.
Sa më pak të flitet për urdhëresat gjermane, aq më mirë për qeverinë. Po të analizohen ato, sikur nuk ka shumë kuptim që, teksa Bundestagu kërkon ndëshkim të krimit zgjedhor, ti të mbash në krye të reformës Damianin, apo të promovosh drejtorët e kapur në vjedhje vote, apo të ruash të njëjtin drejtues politik në Durrës.
Dokumenti gjerman adreson hallet e njerëzve dhe të vendit, shumë më saktë dhe më mirë se programi i çdo qeverie këtu. Po të merresh dhe të përkushtohesh për zgjidhjen e tyre, automatikisht ke punuar për të ndalur eksodin masiv që shqetëson Francën, për të luftuar krimin e drogën që alarmon Holandën, për të zgjidhur krizën e rëndë politike, për të eleminuar korrupsionin, për të siguruar standarde, për të garantuar më në fund zgjedhje të lira e të ndershme, pra për të mbjellë shpresë në vend.
Po të merresh me dokumentin gjerman, ti punon për zgjidhjen e problemeve. Po për fat të keq nuk është ky as shqetësimi, as prioriteti i rilindjes dhe Edi Ramës.
Përparësi absolute është mbajtja me çdo kusht e pushtetit, gjetja e armiqve të brendshëm dhe të jashtëm dhe hedhja në treg e çdo miti e legjende që ushqehet mirë nga mediat nën kontroll, e gjitha kjo për të qendruar sa më larg halleve reale e konkrete të njerëzve.
Nuk është aspak metafizike, apo trill çudan, nëse një anëtar ose më shumë anëtarë të BE vendosin të bllokojnë hapjen e negociatave. Eshtë konkrete. Argumentat kryesore të skeptikëve i prodhon çdo ditë qeveria. Një qeveri si kjo e jona, që nuk ka aspak dëshirë të përballet me to, por lëshon metafora të tipit, dielli do lindë përsëri, e ç’ti bësh, ne bëmë gjithçka mundëm, po nuk na duan. Siç thotë Umberto Eko, secili të plotësojë formularin e komplotit që bëhet kundër tij.
Ndërkohë, në ditë të zymta si këto, njerëzit halleshumë do vazhdojnë të furnizohen e të ushqehen me debate shterpë e me propagandë që nuk lidhet asnjë fije me jetën e kërkesat e tyre të përditshme.