Një moment, një veprim apo mosveprim shënon fatin e një kampioni drejt suksesit apo drejt dështimit. Ka raste kur ky çast nuk është tërësisht në dorën tënde. Kështu ndodhi edhe sot në çmimin e madh të Abu Dhabis në Emiratet Arabe, ku Lewis Hamilton u shpall për të dytën herë në karrierën e tij kampion bote i Formula 1. Piloti britanik i Mercedes ka udhëhequr përgjatë gjithë kampionatit renditjen e pilotëve dhe dje në cirkuitin e Abu Dhabi, veç aftësisë dhe eksperiencës kishte në duar edhe fatin, çka i lehtësoi edhe më tej punën ndaj rivalit të skuderisë, Nico Rozberg. Gjermani veç presionit vuajti dhe disa probleme elektrike në mjetin e tij, duke humbur mjaft sekonda nga Hamilton dhe duke i lënë pikërisht anglezit kurorën e kampionit të Botës. Gara dhuroi mjaft të papritura. Hamilton edhe pse u nis në vendin e dytë, pasi Rozberg ishte në ditën e tij më të mirë dhe kjo u pa që në nisjen e garës, kur filloi dhe dhimbja e kokës për gjermanin dhe do konfirmohej dominimi anglez edhe në cirkutin arab. Kthesa e parë pas nisjes ishte vendimtare, pasi Hamilton si një rrufe në qiell të hapur prishi planet e shokut të skuadrës Rozberg, i cili nisi garën në ndjekje. Presioni i lartë dhe eksperienca më e vogël bëri që Rozberg në fund të xhiros së 22-të, të kërkojë më shumë se ç’duhet nga njëvendëshja e tij, çka solli dhe një defekt elektrik në Mercedesin e tij, duke i hapur rrugë kështu suksesit të radhës për Hamilton, që nuk bëri gjë tjetër, por numëroi me qetësi xhirot e mbetura. Në fund piloti anglez do të numëronte 384 pikë në klasifikimin e tij, ndërsa rivali Rozberg vetëm 337 pikë. Mercedes nga krahu tjetër fiton botërorin për konstruktor 59 vite pas titullit të fundit të fituar prej saj. “Më mungojnë fjalët, është një nga ditët më të bukura të jetës sime”, ishin fjalët e parë të kampionit të ri të botës, Hamilton. “Është një ditë e mrekullueshme dhe për këtë duhet të falenderoj Zotin që më dha mundësi ta jetoja, si dhe makinën që nuk më la në baltë asnjëherë”, vijoi Hamilton. Sipas anglezit, ky titull botëror ka shijuar më shumë se ai i vitit 2008. “Më duket sikur është hera e parë që fitoj kampionatin botëror të Formula 1. Ka qenë nisja më spektakolare e jetës sime dhe makina falë zotit më dha mundësi të bëja ç’të doja”, nënvizoi Hamilton, i cili merr titullin botëror pas katër sezoneve të sunduara nga Sebastian Vettel me Red Bullin. Nico Rozberg në deklaratën e tij pas përfundimit të garës u shpreh se Hamilton e meritoi botërorin. “Më vjen keq për mënyrën si rrodhën ngjarjet. Po të mos më ishte prishur makina mund të isha unë kampion i botës, por kur mendoj se Lews ka qenë në krye të klasifikimit që prej garës së parë them se ai e meriton titullin”, përfundoi Rozberg. Për kampionin e ri të botës, Hamilton kanë ardhur urime edhe nga vendlindja e tij. Kështu, kryeministri britanik, David Cameroon përmes faqes së tij në Twitter ka theksuar se sot është një ditë e madhe për sportin anglez. “Duhet të festojmë, flamuri ynë u ngjit në majën e botës falë djaloshit 29-vjeçar, Hamilton. Faleminderit Lweis”, shkruante Cameroon.
Kush është Lews Hamilton
Lews Carl Davidson Hamilton lindur më 7 janar 1985 në Stevenage të Mbretërisë së Bashkuar. Ai ka fituar dy herë titullin kampion bote, më 2008 me ‘McLaren’ dhe 2014 me ‘Mercedes’. Që prej debutimit të tij të parë më 2007 me ‘McLaren’, ai është shquar për talentin, vendosmërinë dhe agresivitetin e tij duke korrur rezultate të shkëlqyera dhe duke u radhitur ne krye të klasifikimit gjatë pjesës më të madhe të kampionatit e deri në garën e fundit. Britaniku mbart një karrierë të pasur me fitore mbi supe; nga 148 çmime të mëdha ku ka garuar ai ka fituar 33 prej tyre, dhe ka shkelur podin plot 70 herë. Hamilton është i vetmi pilot në botë që ka fituar një botëror si në Formula 2 (2006) ashtu edhe në Formula 1( 2008 dhe 2014.). Tani përballë tij hapet një sfidë e re, rikonfirmimi në krye të botës së ‘Formula 1’, një arritje kjo që do ta bashkëngjiste me emra të mëdhenj si Alonso, Vetel, Hakinen apo dhe mbreti i ‘Formula 1’, Schumacker.