Stadiumi “Arena Kombëtare” ka hapur dyert sot për herë të parë. Impianti i ndërtuar në gërmadhat e mitikut “Qemal Stafa” ka pritur dy ekipet e futbollit të femrave, Vllazninë dhe Apoloninë në një 90 minutësh që kishte edhe spektakël nga organizatorët.
Një gjë e tillë shihet edhe në këto pamje të siguruara nga MAPO, ku festivali i dritave e bën akoma dhe më elektrizuese startin e takimit.
Takimi nisi në orën 19:00, ndërsa mësohet se me kërkesë të UEFA-s u shpërndanë 10 mijë bileta për tifozët, duke vendosur edhe një rekord për një ndeshje të futbollit të femrave. Të pranishëm përveç tifozëve dhe specialistëve të Federatës Shqiptare të Futbollit, kanë qenë edhe inspektorët e UEFA-s, që kanë testuar të gjitha sistemet.
Ndeshja e luajtur sot ishte një test për stadiumin në të cilin pritet të luhet Shqipëri-Francë e vlefshme për kampionatin e futbollit EURO 2020. “Arena Kombëtare” është impianti më modern i futbollit në Shqipëri. Ai ka një kapacitet prej afro 22 mijë vendesh, ndërsa ka kushtuar 75 milion euro.