John Maynard Keynes ishte një mbështetës i vendosur i Marrëveshjes së Re të presidentit amerikan Franklin D. Roosevelt. Rruga për në një të ardhme të civilizuar, shkroi ai, kalonte përmes Uashingtonit, jo Moskës – një përgjigje e drejtpërdrejtë për ata idealistë, përfshirë disa nga studentët e tij, të cilët i besuan komunizmit.
Por Keynes nuk është se nuk kishte kritika për Rooseveltin. Në mënyrë të veçantë, ai fajësoi Rooseveltin për përzierjen e rimëkëmbjes dhe reformës. Shërimi nga rënia ishte përparësia e parë; reformat shoqërore, “madje të mençura dhe të domosdoshme”, mund të pengojnë rimëkëmbjen duke shkatërruar besimin e biznesit. Duke parandjerë debatet e sotme në lidhje me përparësitë e politikës ekonomike post-pandemike, Keynes argumentoi se renditja e duhur do të ishte çelësi i suksesit të Marrëveshjes së Re.
Këshilltarët e Rooseveltit ishin reformatorë, jo Kejnesianë dhe kishin një këndvështrim tjetër. Duke ia atribuuar Depresionin e Madh pushtetit të tepruar të korporatave, ata menduan se rruga drejt rimëkëmbjes qëndronte te ndryshimi institucional. Si rezultat, i ashtuquajturi stimul Kejnesian ishte një përbërës i vogël i Marrëveshjes së Re – trajtimi urgjent në pritje të kurave më të gjata.
Vetë Keynes vazhdimisht argumentoi se shpenzimet federale shtesë të Marrëveshjes së Re ishin të pamjaftueshme për të sjellë shërim të plotë. Paketa e përgjithshme stimuluese e Rooseveltit prej 42 miliardë dollarësh – kryesisht e shpenzuar në tri vitet e para të presidencës së tij, nga viti 1933 deri në vitin 1935 – arrinte në rreth 5-6% të PBB-së së SHBA-së në atë kohë. Keynes mendoi se kjo duhet të ishte dyfishi i kësaj.
Ekonomisti fitues i Çmimit Nobel Paul Krugman tha të njëjtën gjë për stimulin e presidentit Barack Obama në vitin 2009 prej 787 miliardë dollarësh, i cili arrinte në 5.5% të PBB-së. Në bazë të llogaritjeve të tilla, paketa e rimëkëmbjes e presidentit Joe Biden prej 1.9 trilion dollarësh, e barabartë me 9% të PBB-së aktuale, duket se është e drejtë.
Keynes e kishte fjalën për stimul fiskal. Ai ishte jashtëzakonisht skeptik ndaj stimulit monetar të provuar nga presidenti Herbert Hoover në vitin 1932 dhe presidenti Roosevelt në vitin 1933 – tani e quajtur “masë monetare jokonvencionale”, ose, më thjesht, lehtësim sasior. Atëherë, njësoj si tani, qëllimi ishte të sillte një rikuperim të çmimeve duke shtypur para.
Skema më e diskutueshme e këtyre, blerja e arit nga ana e Rooseveltit, u krijua për të kompensuar rënien e çmimeve të mallrave. Siç shpjegoi Roosevelt në një nga bisedat e tij të famshme, çmimet më të larta të derrit do të nënkuptonin paga më të larta nëpër ferma dhe fuqi më të madhe blerëse. Në fakt, blerja e arit në shkallë të gjerë nga Thesari Amerikan dhe Administrata e Financave e Rindërtimit nuk e rritën dot çmimin e derrave ose ndonjë gjë tjetër.
Reagimi i Keynes ishte i ashpër. Rritja e çmimeve është një efekt i rimëkëmbjes, jo një shkak i saj, argumentoi ai, duke shtuar se përpjekja për të rritur prodhimin duke rritur sasinë e parave ishte njësoj si “të përpiqesh të shëndoshesh duke blerë një rrip më të madh”. Programi i blerjes së arit i Roosevelt thjesht zëvendësoi grumbullimin e arit me grumbullim të monedhës. E megjithatë ekonomistët vazhdimisht rishpikin rrotën e gabuar.
Programet e lehtësimit sasior 2009-2016 mishëruan të njëjtën teori të gabuar dhe në mënyrë të ngjashme dështuan të rrisin nivelin e çmimeve.
Po kështu, Keynes kritikoi ato dispozita të Administratës Kombëtare të Rimëkëmbjes të Roosevel-it që u përpoqën të krijonin rimëkëmbjen duke forcuar pozicionin e punës. Kjo, gjithashtu, mendoi ai, ishte mënyra e gabuar: momenti për të shaluar biznesin me kosto shtesë ishte pasi rimëkëmbja të ishte e sigurt, jo më parë. Dhe ndërkohë që Keynes nuk e sfidoi kurrë premtimin e Roosevelt për të përzënë këmbyesit e parave nga tempulli, ai duhet të ketë pyetur veten se si kjo do të ndikonte në besimin e një sistemi financiar të paralizuar.
Keynes shqetësohej se përzierja e rimëkëmbjes dhe reformës po i jepte administratës Roosevelt “shumë gjëra për të menduar në të njëjtën kohë”. Ky vëzhgim duhet të shërbejë si një paralajmërim për ata që shohin në një krizë ekonomike mundësinë për të çuar para të gjitha skemat e tyre të preferuara, pavarësisht nga qëndrueshmëria kohore.
Theksi i Keynes te rëndësia e renditjes së duhur të politikave është shumë e rëndësishme sot. Por, ndërsa marrim veten nga pandemia e COVID-19, dallimi midis rimëkëmbjes dhe reformës – dhe rrjedhimisht midis politikës makro dhe mikro dhe afatshkurtër dhe afatgjatë – është një dallim më pak i qartë sesa dukej për Keynes (dhe të tjerët) në vitet 1930.
Si fillim, politika e punësimit të plotë tani është e lidhur qartë me punësueshmërinë, që nuk ishte rasti në vitet 1930. Arsyeja që kaq shumë njerëz ishin pa punë në atë kohë nuk ishte se atyre u mungonin aftësitë e kërkuara nga industria, por, përkundrazi, që kërkesa totale ishte e pamjaftueshme.
Kështu, Keynes shkroi në dhjetor 1934 se qëllimi i shpenzimeve të qeverisë për një “shumë të vogël parash” ishte që “individët dhe korporatat private të shpenzonin një shumë më të madhe”. Ajo për të cilën ata e shpenzonin këtë shumë nuk u interesonte politikëbërësve.
Por në epokën e sotme të automatizmit, asnjë qeveri nuk mund të lejojë të marrë një qëndrim të tillë ndaj qëndrueshmërisë së punësimit. Qysh në vitin 1930, në fakt, Keynes parashikoi papunësinë teknologjike si një problem që do të ishte jashtë fushës së menaxhimit të kërkesës.
Që nga ajo kohë, kërcënimi përshpejtues i tepricës së vendeve të punës ka zgjeruar atë që Keynes e quajti “axhendë” të qeverisë. Në veçanti, shteti duhet të shqetësohet për shpejtësinë e inovacionit teknologjik, zgjedhjen e teknologjive dhe shpërndarjen e fitimeve të produktivitetit që mundëson teknologjia.
Në vitet e ardhshme, politika e ndërlikuar Kejnesiane e punësimit të plotë do të duhet t’i hapë rrugë jo vetëm një garancie trajnimi, por edhe një garancie të ardhurash ndërsa karakteri i punës ndryshon dhe sasia e punës së nevojshme njerëzore bie. Punësimi i qëndrueshëm mund të jetë shumë ndryshe nga ai që tani e mendojmë si punësim i plotë.
Pastaj është edhe qëndrueshmëria mjedisore. Edhe pse Keynes e kuptonte që shteti do të duhej të merrte përsipër një ë pjesë shumë më të madhe të investimeve, kjo ishte kryesisht për të zbutur luhatjet në ciklin e biznesit, jo për të komplotuar një të ardhme ekologjike të qëndrueshme. (Konferencat për të ushqyerit e mërzisnin gjithmonë.) Ai ishte shumë liberal, ose ndoshta thjesht shumë i aftë për kohën e tij, për të besuar se agjenda e shtetit duhet të përfshinte formësimin e qëllimshëm të së ardhmes përmes projekteve të investimit dhe konsumit që ai zgjedh.
Sot, reforma ekonomike e eklipson rimëkëmbjen në një masë shumë më të madhe sesa në kohën kur Keynes bëri dallimin midis të dyve. Por mënyra sesi e ai e përcaktoi marrëdhënien është një pikënisje e qartë nga e cila të dyja mund të ndërtohen më mirë.