Aktualitet

“Hapët dyert e burgut për Dritan Dajtin”, kryetari i Gjykatës Vlorë reagon ashpër ndaj kolegëve








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 21:04 - 11/02/19 |
mapo.al

Kryetari i Gjykatës së Shkallës së Parë në Vlorë, Skënder Haluca ka reaguar ashpër ndaj kolegëve të tij që vendosën gjykim të shkurtuar për vrasësin e katër policëve, Dritan Dajti. Ai madje e cilësoi vendimin skandaloz, pasi “duke pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar, gjyqtarët i kanë hapur dyert e burgut këtij të pandehuri”.


Në një konferencë për shtyp, gjyqtari Haluca tha se kishte pritur reagimin e shoqatave të gjyqtarëve, por që sipas tij ato nuk patën kurajo. Haluca tha se i kërkonte ndjesë çdo polici të thjeshtë dhe oficerëve të policisë të cilëve u kishte kërkuar mbrojtje për vendimin skandaloz të kolegëve.


“Jam i bindur se me mua sot, bashkohen edhe pjesa dërmuese e gjyqtarëve të Shqipërisë”, tha Haluca. Ai tha se ky nuk ishte vendimi i parë i kësaj natyre dhe fajësoi kryesisht gjykatat e apelit për zbutje të dënimeve të rënda të dhëna në Shkallën e Parë.



Dy nga gjykatësit që votuan në favor të pranimit të kërkesës për gjykim të shkurtuar që rezultoi automatikisht me heqje të dënimit me burg për jetë për Dritan Dajtin, Petrit Aliaj dhe Skënder Damini janë njëkohësisht gjyqtarë të Apelit të Vlorës që ishin komanduar për këtë çështje. Ndërkohë pro votoi edhe Aleks Nikolli, gjyqtar i Apelit Shkodër. Kundër kërkesës së Dajtit kanë votuar gjykatësit Fuat Vjerdha dhe Lindita Hoxha, po nga gjykata e Apelit e Shkodrës.


Fuat Vjerdha njëkohësisht kryetar i Gjykatës së Apelit po ashtu bëri një reagim jo të zakontë, ndërsa publikoi në faqen e tij në Facebook faqen e fundit të vendimit ku është shënuar edhe mënyra se si u votua.


Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda e plotësuar me gjykatës të Apelit të Shkodrës dhe Vlorës, vendosi të premten pranimin e kërkesës për gjykim të shkurtuar të Dritan Dajtit, i dënuar më herët me katër burgime për jetë për vrasjen e katër oficerëve të policisë. Pranimi i kërkesës automatikisht zbuti dënimin në 25 vjet burg për Dajtin. Prokuroria e Krimeve të Rënda njoftoi se do të bënte rekurs.

Dritan Dajti ishte dënuar pas një procesi të stërzgjatur nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda me burgim të përjetshëm për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” ndaj punonjësve të policisë Fato Xhani, Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj, “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave me pasojë vdekjen e shtetasit Ledjon Mara dhe plagosjen e shtetasit Fatjon Shamku, “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake”, “Falsikimi i dokumentave” në bashkëpunim, “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” duke falsifikuar dhe përdorur tre dokumenta policie, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” duke mbajtur dokumente dhe shenja dalluese të Policisë së Shtetit.


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas