Hapet tenderi i rrugës Milot-Fier, e cilësuar nga qeveria si projekti më madhor. Afati kohor për dorëzimin e ofertave është deri me 28 shtator 2020.
Kohëzgjatja e kontratës koncesionare/PPP do të jetë 35 vjet. Gjatësia e rrugës është 115 kilometra, nga të cilat 53 kilometra rrugë e re dhe 62 të tjerat gjatësi që do të rehabilitohen. Kostoja llogaritet rreth 1.2 miliardë euro.
Rruga do të jetë me pagesë, teksa për të gjithë gjatësinë e saj prej 115 kilometrash tarifa shkon afro 8.6 euro. Gjatë fjalës së saj në Kuvendin e Shqipërisë, ministrja Balluku sqaroi se për ata që nuk duan të paguajnë apo nuk kanë mundësi do të ketë rrugë alternative pa pagesë, që do të ndërtohet nga kompania që do të fitojë garën.
“Kjo autostradë do të kushtojë 7.5 euro për 100 km, asnjë lekë më shumë. Autostradat me pagesë janë autostrada europiane të shpejtësisë. Ne përveç rrugëve europiane, ndryshe nga ju do të bëjmë rrugët dytësore të detyruara. Është detyrim i cdo garuesi që të ofertojë për rrugët dytësore që do i bëjë në këtë koston e përgjithshme. Sepse çdo qytetar do të ketë të zgjedhë rrugën me pagesë me shpejtësi nga 90-130 km, ose rrugën pa pagesë një superstradë të mirëfilltë me parametra europianë”, tha Balluku nga foltorja e Kuvendit.
Ministrja Belinda Balluku nga foltorja e Kuvendit, iu përgjigj akuzave të opozitës për projektin.
“Javën e fundit, 7 ditë të tëra kam dëgjuar me shumë vëmendje vrerin e hedhur në media për projektin më të madh, të korridorit blu, Milot-Fier, kam pritur 7 ditë për të ardhur në këtë foltore. Unë i përgjigjem Murrizit, Rudina Hajdarit dhe të tjerëve këtu, jo atyre që nuk i zë gjumi natën, pra nuk i përgjigjem lukunisë, apo zëdhënësave të qametit. Do ta nis nga e para. E kam ndaluar unë hedhjen e dokumenteve në APP, sepse pak minuta pas lancimit të këtij projekti ju u turrët për të vjedhë zift. U kërkova ekspertëve të ndalonin, kërkova mirëkuptimin e kryeministrit dhe dëgjuam me vëmendje deklaratat tuaja dhe morëm dhe analizuam se mos ndoshta kishit ndonjë fije të vërtetë, apo ndonjë numër që na paska shpëtuar ne apo ekspertëve ndërkombëtarë. Hill International, Dellotite, këta janë ekspertët tanë që po punojnë për ne, po kush janë ekspertët e qametit që thonë se projekti është i fryrë?
Kjo rrugë kushton 1 miliard e 118 milionë euro, do të vijë nga investitori privat përmes një gare ndërkombëtare për të ardhur me investimin më të madh dhe çmimin pagesën e rrugës më të ulët. Ua thashë përgjigjen edhe pse ju nuk meritoni asnjë përgjigje. Kush jeni ju që abuzoni me çmimet, gjithcka në këtë republikë duhet ta zgjidhim në gjykatë? 17.5 euro udhëtimi? Kush jeni ju që e nxirrni këtë çmim? Sa ka kushtuar një km në Rrugën e Kombit, 13 mln euro. Kontrata nga e lidhura është mbyllur me 65% të vlerës në shkelje” tha ajo.
Në fund Balluku kishte edhe një këshillë për opozitën. “Nuk arrij të kuptoj si nuk arrini të punoni për programin tuaj? Do të dalim të garojmë? Nxorët një taksë të sheshtë ua hodhi Ilir Beqja me një të rënë të lapsit. Ju jeni të paditur, disave nuk u plotësua ndonjë tekë për marrjen në punë të gruas…Por kur të kaloni në atë rrugë do të thoni e paskan qarë. Ju që kishit ministrinë e Transportit për 12 vite. Edi Rama e ka pasur vetëm 3 vite, nuk janë bërë akoma në shtator do të bëhen”, përfundoi Balluku.
Por Partia Demokratike akuzon se vjedhja është 1.2 miliardë euro me koncesionin Milot-Fier. Dorian Teliti, drejtor i kabinetit të kryetarit të PD-së, tha se kostoja është 20 milionë euro për kilometër për rrugë dhe autostrada ekzistuese.
LEXO EDHE:
1.2 mld € për Milot-Fier, Dorian Teliti: Vjedhje skandaloze dhe e papranueshme