Kryetari i PD, Lulzim Basha komentoi hapjen e dyerve të bashkive me dhunë nga funksionarët e PS. Lideri i opozitës tha se kjo krijon një precedent të rrezikshëm për vendin. Sipas tij, socialistët po futen në bashkitë që nuk i kanë fituar me zgjedhje, duke shtuar se të njëjtën gjë mund të bëjë edhe populli duke u futur në Kryeministri dhe institucione të tjera gjithashtu dhunshëm.
“Zaptimi me dhunë i pushtetit vendor po e fut vendin në një spirale jashtëzakonisht të rrezikshme për stabilitetin dhe sigurinë e vendit. Zgjidhja do të vijë ose mes normave dhe parimeve evropiane, ose vendi do të futet në një cilël të rrezikshëm, me precedentin që ka vënë Rama, duke u futur në bashkitë që nuk i ka fituar me zgjedhje.
“Kush do ta pengojë nesër popullin të hyjë në kryeministri, ministri, hipotekë, tatime, dogana? Dhuna shtetërore është përshkallëzimi më i rrezikshëm, dhe kapja me dhunë e pushtetit vendor hedh në erë cdo shtyllë të mbetur të demokracisë”, tha Basha.