Partia Demokratike ka publikuar dje një dokument, ku pretendon se nga verifikimi i provave ka dalë që në qarkun e Beratit 19 persona kanë votuar 51 herë. Gjithashtu, të dhëna nga opozita kanë dalë dhe për Gjirokastrën, ku sipas saj rezulton se të dhënat biometrike të 14 personave janë përdorur 74 herë. Në qarkun e Beratit, LSI e humbi mandatin për vetëm 77 vota
Partia Demokratike ka publikuar dje një dokument ku pretendon se akuzat për parregullsitë e procesit zgjedhor janë faktuar. Dokumenti pasqyron raste kur persona të ndryshëm në qarkun e Beratit rezulton të kenë votuar dy ose më shumë herë. Nga rishikimi i materialeve zgjedhore në disa kuti, rezulton se 19 persona kanë votuar plot 51 herë. E ndërsa akuzon KAS-in për njëanshmëri, PD shprehet se diferenca për mandatin e pestë të PS-së dhe LSI-së është vetëm 77 vota.
“Kryqëzimi i të dhënave të shenjave të gishtave ka faktuar votimin e parregullt në qarkun e Beratit. 19 persona kanë votuar 51 herë, mes të cilëve 2 persona kanë votuar 2 herë. Kjo e dhënë është shumë e rëndësishme, sepse verifikon që persona të ndryshëm kanë mashtruar duke votuar në emrin e personave të tjerë”, thuhet në një deklaratë zyrtare të PD.
Provat
Po përfaqësuesi i PD në KAS Marash Logu, me anë të një statusi në rrjetet sociale ka shkuar dhe më tej, duke i shtuar qarkut të Beratit si provë dhe qarkun e Gjirokastrës, ku rezulton se të dhënat biometrike të 14 personave, janë përdorur për identifikimin e 74 zgjedhësve. Dhe jo vetëm kaq, por nga hetimi ka rezultuar se një prej numëruesve të PS-së në këtë qark, ka qenë në kundërshtim me ligjin pasi ka hyrë pas vendosjes së karantinës për emigrantët nga Greqia, vendim që u mor nga Këshilli i Ekspertëve për pandeminë. “Në foton e parë kemi të dhënat e kryqëzuara të pajisjeve PEI për qarkun Gjirokastër. Aty rezulton se shenjat e gishtërinjve të 14 personave janë përdorur për identifikimin e 74 zgjedhësve.
E thënë ndryshe, potencialisht 14 persona kanë votuar 74 herë ose mesatarisht 5 herë/secili. Në foton e dytë kemi të dhënat e kryqëzuara të pajisjeve PEI për qarkun Berat, nga ku rezulton se shenjat e gishtërinjve të 21 personave janë përdorur për identifikimin e 57 zgjedhësve ose 21 persona kanë votuar 57 herë, ose rreth 3 herë/secili. Në foton e tretë kemi vendimin e KZAZ Nr. 82, qarku Gjirokastër për emërimin e anëtarëve të Grupit të Numërimit Nr. 4. Numërues i parë është shtetasi Thanos Andrea Karameno (PS).
Ky shtetas rezulton se është futur në Shqipëri nga Greqia, pas datës 19 prill kur u vendos karantinimi 2-javor i personave që vinin nga Greqia dhe Maqedonia. Vetëm me tre prova të thjeshta, faktohen mbi 100 shkelje flagrante të ligjit. Merreni me mend se sa shkelje të rënda do të zbardheshin, nëse KAS-i nuk do të sillej si shërbëtor i Edi Ramës dy herë radhazi, por do të pranonte 19 kërkesat tona për marrje provash. Sepse ata e dinë që po i morën provat, do të faktohet para të gjithë shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë masakra zgjedhore e 25 prillit”, thotë Logu në statusin e tij.
Pretendimet
Në lidhje me këtë çështje ka reaguar dhe kandidati i LSI-së në Korçë Endrit Brahimllari. Sipas tij, hapja e kutive të Beratit provoi masakrën elektorale të 25 prillit, ndërkohë që hedh akuza dhe për KQZ. “Nga hapja e kutive, u pa qartë se ka më shumë fletë votimi sesa vetë numri i votuesve. Pra, qartazi kutitë janë mbushur duke përdorur çdo strukturë në funksion të qeverisë. Këto manipulime, vërtetojnë qartazi se në procesin e 25 prillit, Rilindja jo vetëm deformoi vullnetin e qytetarëve por dhe i vodhi zgjedhjet duke ndërhyrë drejtpërdrejt në kuti.
Lëvizja Socialiste për Integrim do të bëjë publike, fakte të tjera se si ky proces është manipuluar përpara ditës së votimit, ekzekutuar gjatë procesit të votimit dhe ka vazhduar hapur në KQZ. KQZ ka futur sot duart në kutitë e materialeve zgjedhore. Ka futur nga jashtë materiale që nuk janë në kutinë e materialeve zgjedhore. Raporti i pajisjes elektronike i konfirmuar edhe nga numëruesit socialistë në Berat, njëkohësisht edhe nga hapja e kutive nuk ndodhej në kutitë e materialeve zgjedhore por është futur dorazi nga jashtë nga ana e administratës së KQZ duke kompromentuar të gjithë procesin”, shprehet Brahimllari.