Aktualitet

Hapja e Negociatave – Rama: Kushtet e BE-së “shto ujë, shto miell”














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:00 - 07/05/21 |
mapo.al

Kryeministri i Shqipërisë ka përdorur gjuhë kritike ndaj kushteve të vëna nga Bashkimi Europian për Shqipërinë në lidhje me hapjen e negociatave. Sipas tij, Shqipëria nuk është gati për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, por shtyrja e negociatave është e pakuptimtë. Shqipërisë ka që në vitin 2018 që i shtyhet hapja e negociatave të anëtarësimit, ku si kusht kryesor ka qenë zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, të cilat janë kritikuar disa herë rresht gjatë qeverisjes Rama.






Kryeministri Edi Rama, ka folur me gjuhë kritike ndaj Bashkimit Europian në lidhje me kushtet që i kanë vendosur vit pas viti Shqipërisë, në lidhje me hapjen e negociatave. Sipas tij, ato janë tejet të ekzagjeruara duke ironizuar me shprehjen “shto ujë, shto miell”. Këto komente kryeministri i bëri në konferencën vjetore në “State of the Union”, në Firence të Italisë, ku u fol në lidhje me anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Edhe në këtë mbledhje kryesocialisti nuk i kurseu batutat. Ai tha me humor, se euro-optimistët thonë se Turqia do të bëhet anëtare në BE në presidencën shqiptare, ndërsa euro-pesimistët thonë që Shqipëria do të bëhet anëtare në presidencën e Turqisë.


Deklarata







Ndër të tjera, Rama tha se fjala anëtarësim është një fjalë e madhe dhe shtoi se Shqipëria sipas tij në këto momente nuk është gati për anëtarësimin, por nënvizoi se nuk e kupton se përse negociatat nuk po hapen, por po shtyhen vazhdimisht. “E dini? Me gjithë atë që po përjetojmë ka një shaka të freskët për optimizmin në Shqipëri. Euro-optimistët thonë tashmë që Turqia do të bëhet anëtare në BE në presidencën shqiptare, ndërkohë që euro-pesimistët thonë që Shqipëria do të bëhet anëtare në presidencën turke. Unë mendoj që anëtarësimi është një fjalë e madhe. Nëse do të më pyesnit sot që a është Shqipëria gati për të qenë në BE?



Unë do të thoja jo, nuk është gati. Por nuk kuptoj shtyrjen e çeljes së negociatave, që prej vitit 2018. Kur bëhet fjalë për të afruar një anëtar të ri, kjo do të kërkojë kohë. Në mënyrë që të mbash vendet në këtë pozicion, e thonë jo, e për të shtuar ujë e miell, duhet bërë kjo, e kjo tjetra, kjo nuk ka kuptim. Kjo gjëja e Maqedonisë së Veriut dhe hapja e kutisë së Pandorës, kjo mund të shndërrohet në një shpërthim të madh për të gjithë. Imagjinoni që Serbia të jetë aty dhe Kroacia të thotë të shohim njëherë historinë, e pastaj. Duhet të shmangim historinë e të mos vendosim në procesin e BE”, u shpreh Rama.



Zgjedhjet

Në fakt, nuk është krejt ashtu siç pretendon kryeministri. Fokusi kryesor që prej vitit 2018 kanë qenë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, por edhe reduktimi i kërkesave për azil nga shqiptarët, pavarësisht rekomandimeve të Komisionit Europian për çelje negociatash. Në shtatorin e vitit 2019, pa u mbushur as tre muaj nga zgjedhjet lokale, ku PS hyri e vetme, konferenca ndërqeveritare refuzoi hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo bëri që kryeministri i Maqedonisë së Veriut ta çonte vendin në zgjedhje të parakohshme, gjë që nuk u reflektua te Shqipëria. Edhe në marsin e 2020-ës Shqipërisë iu rekomandua hapja e negociatave nga KE, por sërish Parlamenti Europian e shtyu këtë pas zhvillimit të zgjedhjeve. Në këtë proces u investua shumë dhe Gjermania.

Lexo edhe :  Gongu s'e lë të mbarojë fjalën, Rama i kthehet Nikollës: Lëre, kujt po ia bën

Duke anashkaluar kushtet e tjera, në fokus u vu reformimi i Kodit Zgjedhor, dhe mundësia e mbledhjes së konferencës ndërqeveritare në dhjetor të 2020. Madje kjo ishte dhe arsyeja pse opozita ra dakord të bashkëpunojë për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Por shkelja e marrëveshjes së 5 qershorit nga ana e mazhorancës dhe miratimi i ndryshimeve kushtetuese e shtyu atë për mbas zgjedhjeve. Nën dritën e fakteve të reja, me zgjedhje të mbushura me akuza për manipulime nuk dihet tashmë se çfarë qëndrimi do mbajë Parlamenti Europian. Sidoqoftë, raporti paraprak i OSBE/ODIHR i publikuar më datë 26 prill linte pak hapësira të shpresoje.

Rama: Turqia, pjesë e rëndësishme e sigurisë së BE

Gjatë vizitës në Itali kryeministri Edi Rama ka komentuar marrëdhëniet me Turqinë dhe perspektivën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Rama deklaroi në një intervistë se Europa ka nevojë për Ballkanin ashtu si Ballkani ka nevojë të anëtarësohet në Europë, duke theksuar se ka disa aktorë që duan të bëjnë avokatin e së kundërtës. Ndalur te roli i Turqisë, Rama e cilësoi thelbësor për sigurinë në Bashkimin Europian, ndërsa shtoi se pavarësisht raporteve të mira mes dy vendeve, presidenti Erdogan nuk ka ndikim në Shqipëri.

Investimet turke në vendin tonë, Rama i paralelizoi me ato të vendeve të BE apo donatorëve të tjerë, ndërsa u ndal edhe te ndërtimi i xhamisë së madhe në Tiranë. “Mendoj që nga njëra anë për ne është e mundimshme ta bësh të qartë sepse ka opinione të ndryshme që vijnë nga jashtë lidhur me mënyrën si t’i qasemi Europës. Për ne Europa nuk është alternativë, por vendi që ka të njëjtin vlerë sot kur etërit e parafytyruan. Ndoshta jemi naivë apo si ata që para se të martohen janë entuziastë për të dhe nuk duan të dëgjojnë përvojat alternative të martesave. Ne nuk shohim asnjë aktor apo faktor kundrejt Europës.

Për ne kjo është mundësia për ta bërë Shqipëri një vend europian. Besoj dhe kjo është pikëpamja e përulur e kryeministrit të Shqipërisë së vogël por kam një mendim të fortë se Europa ka nevojë për Ballkanin po aq sa Ballkani ka nevojë për BE. Disa aktorë bëjnë avokatin e së kundërtës. Unë nuk e kam të qartë si mund të vihet në diskutim kjo gjë. Ne rrethohemi nga Europa. Të kesh këtë hapësirë fqinjësie të paintegruar dhe ta lësh gri ku të tjerë aktorë mund të hyjnë. Alternativa e integrimit tonë është shumë më e realizueshme se të lësh hapësirë. Turqia është themelore për sigurinë e BE dhe për këtë nuk ka dyshim”, -tha Rama.

1


Etiketa: , , ,

Pas