Hapjet e partive janë çështje stili, norme dhe sjellje e lidershipit, janë filozofi dhe koncept. Ato tregojnë edhe gjendjen e brendshme të forcave politike. Ato janë ose shumë amorfe, janë monolite dhe të organizuara në mënyrë militariste, ose janë të pasura me profile të ndryshme, me karaktere e divergjenca.
Në këtë kuptim, Partia Demokratike ka lindur për të qenë deri diku e hapur. Është e pamundur ta mbyllësh këtë organizatë për shkak të humusit ku është mbrujtur. Sepse ajo lindi si krijesë e lirisë, si e kundërta e sistemit monopartiak, si alternativa e autoritarizmit.
Pra, një parti është e hapur ose e mbyllur për nga mënyra se si drejtohet, më shumë se sa nga ndryshimet që mund të bëhen në sisteme, Kod apo Kushtetutë.
Me procesin që ka nisur prej javësh ku është përfshirë anëtarësia me propozimet e veta për figurat përfaqësuese në betejat elektorale, me vijimin në fazën e dytë me selektimin e këtyre emrave nga një komision me personalitete që nuk janë e nuk kanë qenë asnjë ditë nën hyqmin e kryetarit, PD ka kryer një lëvizje të pamohueshme, të painjorueshme.
Nga ana tjetër, për paradoks, në emër të hapjes së listave Edi Rama ndërmori ndryshime të njëanshme kushtetuese duke prishur paktin për zgjedhjet e duke dërrmuar frymën e mirë politike që ishte vendosur, dhe teksa propagandon se ai qenkësh promotor i kësaj ideje, çdo ditë e më shumë ai po e mbyll partinë e tij, forcën që drejton.
Sepse çdo ditë e më shumë lidershipi, elita e PS zhvendoset e distancohet nga anëtarësia, dhe vendimet merren nga një njeri, i vetmi njeri, i pagabueshmi kryetar.
Kritikët gjithnjë e më në hije, dhe servilët gjithnjë e më të dukshëm e më të shpërblyer.
Duke e hapur partinë ndaj anëtarësisë, e hap edhe ndaj njerëzve, ndaj shoqërisë. Duke e shtrirë dhe decentralizuar vendimmarrjen, e demokratizon atë.
Në të kundërt, mund të bësh çdo ditë propagandë për lista të hapura, por nëse ata që ngelen dhe peshojnë, ata që kanë vlerë janë vetëm ca taulantë e ca elisa, atëherë nuk ka ndryshim sistemi që i bën derman një partie të bunkerizuar.