Nga Halil Matoshi
Kur Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, në fund të dhjetorit 2018, tha në ceremoninë e zyrtarizimit të mandatimit të FSK-së për mbrojtjen e vendit, se Kosova po vjen në paqe dhe ushtria e saj është e rreshtuar me ushtritë e paqes, ai po e bënte historinë, jo vetëm për faktin se ai personalisht mori bekimin e aleatëve strategjikë (gjatë takimit të shtatorit 2018 në Washington me Sekretarin e Mbrojtjes Mattis), por edhe për faktin se armiqësisë së hapur të shtetit serb i dëshmoi për kahun progresiv të historisë.
Kësaj armiqësie, kryeministri Haradinaj ia përballi edhe tarifën 100%, e cila riktheu dinjitetin qytetar dhe nacional e institucional të njerëzve në Kosovë.
Së fundi, Presidenti Trump tha për veten se është njeri i tarifave, duke folur për taksat në mallrat e Kinës etj.
Nga taksa 100% e Kosovës në mallrat e Serbisë dhe Bosnjës, përfiton edhe ekonomia amerikane, e cila nga 3 milionë euro eksportin në Kosovë në nëntor – dhjetor 2018 e ka ngritur në 7.66 milionë €.
Pos SHBA-së nga ‘Taksa Haradinaj’ kanë përfituar edhe tetë shtete të BE-së dhe veçanërisht Shqipëria dhe Maqedonia, e para nga 10.8 milionë euro e ka rritur eksportin në Kosovë në 17: 96 milionë €, ose 44.5 %, kurse e dyta, nga 12.6 milionë € në 17.48 milionë €.
Armiqësia e hapur dhe agresioni diplomatik i Serbisë me synim zhbërjen e entitetit juridik-politik, si subjekt i të drejtës ndërkombëtare, nga brenda (persekutimi i pjesëtarëve serbë dhe të pakicave të FSK nga milicia sekrete, BIA) dhe nga jashtë, propaganda e rrezikshme kundër të drejtës së Kosovës shtet, joshja apo korruptimi si dhe shantazhimi i shteteve të vogla dhe jo aq të informuara me proceset në Ballkanin Perëndimor dhe Kosovë, po vazhdon nga kreu serb.
Përderisa Ministri i jashtëm i Serbisë, zëdhënësi i Millosevicit, Ivica Daćič krekoset sa herë i vjen rasti se “po ia shkurton” Kosovës njohjet ndërkombëtare, një tjetër zyrtar i lartë thotë se shteti kosovar nuk ka të ardhme e një tjetër “këmishëzi” kërcënon hapur Kosovën me invadim ushtarak dhe përderisa barrierat jotarifore të shtetit serb (që nuk e njeh origjinën nominale të mallrave të Republikës së Kosovës) janë konstante për prodhimet kosovare, tarifa nuk do të hiqet.
Prandaj taksa do të thotë rreth 500 milionë euro në vit më pak për Serbinë, për blerje avionësh luftarakë rus dhe prodhim armësh, të cilat ministri Vulin mësyn t’i përdorë me ushtrinë e tij kundër Kosovës. Taksa është një nga atutë qenësore për ta forcuar pozitën e pales kosovare në dialog me Serbinë, në një dialog thelbësor dhe jo sa për fotografim që i vlen Serbisë për të përparuar në hapje kapitujsh me BE-në.
Dhe nëse Serbia vazhdon të thotë se kurrë nuk do ta njohë Kosovën edhe Prishtina zyrtare e ka po këtë përgjigje për taksën.
Madje mund të ndodhë që kundërmasa, mund të shndërrohet në embargo të plotë.
Dialogu bëhet për njohja – jo për kufij e territore sepse Kosova e 17 Shkurtit nuk negociohet me askënd nga jashtë, pos që i nënshtrohet vullnetit të sovranit.
Në raportet normative ndërmjet shteteve nuk ekziston ndonjë rast kur një shtet e rinegocion statusin e vet politik në shkallë pavarësie dhe sovranitetin tokësor kushtetues, kurse “zgjidhjet kreative” e “të guximshme” hyjnë në korpusin e doktrinës jonormative dhe për rastin kosovar, të rrezikshme.
Së këndejmi kryeministri Haradinaj u ka shkruar homologëve të tij botëror një letër sqaruese, që rithekson faktin se dialogu nuk po zhvillohet për statusin e Kosovës, (Serbia idenë se po bisedon me Kosovën për statusin e saj, po ua shet vendeve të treta në lobim për çnjohje), por për normalizim e njohje reciproke, sepse statusin e vet politik, Kosova e ka mbyllur më 17 shkurt 2008. Kosova ka arritur pavarësinë e vet kombëtare jo me vullnetin e Serbisë, por kundër këtij vullneti, prandaj të drejtën e Kosovës askush nuk mundet t’ia nënshtrojë kurrë më vullnetit të Serbisë.
Arritja e një Marrëveshjeje Përfundimtare, ligjërisht obligative, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të ishte përmbyllje e konfliktit një shekullor – pajtim për paqen e përhershme – dhe balancim i dinjitetit të dy popujve.
Tarifa ndaj mallrave të Serbisë nuk e afekton miqësinë e përjetshme me Amerikën, prandaj frika se taksa ndikon që të prishen marrëdhëniet me të është joracionale. Marrëdhëniet me SHBA-në do të lëndoheshin në rast se Kosova heq dorë nga vlerat Perëndimore dhe përshtatet në polet e “Boshtit të së keqes” (George W. Bush) në orientimin e vet afatgjatë strategjik.
Kjo nuk do të ndodhë kurrë.
Duke qenë se ambasadorja amerikane në OKB ka thënë se marrëdhëniet me Rusinë nuk kanë mundësi të përmirësohet dhe se administrata Trump ka më shumë kundërshtime me Rusinë se të gjitha administratat amerikane që nga Ronald Reagan.
Fakti se Nikki Haley shpërtheu në një nga mbledhjet e OKB-së me deklaratë se “Rusia kurrë nuk do të jetë mike e SHBA-së. Moska mund të provojë të sillet si çdo shtet tjetër por SHBA-ja do t’i flakë sa herë që të ketë nevojë” është dëshmi e mjaftueshme se Prishtina është shndërruar në “Trekëndësh të Bermudeve” në rrugën e globalizimit të Fake News dhe kërcënimeve hibride, kundër rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Derisa zyra e “milicisë sekrete” dhe kundërzbulimit rus i është rrasur te hundët Kosovës, si projekt anglo-amerikan, (baza e Nishit vetëm 96 km. larg Prishtinës), jo vetëm që mbrojtja e vetes përballë agresionit diplomatik të Serbisë bëhet e ligjshme dhe mision i lartë shtetëror, është njëherësh mbrojtja më e mirë e vlerave Perëndimore dhe të SHBA-ve, gjë që Prishtina zyrtare po e bën sot me ngulm, me vendimet e saj sovrane, siç janë ato për taksën dhe ushtrinë.
Taksa 100% është normë dhe çështje bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është ndërmarrë duke e zbërthyer masën mbrojtëse që buron nga Neni 18 të CEFTA– s për sigurinë kombëtare. Në kontekst të ndonjë konference ndërkombëtare, pos të drejtës së vet, Kosova tani i ka edhe aksionet e saj në tavolinë, si balancim i frikës.
Autori është këshilltar politik i kryeministrit Ramush Haradinaj