Emërimet në shërbimin e jashtëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme kanë futur dje në debat mazhorancën dhe opozitën në komisionin Parlamentar të Integrimit. I pranishëm në këtë mbledhje, ministri i Jashtëm Haxhinasto është përpjekur të sqarojë situatën në shërbimin e jashtëm si dhe rolin që luan ky dikaster në procesin e integrimit, duke vlerësuar se janë zhvilluar 16 takime me homologët europianë për këtë çështje. Gjithashtu ai ka bërë të ditur faktin se ministria që ai drejton ka hartuar një projektligj për shërbimin me jashtë, nëpërmjet të cilit do synohet t’i jepet zgjidhje të gjitha problemeve që janë hasur deri më sot sidomos përsa i përket emërimeve. Por pikërisht kjo çështje ka hapur një debat me përfaqësuesit e opozitës, të cilët kanë bërë akuza të drejtpërdrejta ndaj homologëve të tyre demokratë për nepotizëm në emërimet në shërbimin e jashtëm si dhe në stafin e Ministrisë së Jashtme.
Komisioni
Mbledhja ka nisur me një prezantim nga ana e Haxhinastos të gjendjes në të cilën gjendet shërbimi diplomatik shqiptar, duke vlerësuar rolin e përfaqësive tona nëpër botë, si në kuadër të integrimit, ashtu edhe në procesin e njohjes së shtetit të Kosovës. Duke njohur edhe problematikat që hasen në punën e përditshme, ministri ka vlerësuar rolin që ka luajtur diplomacia shqiptare në 13 njohjet e fundit të shtetit të Kosovës, ndërsa ka bërë të ditur në të njëjtën kohë se ministria që ai drejton ka përgatitur një projektligj të ri për shërbimin e jashtëm, i cili, sipas tij, do mundë të zgjidhë ato probleme dhe ta bëjë më fleksibël këtë shërbim. “Në ligjin që do të paraqesim, do të ketë patjetër amendime, do të ketë përmirësime për të gjitha ato çështje që kanë përbërë problem, midis të cilave rekrutimi, midis të cilave sistemi i gradave dhe karrierës, midis të cilave trajtimi i diplomatëve dhe metoda që forcojnë asetet tona edhe fizike të trupit diplomatik, sepse janë përqindje të larta që paguhen për qiratë dhe nuk kapitalizohen për prona të shtetit shqiptar”, – tha Haxhinasto.
Debati
Por menjëherë pas prezantimit të një raporti përmbledhës për punën e kësaj ministrie nga ana e Haxhinastos, mbledhje ka kaluar në një debat mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës. Duke marrë shkas nga deklarata e Haxhinastos, deputetët e opozitës kanë ngritur një sërë shqetësimesh si për emërimet e bllokuara në një sërë ambasadash të rëndësishme, ashtu edhe për atë që ata e kanë quajtur si emërimet nepotike në shërbimin me jashtë. “Ministria është kthyer në një qoshe për fëmijët e mamit, babit dhe për farefisninë e atyre që janë në pushtet”, – tha Bello. Kjo ka sjellë reagimin e menjëhershëm dhe deri diku agresiv edhe të përfaqësuesve të shumicës, të cilët i kanë quajtur qëndrimet e opozitës anti-integrim dhe antishqiptare. “Më vjen keq që debati juaj mbetet te ca emra që kanë lidhje apo jo me ca persona të caktuar. Ata kanë të gjithë të drejtën që në bazë të shkollimit që kanë të marrin pjesë edhe në shërbimin e jashtëm”, – tha Haxhinasto. Por ky shpjegim nuk ka bindur përfaqësuesit e opozitës, të cilët nuk kanë ngurruar të sjellin në tavolinë dhe raste konkrete të emërimeve nepotike, duke kërkuar shpjegim për emërimin e dhëndrit të kryeparlamentares Topalli, vajzës së deputetes Rajmonda Bulku etj.. “Edhe që vajza jote është emëruar në konsullatën e Selanikut, është konflikt interesi dhe s’duhet të flasësh fare”, – tha deputeti Tauland Balla. Gjithashtu, përveç këtij debati, të dyja palët kanë bërë përgjegjëse njëra-tjetrën edhe për dështimin e Shqipërisë në procesin e integrimit, ku mazhoranca ka sjellë në vëmendje demonstratën e 21 Janarit, bllokimin e rrugëve e bojkotin, si shkak për këtë, ndërsa opozita ka këmbëngulur se kjo barrë bie mbi qeverinë e cila nuk ka përmbushur kriteret. Jashtë debatit nuk ka mbetur as çështja e zgjedhjes së Presidentit, e cila për ministrin e Haxhinasto nuk është vënë si kusht nga BE.
Debati i plotë në Komisionin e Jashtëm
Marko Bello: Personalisht kam përshtypjen se MPJ sot është kthyer në një OJF, sepse është zbehur roli dhe aktiviteti i saj, pasi ka dështuar në një sërë objektivash siç është dhe integrimi. Ministria ka hyrë në një ngërç dhe kjo për shkak të nepotizmit dhe lidhjeve farefisnore. Ministria është kthyer në një qoshe për fëmijët e mamit, babit dhe për farefisninë e atyre që janë në pushtet. Fakti që gati 30% e stafit e ministrisë përbëhet nga të tillë prurje, e kthen këtë ministri në një qoshe të rehatshme të pushtetit. Gjithashtu duket sikur jeni dubluar nga Ministria e Integrimit. Zoti ministër, si ka mundësi që një ambasadë si ajo në Londër nuk kanë ende ambasador? Keni fol për një ligj të ri për shërbimin e jashtëm, nuk e di çfarë keni parasysh, keni parasysh të konsolidoni pikërisht këto emërime nepotike jashtë çdo kriteri apo kërkoni të bëni një ligj të ri për të përmirësuar punën?
Sherefedin Shehu: Sa për mua, do ishte më mirë që Ministria e Integrimit të ishte pjesë apo drejtori e Ministrisë së Jashtme, por ne këtë sistem zgjodhëm dhe kjo nuk ka asgjë, pasi dihet që Ministria e Jashtme është institucioni kryesor në këtë drejtim.
Haxhinasto: Kam një zhgënjim për mënyrën dhe çështjet ë ngritura nga z.Bello, që më lejoni t’u them, gjithashtu tregon se koncepti juaj për integrimin europian është shumë jashtë mode, shumë i vjetër, shumë jo koherent me atë çka kërkohet nga ne. Nëqoftëse ju prisni që MPJ të fusë opozitën në Parlament, nëse prisni që MPJ të ndalojë opozitën nga përdorimi i dhunës më 21 Janar, të ndalojë djegien e gomave dhe ta fusë atë në veprim normal konstruktiv në Parlament, nuk e bëjmë dot. Këto janë shkaqet për këtë situatë. Absolutisht nuk ekzistojnë shifra të tilla që paraqisni ju. E kam dëgjuar edhe herë të tjera dhe më vjen shumë keq. Njëherë filluat duke thënë se ka 30 diplomatë, pastaj me përqindje rreth 80 pa kriter, mendoj se nuk i shërben aspak rritjes së cilësisë dhe vlerave të diplomacisë, që është pasuri kombëtare dhe jo vetëm e mazhorancës.
Tauland Balla: Një deklaratë të Presidencës daneze që është ajo e ministrit për çështjet europiane, i cili thotë se vendimi i Gjykatës së Lartë e zhgënjeu BE-në. Nuk e kuptoj se çfarë ka qeveria jonë që s’ka bërë një vizitë zyrtare në Rumani, vetëm një vizitë zyrtare ka Kryeministri në vendet anëtare të BE-së. Nuk është hamendësim, por është realitet, unë kam këtu të gjitha lidhjet nepotike në MPJ. Thatë se do legalizoni ndërtimet pa leje në ministri me një ligj, por dua t’iu kujtoj se ai ligj s’mund të kalojë, sepse 17 deputetë kanë konflikt interesi, pasi kanë vajzën, djalin, dhëndrin në diplomaci të emëruar jashtë çdo rregulloreje. Më shpjego kriterin me të cilin është pranuar në shërbimin diplomatik dhëndri i Jozefina Topallit?
Rajmonda Bulku: Të masakrosh politikën e vendit tënd duke arritur deri aty sa të vrasësh dhe njerëzit e tu për të penguar.
Balla: Ju i vratë.
Bulku: I vret ai që i nxjerr, i vratë ju. Kjo është politika më e keqe dhe më e egër që ka bërë një opozitë për vendin e vet. Nëse ka fëmijë që punojnë dhe që kanë diploma dhe eksperienca të vyera në botë, ne jemi të kënaqur që punojnë…
Balla: Je në konflikt të pastër interesi.
Bulku: Jo nuk është konflikt interesi…
Balla: Edhe që vajza jote është emëruar në konsullatën e Selanikut është konflikt interesi dhe s’duhet të flasësh fare.
Bulku: Merre pak atë CV e vajzës sime dhe shihe pak. Po e meriton dhe duhet të rijë aty se e bënë atë punë.
Bushati: Janë një sërë qarkoresh të lëshuara nga ju. Shoh me shumë shqetësim informacionet që vijnë për qarkoret për rolin e sekretarit të KiE. Për qarkoren që keni bërë edhe për librin “Kurban” të liderit opozitës dhe për vizitat e tij në rajon.
Haxhinasto: Çfarë janë këto, Ministria e Jashtme qarkore për librin Kurban?
Bushati: Janë zonjat e Berishës që i keni në pozicionet kryesore të MPJ dhe ndoshta ju nuk jeni informuar
Shehu: Kjo është anti-integrim, kjo është turp.
Bushati: Turp është që të kesh konflikt interesi për këtë çështje.
Shehu: Kaq i papërgjegjshëm, sa shfrytëzon karrigen për të thënë këto budallallëqe.
Bushati: Rruaj qetësinë zoti Shehu, se për ndryshe ka dhe derë.
Shehu: Derën ta tregoj unë.
Bushati: Derën ta tregoj unë, përsa kohë jam kryetar komisioni. Kush ka konflikt interesi nuk ka pse të bëhet me nerva. Konflikt interesi ke ti, se ke emrin në atë listë. Rroga që është marrë në kundërshtim me ligjin do të kthehet.
Haxhinasto: Më vjen keq që debatet tuaja mbeten te ca emra që kanë lidhje apo jo me ca persona të caktuar. Ata kanë të gjithë të drejtën që në bazë të shkollimit që kanë të marrin pjesë edhe në shërbimin e jashtëm. Nëse ju përmendët zgjedhjen e Presidentit, nuk e ka thënë BE si kondicion që e paraqisni ju. Axhenda jonë e integrimit është shumë e qartë. Çështja e Presidentit zgjidhet nga ligji dhe mos e komplikoni integrimin e vendit me qëllimet tuaja politike.