Eden Hazard ishte në krah të trajnerit Zinedine Zidane, në konferencën e sotme për shtyp, në prag të ndeshjes së Champions-it kundër Club Brugge. Belgu do të sfidojë bashkatdhetarët e tij. Ai ka analizuar ndeshjet e para te Real Madridi dhe si po përgatitet për sfidat europiane. Mes të tjerash, Hazard ka nënvizuar:
“E imagjinoj me gola ndeshjen e nesërme, por pas humbjes në Paris, duhet të fitojmë, kjo ka rëndësi. Do të japim gjithçka. Kritikat ndaj meje? Ndihem mirë, është e vërtetë që njerëzit presin shumë nga unë. Edhe vetë mendoj se mund të bëj më mirë. Do të ketë gjithmonë kritika, edhe unë jam kritik ndaj vetvetes.
Jo gjithçka është e përsosur tani, por shpresoj të bëj më të mirën në ndeshjet e radhës. Kritikat nuk më shqetësojnë. Sapo e thashë; e di që njerëzit presin shumë nga unë. Duhet të dëshmoj nivelin tim, pasi njerëzit kanë parë atë që bëra në Francë, me Belgjikën, te Chelsea. Tani duhet të përmirësohem, në mënyrë që tifozët të jenë krenarë për mua. Fizikisht jam 100 për qind, nuk jam më i dëmtuar. Duhet të shënoj gola dhe kur kjo të ndodhë, gjërat do të bëhen më të thjeshta. Unë mendoj se më mungon një gol, ose një asist për të filluar fluturimin.
Club Brugge? Ne i dimë disa gjëra për kundërshtarin, i cili ka lojtarë kualitativë dhe që punojnë shumë mirë. Nuk duhet të mendojmë se do të jetë një ndeshje e lehtë, suksesin ta bazojmë mbi punën dhe vlerat tona. Brazilianët te Chelsea dhe në Madrid? Me William kalova shumë vite, ndihem mirë edhe me ata që gjenden këtu. Mund të ndihem paksa brazilian, sepse jam teknik. Kuptohem shumë mirë me ta këtu. Marrëdhënia me Zidane? Të gjithë mësojmë prej tij. Kur Zidane flet, ti ke mundësi vetëm të mësosh. Në fakt, të gjithë trajnerët më kanë mësuar gjëra të reja.
Kritikat nuk më fiksojnë. Unë e di se çfarë duhet të bëj, të gjithë presin që të shënoj tre gola në çdo ndeshje te Reali, por duhet të jemi të durueshëm në futboll. Humbja në Paris? Të gjithë ishim të zhgënjyer, por kemi një skuadër me cilësi të madhe. Duhet të punojmë fort për të fituar ndeshjen e radhës. Presioni në Madrid? Siç thashë edhe në prezantimin tim, nuk jam akoma galaktik. Duhet ta meritoj dhe vërtetoj këtë gjë. Ne e dimë shumë mirë të kaluarën e numrit 7 në këtë klub. Unë duhet të tregoj se mund të jem më i miri në botë, të jap më të mirën jo vetëm në ndeshje, por edhe në stërvitje. Nuk dyshoj në veten time, kam besim. Titulli në La Liga apo Champions-i? Ne e dimë historinë e këtij klubi dhe marrëdhëniet e tij me Ligën e Kampionëve, por në Madrid duam t’i fitojmë të gjitha”.