11 nxënës në Bulqizë janë helmuar. Bëhet fjalë për nxënësit e shkollës” Shefqet Tançi” në Bulqizë. Gazeta Mapo mëson se nxënësit e klasës së gjashtë kanë qënë në një orë mësimi në laborator.
Nxënësit janë shprehur se po përdornin një sapun në laborator dhe nuk dihet se çfarë ka ndodhur që ka sjellë helmimin e tyre. “Përdorëm një lloj sapuni dhe pas disa momentesh jemi ndjerë keq. Nuk e dimë se çfarë ndodhi”, – thanë ata.
Nxënësit bashkë me mësuesin ishin duke bërë një eksperiment. 11 nxënës janë aktualisht në spital, ku po marrin ndihmë nga mjekët. Paraprakisht mjekët janë shprehur se asnjë prej të miturve nuk është në gjendje të rëndë për jetën dhe po marrin serum.
Nxënësit janë ndjerë keq, me të vjella dhe marrje mendsh. Menjëherë më pas u lajmëruan mjekët dhe disa ambulanca i transportuan të miturit drejt spitalit.