Mapo Letrare

Hëna jote tash di gjithçka






               Publikuar në : 16:45 - 06/07/19 |
Elizabeth Grech 

Elizabeth Grech 


Deti

I lag tek ty gishtat e këmbëve,
ndërsa ti
m’i pastron mendimet,
edhe gjakun ma pastron.

Brenda teje mbështillem,
por unë flatrat
në shpinë
i nxjerr.

 

Pasqyra

I hodha sytë
nga pasqyra
dhe
në vend të imazhit tim
të pashë
Ty,
që buzëqeshje.
E ktheva kokën
dhe
vështrova
një flutur
ulur
mbi shpatullat
e mia,
e palëvizur.

 

 

Zëri yt

 

Janë tingujt, fjalët

Përskuqja e gjallë

Gjaku, mishi

Zemra e dy vendeve pezull

Midis dy deteve brenda teje.

Harmonia që kenë gishtat e këmbëve

Është më e përhapur se imja.

Unë kënaqem tek shohë të rrjedhë

Nga zemra jote

Muzika e huaj e zërit tënd maltez.

Zëri yt është familjar.

E bëre tënden jetën time,

Edhe shkëmbin tim don ta bësh tëndin?

Nuk ka nevojë të të mësoj asgjë,

Sepse brenda teje s’mungon gjë dhe

Hëna jote tash di gjithçka.

Çdo gjë,

Deri dhe yllin më të vogël.

 

Unë dhe ti

Unë dhe ti takohemi aty

Në vende mes hapësirave

Në hapësira midis viteve.

Ndërkaq,

Planeti im

Vazhdon të endet më kot

Në galaksi të reja.

Ikin vitet dhe prapë të takoj

Duke dalë nga humnera uji

Aty ku mbete i mrekulluar

Nga kënga e sirënëzës së vogël

Që të bëri ta harroje vetëveten.

Të shoh tek del i dërmuar

Dhe të pres në fijen e dritës

Që në fytyrën time shkëlqen.

Tregohu burrë me mua.

Tregohu burrë dhe

Kokën mbështete tek mua.

Më ler t’i shijoj gishtat e tu

Tek vizatojnë rrathë në flokët e mi.

Dua një burrë

Se jam një det i hapur

Që pret që të notosh brenda meje.

Më jep zemër që të të jap zemër

Derisa të të lë sërisht të lirë

Derisa vitet të na bashkojnë prapë

Në hapësirat e tyre.

 

 

Perëndesha femra

 

Tretem në përhimtësinë e syve të tu,

Por ja tek të mitë çelin trëndafila.

Ti e di që unë e kuptoj

Kur shtiresh,

Sikur asnjë lloj ngacmimi

Të mos ndjesh.

Të shoh të mahnitur, por

Druhesh

Dhe kokën anash e kthen, sepse

Ti e di kush jam unë.

Ti e di se kam prejardhje

Prej brinjëve të perëndeshave femra,

Prej gurit të gruas së përgjumur.

Unë e di që ti e kupton

Se një ditë

Do të notosh

Në detin e fshehtë të gjoksit tim.

 

Ishuj

Merrmë me vete që

Vijat e rrudhta të t’i shtrij

Krisjet e Mesdheut të t’i shëroj.

Nëse ka hapësirë për mua,

Më ler të shkrihem mes thyerjeve të buta

Të trupit tënd.

Më lër të t’i lidh,

Më lër ta var një varëse dafine

Midis ishullit tënd dhe ishullit tim.

Eja,

Mbi shpatullat e mia mbështete kokën,

Lëri mendimiet të përhapen

Në aromën e qitros që përhapet prej gërshetave

Që ti m’i ende në flokë.

Perktheu Arjan Kallço

 


Etiketa: , ,

Pas