Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj e konsideroi rast të paprecedentë vendimin e Gjykatës së Apelit për t’i hequr burgimin e përjetshëm Dritan Dajtit, i akuzuar për vrasjen e 4 policëve.
Në një deklaratë për mediat, Gjonaj e cilësoi vendimin si skandaloz, që rrezikon të kthehet në një precedent të rrezikshëm. Ajo njoftoi se do i drejtohet Këshillit të Lartë Gjyqësor për procedimin e trupës së gjyqtarëve që dha vendimin.
“Vendimi i trupës së gjyqtarëve për pranimin e gjyqit të shkurtuar dhe uljen e dënimit me 25 vjet burg për një të pandehur i akuzuar për vrasjen e 4 policëve tregon qartë se kemi të bëjmë me një aferë korruptive dhe në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale. Prej 48 orësh kemi punuar intensivisht për të adresuar një skandal të tillë të papranueshëm, të përmasave të tilla të pa tolerueshme të gjyqtarëve që kanë dhënë vendimin në kundërshtim me ligjin për personin e akuzuar për vrasjen e 4 policëve.
Duke ndarë revoltën legjitime të çdo qytetari përballë këtij lajmi të shëmtuar që vjen nga segmente, ku ende nuk ka arritur procesi i vettingut, duhet të theksoj se do të ndjekim të gjitha hapat me mjetet ligjore që jeta e 4 dëshmorëve të atdheut të peshohet në kandarin e korrupsionit në mungesë totale të profesionalizmit të disa gjyqtarëve që nuk meritojnë asgjë tjetër përveç se përbuzjes”, u shpreh Gjonaj.
Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda pranoi kërkesën e Dritan Dajtit për gjykim të shkurtuar duke e dënuar përfundimisht me 25 vite burg dhe për rrjedhojë rrëzoi 4 dënime të përjetshme për vrasjen e 4 policëve në gusht 2009 në Durrës.