Gjatë garës së të premtes, Braima Dabo nuk fitoi asnjë medalje në kampionatin botëror, por fitoi admirimin e publikut. Atleti po garonte në garën 5000 metra në Doha, Katar, me qëllimin për të përfaqësuar Guinea-Bissau. Por Braima Dabo hoqi dorë nga medalja për një gjest human.
Ndërkohë që kundërshtari i tij Jonathan Busby u rrëzua në pistë teksa vraponte, atleti në vend që të përfitonte nga rasti për të rrëmbyer medaljen, vendosi të ndalonte dhe ta ndihmonte. Braima Dabo ndaloi vrapin dhe mori në krahë kundërshtarin e tij. Së bashku kaluan vijën e finisht gati 5 minuta më vonë.
“Qëllimi im kryesor ishte të përfaqësoja vendin tim sa më mirë dhe jam i lumtur që munda të ndihmoja djalin tjetër,”– tha Dabo për Reuters. “Pashë që ai nuk po vraponte dot dhe shkova ta ndihmoja. E dija që nuk do fitoja vendin e parë, por të paktën të përfundoja garën. Kështu që e përfunduam të dy.”
Veprimi i tij u konsiderua si një akt heroik.