Mapo Letrare

Heshtja e natyrës së qetë si rrëfim shpirtëror i piktores Greta Tahiraga














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:25 - 25/08/21 |
mapo.al

I. Midis realitetit dhe imazhit: natyra e qetë si paradigmë e shpirtit
“Padyshim që prodhimi i pamasë i pikturave me subjekt natyrën e qetë, në shekullin e shtatëmbëdhjetë, është një tregues kuptimplotë i krizës shumëplanëshe që ndjehej në artin pamor të asaj periudhe. Në të vërtet një krizë e tillë kishte të bënte me konceptimin antropomorf dhe antropocentrik, që mbështeste funksionin historik dhe alegorik në pikturën e natyrës së qetë të asokohe.”






Me këto fjalë Giulio C. Argan nisi të shkruaj esenë e tij të shkurtër mbi natyrën e qetë: një tekst, i cili e risjell në qendër të vëmendjes gjininë e natyrës së qetë në kontekstin më të përgjithshëm të artit evropian të shekullit të shtatëmbëdhjetë. Një qasje, e cila i jep këtij zhanri një rol simptomatik në artin pamor për sa i përket aspektit artistik dhe estetik.


Në këtë fushëpamje historike të pikturës për Arganin natyra e qetë si një zhanër piktorik është karakteristikë e periudhës moderne e jo vetëm, ose jo aq, për atë që shfaq – sesa përmbajtja, e cila lë shumë të pathëna, fjalë të pashprehura të cilat i fsheh brenda vetes në heshtje. Qenia njerëzore nuk është më në qendër të artit dhe as historia e tij profane ose hyjnore. Në qendër të kanavacës tanimë është vetëm objekti, si në tablot e piktores Greta Tahiraga, e cila te natyra e qetë ka kërkuar të sodis më tepër brenda shpirtërores, duke u përhumbur ndjenjave të saj jashtë temave me përmbajtje alegorike dhe referimeve historiko-kulturore.







Ne mund të pajtohemi ose jo me leximin e historianit të artit kundrejt natyrave të qeta të Tahiragës?! Fakt mbetet, në çdo rast, se nëse shkojmë përtej leximit sipërfaqësor të këtij zhanri-fenomeni artistik, bëhet domosdoshmërisht e nevojshme të përcaktojmë me saktësi se çfarë përfaqëson ky zhanër artistik që e quajmë natyrë e qetë apo “natura morta[it]-natyrë e vdekur” nëse do ta përkthemin nga gjuha italiane për piktoren? E vërteta qendron se për të natyra e qetë është avshi i frymëmarrjes, mbi të gjitha kur analizojmë tablon “Sinor roze”, ku piktorja brenda një vazo porcelani kompozon natyrshëm natyrën e qetë, e cila “portretizon” të gjitha lulet tipike të oborreve shkodrane, nga luleborë, kadife, zymbyla, leter.



Një natyrë e qetë, ku në mendje të kujton flurimthi nocionin e kohës së Shën Agustinit: “Sapo shoh një natyrë të qetë di ta njoh atë, por nëse më pyesni për t’i dhënë një përkufizim të vërtetë dhe të saktë nuk e di se çfarë është.”. Natyra e qetë për Greta Tahiragën nuk është thjeshtë një subjekt i frymëzuar nga realiteti i përditshëm, por secila kanavacë shpërfaq gjendje të ndryshmë emocionale të perceptueshme lehtësisht nga ngjyrat e buta dhe të ëmbla. Natyrat e qeta të Tahiragës karakterizohen nga harmonia dhe ndriçimi i një drite të paprekshme, e cila zbret në mënyrë të mistershme mbi natyrat e qeta, por e gjallë, duke evidentuar diçka magjike, hipnotike për syrin.



Piktorja nëpërmjet natyrave të qeta arrinë të kap dritën e çastit, pasi ato për atë janë objekte të thjeshta, të afta të shkaktojnë tek shikuesi ndjesi delikate, të mbështjellë me një qetësi po aq të thjeshtë dhe të depërtueshme saqë duket sikur komunikojnë me këdo që gjendet përballë tyre! Një komunikim, ku objektet rrëfejnë historinë e tyre. Në kanavacë piktorja i heq objekteve të pikturuar çdo element të tepërt, duke i rikthyer atyre ndjenjën e së bukurës, ku secila lule, frut apo send të ndjehet i vlerësuar mbi drapezhin e derdhur lirshëm në hapësirën kompozicionale.

Natyrat e qeta të Tahiragës shoqërohen nga një atmosferë e heshtur dhe soditëse aq sa dhe dehëse për shpirtin njerëzor.

II. Natyra e qetë si fenomenologji e së përditshmes
Natyra e qetë është shëmbëlltyrë e objekteve si pjesë e një hapësire të jetuar: objekte që kanë pësuar ose do të pësojnë veprimin e dorës së njeriut, që në rastin konkret të piktores Tahiraga ato përfaqësojnë realitetin e saj. Një realitet mbushur me objekte dhe lule të cilat identifikojnë vetë artisten, aq sa për të kthehen në simbolika formësuese të taksonomisë biologjike të ekzistencës së saj si qenie njerëzore. Ky lexim ikonografik i objekteve i shndërron ata mbi sipërfaqen e kanavacës në semiotika të jetës së jetuar dhe të kujtesës së ardhshme të artistes.

Në brendësi të tablove shohim gota, vazo, fruta, lule, mbulesa dhe objekte të ndryshme, duke i shkëputur ata nga konteksti i tyre i përditshëm, për t’i riorganizuar në mënyrë skenike si pjesë e një hapësire konvencionale të piktores. Secili objekt qofshin fruta, perime, lule apo çfarëdolloj sendi tjetër përbëjnë për Tahiragën qendrën e hulumtimit të saj piktorik, ku çdokush njeh dhe evidenton përditshmërinë e tij.

Shumë interesante për t’u theksuar është marrëdhënia e ngushtë e një trinomi midis piktores, objektit real dhe interpretimit të tij që pasqyrohet në imazhin përfundimtar mbi kanavacë të natyrës së qetë.

Padyshim që për Tahiragën pikturimi i natyrave të qeta është një amalgamë shpirtërore, ashtu siç ndodh edhe me Du Fresnoy, i cili mendonte se nga natyra duhet të zgjedhim më të mirën, pasi jo gjithçka që gjendet, shohim apo prekim në natyrë, në të përdishmen tonë është estetikisht dhe moralisht e vlefshme. Kjo, pasi ka edhe objekte të së përditshmes të cilat janë pavlerë dhe të rëndomtë, por edhe në këtë aspekt piktorja guxon që me ndjeshmërinë e saj dhe nëpërmjet pikturës t’i jap jetë çdo objekti që atë e ngacmon dhe që nxit brenda pavetëdijes së saj një emocion.

Natyra e qetë për Greta Tahiragën është kujtesa e së tashmes, e cila gërsheton brenda vetes objekte të jetuara, ndjenja dhe copëza antropologjie të kulturës jomaterial shkodrane.

Në të vërtetë natyrat e qeta të Tahiragës janë një vetëportret i piktores […] ku përtej pikturimit të natyrave të qeta ekziston edhe e vërteta e saj si qenie njerëzore. Për De Piles e vërteta është fundi i natyrës, i njohjes me të dhe pikturimi i objekteve të marra nga realiteti është dy llojesh: e thjeshta e vërtetë, e cila vjen nga imitimi sa më hollsishëm i mundshëm të objekteve në natyrë dhe idealizmi i vërtetë, ku piktorja Tahiraga konkretisht zgjedh që ta pikturojë natyrën me përsosmëri idealizuese, duke i dhënë jetë objekteve të pajetë. Ndonëse kjo e fundit “idealizmi i vërtetë” nuk zbulon asgjë të re, por falë interpretimit tejet vetjak dhe ndjesor të piktores e bën natyrën e qetë të shfaqë përsosmërinë e harmonisë midis vetë piktores dhe natyrës.

Një marrëdhënie që shpërfaqet dukshëm në mënyrën se si artistja modelon vëllimet, hedh harmonishëm tonalitetet e ngjyrave, vizaton me korrektësi perspektivën shumëplanëshe dhe stilizon me qasjen e saj objektet që ka përballë. Piktorja është tepër e vëmendshme ndaj hollësirave, duke ndërtuar një vepër statusi ontologjik i së cilës duhet të jetë pothuajse po aq i vërtetë sa i natyrës së qetë që ekziston në realitet. Natyrat e qeta të Greta Tahiragës nuk flenë me heshtjen e kohës. Në to ndjehet aroma e luleve, brishtësia e qelqit dhe ndjenjat me të cilat ajo i trajton natyrat e saj të qeta. Tablo ku evidentojmë një kod sa të veçantë në aspektin estetik aq dhe të ngjyrtë në pikturimin e objekteve mbi kanavacë, sepse siç shprehet Tatarkiewicz “natyra e qetë është një konglomerat ndodhish brenda artistit” . Në të vërtetë për ta lidhur këtë mendim me pikturën e artistes shkodrane duket sikur vetë ajo flenë dhe jeton në brendi të natyrave të qeta.

E thjeshta e vërtetë është më e vërtetë, më konkrete sesa ideali i vërtetë, por për Greta Tahiragën ajo e vërtetë nuk shërben për shpërfaqen e ndjenjave të saj si kundër ndodh me idealin e vërtetë, sepse piktorja frymëzohet nga realiteti, por nuk mbetet kurrësesi peng i saj.

Tahiraga shprehet me saktësi dhe forcë interpretuese në pikturë.

Natyra e qetë e artistes shkodrane rikrijon jo vetëm natyrën nga është frymëzuar, por nëpërmjet imazhit arrinë të kapë shikimin falë iluzionit optik të vëllimeve trepërmasore në sipërfaqen e sheshtë të kanavacës.

Piktorja depërton aq shumë brenda subjektit sa që i jep imazhit vlerë ontologjike. Qasje kjo, e cila i jep natyrës së qetë fuqinë për t’i pozuar objektet në mënyrë ontologjike, duke i konsideruar ata si “qenie njerëzore” në brendësi të hapësirës kompozicionale-piktorike.

Ph.D. OLTSEN GRIPSHI
Historian & Kritik Arti

KURATOR I EKSPOZITËS

<
>
0ba084ff-cf29-4ceb-b04d-577058c74935 f970409a-158f-47b5-afb5-931dc446289a
1


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas