Aktualitet

Heshtjet kur fyen Rama/ Flamur Noka çmonton Komisionerin për Diskriminimin








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 22:32 - 19/08/20 |
mapo.al

Ish-deputeti i PD, Flamur Noka me një shënim të gjatë dhe shterrues, i është përgjigjur Komisionerit për Diskriminimin, që i ka kërkuar të fshijë një status në FB për ndjeshmëri të komunitetit LGBT.



Noka i tregon të gjitha rastet kur Komisioneri ka heshtur, edhe pse Rama e Veliaj kanë fyer disa komunitete në vend.


Statusi i plotë:



Një përgjigje e detyruar për z Robert Gajda ushtarin e lavatrices së pastrimit të parave, Komisionerin Diskriminues kundër Diskriminimit



Tiranë, më 19.08.2020


NGA: ​Flamur NOKA, me adresë njoftimi: Selia e Partisë Demokratike, Blv. Zhan D’Ark, Nr. 11, Tiranë.

LËNDA: ​Kthim-përgjigje vendimit Nr. 81, datë 10.08.2020 të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

BAZA LIGJORE:​Neni 22 i Kushtetutës së Shqipërisë;
​Neni 10 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut;
​Neni 248 i Kodit Penal;
Nenet 1, 3, 7, 32 dhe 33 të ligjit Nr. 10 221, datë 04.02.2010 “Për Mbrojtjen nga Diskriminimi”.

DREJTUAR:​Z. Robert GAJDA
​Komisioner për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

I nderuar Komisioneri Diskriminues,

Të enjten, mora vesh që në datën 10 Gusht 2020, keni vendosur se statusi im i datës 16 Maj, paskërka qenë diskriminues ndaj shtetasve të komunitetit LGBTI. Për këtë më kërkoni që të heq statusin në fjalë dhe të bëj një deklaratë publike, në të cilën distancohem nga përdorimi i një gjuhe që paragjykon hapur komunitetin LGBTI.

Ndaj, po e them që në fillim të këtij reagimi të gjatë dhe të detyrueshëm, për ty si shërbëtor i verbër i sektit të “Rilindjes”, nuk kam përdorur dhe as më bie ndërmed të përdor ndonjë gjuhë që paragjykon komunitetin LGBTI apo sektin “Rilindja”, ku ti bën pjesë. Nuk përdor gjuhë diskriminuese as ndaj EV për faktin nëse janë apo jo pjesë e ndonjë komuniteti, por për faktin se ata, ashtu si edhe ti shërbërtor i tyre, përdorni zhgunin e zyrtarit për të abuzuar me pushtetin. Lidhur me statusin në FB që kërkon të hiqet me arsyetimin tërësisht lëpirës ndaj EV dhe reagimin, më lejo të sqaroj, meqënëse nuk qenke i qartë, më gjatë sesa ti e meriton.

Gjatë këtyre viteve ka patur shkelje flagrante të ligjit që ju supozohet të mbroni, duke filluar nga Kryeministri, Kryetari i Bashkisë Tiranë apo deputetë të Partisë Socialiste, dhe në çdo rast institucioni juaj ka heshtur. Ja po jua kujtoj disa prej këtyre rasteve, për të cilat kolegë të mitë ju kanë vënë në dijeni edhe më parë:

(i) Në datën 25.10.2017, Kryeministri Edi Rama duke folur jashtë sallës së Kuvendit të Shqipërisë, duke iu drejtuar gazetarëve, u shpreh “Ju nuk dini, lexoni, thërrisni mendjes, jeni të paaftë, budallenj, pyetje idiote, të paditur, flisni përçart…”. Ndërsa, në shumë raste të tjera, ai i ka quajtur gazetarët dhe mediat kazan, të lidhur me krimin e organizuar, baltë etj.

(ii) Në datën 29.03.2018, Kryeministri Edi Rama nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, u shpreh “Kjo puna e popullit është si puna e atij muhabetit që i thua atij të shkretit ngrihu-ngrihu, por më kot se ai nuk ngrihet e rri me kokë poshtë. Është poezi që e di doktori, e di mirë ai këtë punë.”

(iii) Në datën 13.11.2018, Kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj në reagimin për protestën e zhvilluar nga banorët e Unazës së Re, është shprehur “Shumica e qytetarëve duan që unaza e re të bëhet. Edhe për bulevardin e ri ishte e njëjta parti, shpellarë, që shkatërrojnë. Është i njëjti film që e kemi parë dhe ky film përfundon me fitoren e qytetit, të njerëzve të mirë, që duan rendin dhe nuk kanë zaptuar, nuk shqyejnë dhe nuk vijnë nga shpellat.

Njerëzit thonë kur të zhbllokohet trafiku te Shqiponja do të marrë frymë Tirana, por çfarë do të mbetemi në epokën e gurit, se disa njerëz nuk pranojnë dëmshpërblimin, nuk ka shans.”

(iv) Në datën 19.11.2019, deputeti i Partisë Socialiste Alket Hyseni ka publikuar një reagim në faqen e tij zyrtare në Facebook, duke iu drejtuar ish-Presidentit dhe ish-Kryeministrit të Shqipërisë Z. Sali Berisha, me fjalët “…me fajlët dhe veprimet e tua prej autiku politik…S’po ja del dot me fonde të dyshimta pikturash të shërojë autizmin tënd…o plak autik…”.

(v) Në datën 27.11.2018, kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj duke komentuar rastin e efektives së Policisë, Znj. Ina Nuku, e cila mbeti e lënduar gjatë një proteste para Kuvendit të Shqipërisë, është shprehur “Pse nuk është gjynah ajo vajza pa gishta? Ne të gjithë burra jemi këtu. I shkojnë sytë këtu të martohet njani me një gocë pa gishta?”.

(vi) Në datën 11.12.2019, Kryeministri Edi Rama në një takim me banorë të qytetit të Laçit mbi dëmet e sjella nga tërmeti, duke iu drejtuar njërës nga banoret, u shpreh “E martume je? Hë praaa… E di pse? Se kush të afrohet trembet, se i tmerron. Qënke dinamit.”
(vii) Në datën 18.06.2020, Kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj gjatë një interviste, është shprehur “Vajzat në Shqipëri janë shumë më të ftilluara, domethënë çunat shqiptar janë zdromsa komplet…e kam seriozisht.”

Në këtë kuptim, u ndjeva i diskriminuar nga ana juaj Komisioneri Diskriminues i Antidiskriminimit. Sepse kur Kryeministri, Kryetari i Bashkisë apo deputetë të Partisë Socialiste përdorin haptazi një gjuhë fyese, denigruese, diskriminuese dhe poshtëruese ndaj kategorive të ndryshme të qytetarëve shqiptarë, ju heshtni.

Ndërsa, kur një përfaqësues i Partisë Demokratike bën një reagim në profilin e tij në Facebook ndaj Erion Veliaj, dhe që nuk ka aspak lidhje me diskriminimin e komunitetit LGBTI, atëherë ju zgjoheni nga gjumi i thellë në të cilin ju ka vënë pushteti, dhe me arsyetime krejtësisht të pabazuara në ligj e në fakte, merrni masa sipas oreksit të atyre që ju kanë emëruar në atë pozicion.

Por, unë ju kuptoj Komisioneri Diskriminues i Antidiskriminimit. Ju me siguri jeni me pushime tani dhe duke qenë se nuk i shkonit dot për ta vizituar kryebashkiakun e Tiranës, të shëruar nga virusi imagjinar, menduat t’i bëni si dhuratë këtë vendim. Por, një vendim si ky nuk i vlen asgjë as atij dhe as kujtdo tjetër, veçse diskrediton pozicionin dhe figurën tuaj, dhe ju bën të parin Komisioner për Mbrojtjen nga Diskriminimi që kryen një veprim të rëndë diskriminues.

Do të mjaftonte aq sa thashë në fakt, që unë të mos denjoja t’u ktheja asnjë përgjigje. Megjithatë, për hir të pozicioneve shumë të rëndësishme që kam mbajtur, si deputet i Kuvendit të Shqipërisë (2009 – 2019) dhe Ministër i Punëve të Brendshme (2012 – 2013), dhe respektit ndaj institucioneve që kam kultivuar ndër vite si zyrtar i lartë i shtetit shqiptar, si dhe për hir të faktit, që si Komisioner duhet ta dinit, se unë jam deputeti iniciues dhe hartues i Ligjit Nr. 10221/2010, datë 04.02.2010, për Mbrojtjen nga Diskriminimi, po ju përgjigjem edhe ligjërisht për “gjellën” diskriminuese që kishit gatuar në bodrumet e propagandës së Bashkisë Tiranë.

Së pari, ligji për mbrojtjen nga diskriminimi ka parashikuar tre kritere kumulative në mënyrë që të gjendemi përpara një rasti diskriminimi: (i) përkatësinë në një grup të caktuar; (ii) diskriminimi duhet të përbëjë një dallim, përjashtim, kufizim apo preferencë; dhe (iii) duhet të ketë sjellë pengesën apo bërjen e pamundur të ushtrimit të të drejtave dhe lirive themelore. Pra, veprimi i personit publik apo privat duhet të përbëjë një dallim, përjashtim, kufizim apo preferencë për një person apo grup personash, duke sjellë si pasojë pengimin apo kufizimin e një të drejte apo lirie themelore.

Në rastin konkret, postimi, të cilit i referoheni në vendimin tuaj, nuk përmbush ansjë prej kritereve ligjore të sipërcituara. Kjo pasi statusi nuk i drejtohet një personi që i përket një grupi të caktuar, ndaj të cilit është bërë një dallim, përjashtim, kufizim apo preferencë në raport me personat e tjerë. Kjo mund të ndodhë vetëm në rast se Erion Veliaj është ndier i trajtuar në mënyrë të pabarabartë për shkak të përkatësisë në një grup të caktuar. Megjithatë, edhe nëse do të ishim para këtij rasti, sërish nuk do të kishim diskriminim për z. Veliaj, pasi trajtimi i diferencuar nuk ka prodhuar asnjë pasojë, e aq më pak që të ketë penguar apo bërë të pamundur ushtrimin e të drejtave dhe lirive themelore të tij.

Së dyti, ligji ka parashikuar qartë se Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi vihet në lëvizje pasi merr një ankesë nga një person ose grup personash që pretendojë se janë diskriminuar. Pas marrjes së ankesës, ai njofton palën ndaj të cilës është bërë ankimi, duke i këkuar të paraqesë shpjegimet e tij. Mungesa e një ankese nga një person apo grup personash, e pamundëson vënien në lëvizje të Komisionerit. Për më tepër, në asnjë nen, në asnjë paragraf, në asnjë gërmë apo pikë të ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi nuk parashikohet në mënyrë të shprehur apo të nënkuptuar, e drejta e Komisionerit për të filluar një hetim administrativ kryesisht.

Për mua si ligjvënës në kohën kur ligji është miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, ky parashikim është i kuptueshëm dhe tërësisht logjik pasi nuk mund të ketë mbrojtje nga diskriminimi, për sa kohë nuk ka persona apo grup personash, të cilët pretendojnë të jenë ndier të diskriminuar.

Në rastin konkret, ju jeni shprehur se “…me urdhërin Nr. 58, datë 22.05.2020, ka filluar procedurat për ndjekjen kryesisht të çështjes, në lidhje me gjuhën e përdorur në rrjetet sociale nga ana e ish-deputetit Flamur Noka.” Pra, nga sa kuptohet nuk ka pasur asnjë ankesë apo person/grup personash që kanë pretenduar të jenë ndier të diskriminuar, çka do të thotë se në kuptim të ligjit Nr. 10221/2010 nuk mund të fillojë një proces hetimor administrativ.

Z. Komisioner Diskriminues, ju bëj me dije në saj të kësaj, se edhe vet z. Kristi Pinderi në komunikim që unë kam patur personalisht me të, më ka shprehur mbështetje në çdo gërmë e konsideratë timen të shprehur kundrejt shefit tënd shpirtëror e mbase edhe më shumë se kaq Erion Veliaj. E disponoj të shkruar këtë mbështetje çka mund ta faktoj nesër në Gjykatë duke ju nxjerrë si sulmues e diskriminues politik juve dhe jo mua. Për ndërkohë deri atëherë, mund ta verfikoni vet përmes Z. Kristi Pinderi i cili do t’ju konfirmoj komunikimin sa më sipër përshkruar.

Neni 33, paragrafi 7, që ju keni cituar në vendimin tuaj, ka parashikuar qartë se me marrjen e ankesës, Komisioneri verifikon faktet, dhe mund t’u kërkojë ankuesit dhe personit kundër të cilit është paraqitur ankesa, të paraqesin parashtrim me shkrim brenda 30 ditëve. Por, në rastin konkret, kjo dispozitë është e paaplikueshme, pasi nuk ka pasur asnjë ankesë, person apo grup personash të ankuar.

Për më tepër, nga ana juaj është marrë e mirëqenë se statusi në fjalë është bërë nga ish-deputeti Flamur Noka, ndërkohë që në rrjetin social Facebook ekzistojnë gjashtë profile me foton dhe emrin tim (3 profile personale dhe 3 faqe), asnjëra prej tyre e verifikuar sipas standardeve dhe termave të këtij rrjeti social. Pra, ju keni filluar një procedurë hetimi administrativ ndaj një ish-deputeti, ish-ministri dhe anëtar kryesie i Partisë Demokratike, pa qenë të sigurtë nëse postimi është bërë apo jo nga ana e tij, çka tregon qasjen tuaj diskriminuese, tendecioze dhe të paligjshme ndaj meje.

Së treti, neni 22 i Kushtetutës së Shqipërisë dhe neni 10 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut kanë garantuar të drejtën e çdo qytetari për të shprehur lirisht bindjet dhe mendimet e tij. Kjo e drejtë është veçanërisht e rëndësishme për personat që kryejnë funksione publike apo janë të angazhuar politikisht. Nga ana tjetër, zyrtarët e lartë publikë dhe politikë duhet të tregojnë një frymë më të lartë tolerance dhe mirëkuptimi gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre. Sa më sipër, janë qëndrime të konsoliduara në jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Në këtë kuptim, statusi, të cilit i referoheni në vendimin tuaj, për të cilin askush nuk është ndjerë i cënuar apo diskriminuar personalisht, përveçse nëse jeni ndjerë ju vetë, është një shprehje e qartë e të drejtës së garantuar nga neni 22 i Kushtetutës dhe neni 10 i KEDNJ, që dy kundërshtarë politikë përdorin ndaj njëri-tjetrit. Ndërhyrja e institucioneve publike në debatin politik ndërmjet palëve kundërshtare, duke marrë në mbrojtje njëanshmërisht njërën palë, përveçse cënon rëndë kredibilitetin e institucionit, është e paligjshme.

I nderuar Komisioneri Diskriminues,

Duke qenë se vendosa t’u përgjigjem pretendimeve tuaja tërësisht të pabaza, absurde dhe të paligjshme, nga pozita e ish-deputetit të Kuvendit të Shqipërisë dhe ish-Ministrit të Punëve të Brendshme, më lejoni që në këtë cilësi t’u ofroj një këshillë nga përvoja ime e gjatë institucionale: asnjëherë mos e lejoni veten të bëheni “ekzekutues” i urdhërave apo direktivave të paligjshme, të shkruar apo të pashkruar, ngado që ato mund të vijnë.

Sepse, ashtu si ju e dini, në fund të fundit, përgjegjësia ligjore dhe penale është gjithnjë personale. Pas kësaj përgjigje të gjatë, besoj është e qartë se ky status e bën të panevojshëm statusin e mëparshëm. Për mbyllje, më lejoni t’u rikujtoj citatin e famshëm të Aristotelit “ignorantia legis non excusat” pra “injoranca e ligjit nuk përbën justifikim”.

Edhe një gjë të fundit Komisioneri Diskriminues, ju lutem konsiderojeni këtë reagim si ankim që unë ushtroj ndaj jush për diskriminimin e kryer ndaj meje me vendimin tuaj të datës 10 Gusht 2020. Kur të përfundoni hetimin e plotë ndaj vetes dhe aktit tuaj tërësisht të paligjshëm, tendencioz dhe diskriminues, ju lutem më njoftoni për masat që do të merrni ndaj vetes.

Duke shpresuar në një rikthim tuajin të shpejtë në binaret e ligjshmërisë dhe braktisjen e çdo urdhëri apo direktive të paligjshme në të ardhmen, ju uroj punë të mbarë.
Me respekt,
Flamur NOKA


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas