“Kur kam rreshtuar për herë të parë shkaqet se pse ndërkombëtarët e mbështesin Reformën në Drejtësi, që dukshëm i shërbente kapjes së Drejtësisë nga Rama, në fund të rreshtit vendosa edhe idenë se një nga shkaqet mund të ishte korruptimi i tyre”.
Kështu shkruan në një shkrim të sotëm tek Panorama analisti Fatos Lubonja.
Pavarësisht se reforma në drejtësi ka rëndësi të madhe për vendin, pikëpyetjet mbi të janë hedhur nga opozita, të cilën e kanë sulmuar se po e bën këtë për shkak se druhet nga organet e reja të drejtësisë.
Megjithatë, vetingu i vetingut nga opozita duket se po jep fryte.
Pasi denoncoi një anëtar të KLP se ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, pasuan reagime të shumta. Fax News shkruan se Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet ndaj Bujar Sheshit.
“Veprimet hetimore synojnë të nxjerrin në pah ekzistencën e faktit në raport me vendimin e marrë nga Autoriteti, (AIDSH), ligjshmërine e këtij vendimi, veprimet e kryera prej këtij institucioni, ligjshmërinë e ndjekur nga Prokuroria e Përgjithshme në veprimet e saj, për kandidatin Bujar Sheshi, deri në perzgjedhjen e tij si anëtar KLP së, si dhe vërtetësinë e deklarimeve të prokurorit Bujar Sheshi në formularin përkatës”, thonë burime nga Prokuroria.
Po sot, Prokuroria e Tiranës i ka dërguar një fletëthirrje anëtarit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Lulzim Hamitaj, pas denoncimit të PD se ai ka falsifikuar certifikatën e tij të anglishtes.
Prokuroria e Tiranës ka çelur hetim për anëtarin e KPK, i cili pritet të paraqitet të enjten në orën 15:00 për të dëshmuar.
PD publikoi dokumentat që provojnë se certifikata e anglishtes së anëtarit të vetingut nuk e ka vulën e Universitetit Politeknik të Tiranës. Nga sistemi TIMS rezulton se Lulzim Hamitaj nuk ka qenë në Shqipëri, kur është pajisur me certifikatën e anglishtes.
Po ashtu të martën një tjetër personazh i rëndësishëm i reformës në drejtësi, Ardian Dvorani, deklaroi se nuk do kandidojë për Gjykatën Kushtetuese. Dvorani e ka kaluar vetingun, por PD ka hedhur ndaj tij akuza të forta.