Kryesore

Hetimet e SPAK: Arrestime për dosjen 339, dalin përmasat e krimit elektoral





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:12 - 29/07/20 |
mapo.al

Teksa debati në vend është më i zjarrtë se asnjëherë më parë lidhur me reformën elektorale dhe ndryshimet e njëanshme të Kushtetutës që kërkon të bëjë nesër Kryeministri, Prokuroria Speciale ka proceduar 22 persona për manipulimin e votave të emigrantëve në zgjedhjet e vitit 2017. BIRN tregon se nga votat e emigrantëve që u hodhën në kuti, përfitoi Partia Socialiste


Nga arrestimet që janë bërë mbrëmë në zonën e Shijakut dhe Durrësit, me urdhër të SPAK, janë mësuar përmasat e vërteta të krimit elektoral, në zgjedhjet e vitit 2017. Në fashikujt e Prokurorisë, mësohet se janë shumë biseda të përgjuara, ku del mekanizmi i manipulimit të votës.


Bëhet fjalë për dhjetëra vota në dy qendra votimi në fshat, që janë hedhur në emër të emigrantëve, teksa ata nuk kanë qenë fare në Shqipëri. Përfytyroni sa është marzhi i deformimit, i vjedhjes së votës në gjithë vendin. Këto raste nuk janë fare sporadike me sa duket. Por janë rastet që kanë përfunduar rastësisht në dorën e hetimit, duke qenë se procesi ka nisur për drogën e Hasit, dhe rrugës kanë dalë shumë krime të tjera. Përfshirë krimin elektoral.


Nga 22 të arrestuarit, pjesa më e madhe e tyre janë punonjës administrate. Pra, janë njerëz të Partisë Socialiste. Ky rast dëshmon përmasën e frikshme të manipulimit të votës së vitit 2017, ku Edi Rama kërkoi me ngul timonin. Sa më shumë e dëshironte ai timonin, sa më shumë vota kërkonte, aq më shumë krime elektorale ndodhnin në terren. Është kjo me sa duket arsyeja, pse Opozita insistoi në identifikimin biometrik të votuesit. Identifikimi biometrik, do të ndalonte votimin në emër të atyre që nuk janë prezent fizikisht në Shqipëri.


Zbulimet e prokurorisë tregojnë se në bashkëpunim, të ndaluarit siguronin të dhënat, pra numrat e identifikimit të emigrantëve, dhe dërgonin njerëz të bindur, militantë që votonin në emër të tyre. Kjo lëvizje e SPAK është për t’u vlerësuar. Po do të ishte drejtësi gjysmake, nëse nuk do të mbanin përgjegjësi, frymëzuesit e krimit masiv elektoral, urdhëruesit, bosët e vërtetë, ata që kanë shkaktuar tërmetet zgjedhore. Është kjo edhe kërkesa e Bashkimit Europian, dhe një kusht tashmë për integrimin.

339/184
Në qershorin e vitit të kaluar tabloidi gjerman “Bild”, kur nuk kishin mbetur as një muaj nga zgjedhjet lokale, publikon një sërë përgjimesh që kishin të bënin me dy dosje, 339 dhe 184. E para kishte të bënte me zgjedhjet e vitit 2017, ku në rrjetën e përgjimeve kishte rënë dhe kryetari i Bashkisë së asaj kohe Vangjush Dako, si dhe kandidati për bashkinë në zgjedhjet e vitit 2019 Elton Arbana. Në dosjen tjetër, atë 184, që bënte fjalë për zgjedhjet e pjesshme në Dibër. Kryeministri Rama, ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, deputetë si Damian Gjiknuri, Ulsi Manja etj., dëgjohen në audio duke folur për pazare votash me drejtorë policie apo drejtorë të drejtorisë arsimore.

Por me gjithë skandalin, sërish Rama shkoi në një palë zgjedhje pa kandidatë. Autorët e audios ishin ende të lirë, madje si kandidat për zgjedhjet e Shijakut u kandidua Elton Arbana, i cili ishte nën urdhrat e Astrit Avdylajt, kreut të bandës së Shijakut. Arbana i mohoi kategorikisht akuzat, ashtu siç i mohuan Vangjush Dako, vetë Rama, e të tjerë me arsyetimin se mund të ishin biseda mes miqsh. Dosja 184, i kaloi për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Dibrës, e cila deri më tani nuk ka dhënë shenja të ketë nisur ndonjë hetim. Kjo dhe për shkak të personelit të kufizuar atje. Duhet theksuar se arrestimet e djeshme janë të parat që janë bërë nga prokuroria e posaçme për këtë çështje, dhe pritet që nga dëshmitë e të pandehurve të dalin emrat e urdhëruesve.

Ndërkohë ashtu si dhe në Qershor, Rama ka dhënë një reagim të vakët në lidhje me arrestimet, duke e kaluar problemin te depolitizimi i administratës zgjedhore. “Për mua janë 22 individë të gabuar, në vendin e gabuar dhe detyrën e gabuar, që duhet të shërbejnë si shembull i padiskutueshëm për largimin përfundimtar të partive politike nga komisionet e zgjedhjeve! Le të vendosë drejtësia për ta pa dallim dhe mësimi për ne është: depolitizim!” shkruan Rama në rrjetet sociale. Por tashmë dëmi është bërë, pasi nuk dihet se sa i shtrirë ka qenë fenomeni i blerjes së komisionerëve dhe vjedhjes së votave.

Për Gazment Bardhin, Sekretar i Përgjithshëm i PD-së dosja 339 është një krim shtetëror që duhet dhe fajtori kryesor është Edi Rama. Sipas tij, Vangjush Dako vazhdon të mbetet i lirë, ashtu siç vazhdojnë të mbeten të lirë dhe mos hetohen njerëz të tjerë të afërt me Ramën, të përfshirë në trafik droge dhe të përdorur në çdo zgjedhje për manipulim.

Dosja 339 është krimi shtetëror, në të cilin Edi Rama vodhi dhe bleu zgjedhjet e vitit 2017 me krimin e organizuar. Dosja 339 është Vangjush Dako, është banda e Avdylajve, janë trafikantët ndërkombëtarë të drogës, është Edi Rama, që ata zgjodhën me blerje votash dhe me kërcënime. Për këtë krim, që vazhdon të mbajë peng vendin, akoma nuk është bërë drejtësi. Vangjush Dako, i shpallur ‘non grata’ nga SHBA, vazhdon të jetë i lirë, nën mbrojtjen e Edi Ramës. Të tjerë njerëz të afërt të Edi Ramës vazhdojnë të mos hetohen për lidhjet me trafikantët e drogës që blenë zgjedhjet për Edi Ramën në Durrës, Kavajë, Shijak, Lezhë etj. SPAK duhet të veprojë në mënyrë të plotë dhe të mos fshihet pas gishtit.

Manipulimi i zgjedhjeve të 2017 kërkon drejtësi dhe ndëshkim, duke filluar nga koka dhe jo nga bishti. Blerja e votave, bashkëpunimi me krimin e organizuar në zgjedhje, kërcënimi i votuesve dhe komisionerëve, presioni ndaj administratës publike, janë krime që presin drejtësi. Kur do të urdhërohet arrestimi për këto fakte flagrante, që i ka dëgjuar e gjithë bota dhe që presin drejtësi prej 3 vitesh?” shkruan Bardhi, i cili e shoqëron statusin e tij në FB me një video të përgjimeve të BILD.

Qendra e votimit Shetel
Komisionerë që lejuan votime për personat që ishin jashtë shtetit:

Shpëtim Stafa
Elidon Stafa
Ramiz Tuda
Fredi Marku
Dalvis Biba
Emiljan Tuda
Redi Hysa

Qendra e votimit Rubjek

Komisionerë që lejuan votime për personat që ishin jashtë shtetit:

Bashkim Alushi
Jakup Bregu
Altin Lala
Kasem Lala
Kujtim Uruci
Zyhra Lala
Qemal Domi

Qendra e votimit Rubjek-Shkolla 9-vjeçare
Komisionerë që lejuan votime për personat që ishin jashtë shtetit:

Besim Bregu
Indrit Bici
Mehdi Lala
Agim Lala
Oriada Lala
Bujar Sula
Qazim Lala


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas