4 nga 9 personat e shpallur në kërkim, të cilët akuzohen si përgjegjës për humbjen e jetëve në Durrës nga ndërtesat e shembura gjatë tërmetit të 26 nëntorit, janë larguar drejt Italisë.
Sipas Report Tv, policia i ka bërë kërkesë autoriteteve italiane për të bërë të mundur lokalizimin e tyre. Prej mbrëmjes së djeshme, po kryhen gjithashtu operacione për kapjen e tre të tjerëve që dyshohet se fshihen në kryeqytet, të cilët rezultojnë të jenë 2 ndërtues dhe 1 inxhinier.
Prokuroria e Durrësit lëshoi para dy ditësh 18 urdhër arreste për zyrtarë, ndërtues, inxhinierë dhe specialistë. Nga veprimet e hetimore ka rezultuar se dëmtimet, shembjet e godinave dhe pasojat në jetët e njerëzve kanë ardhur si shkak i kryerjes së ndërtimeve pa respektuar rregullat, normat dhe standardet në fushën e ndërtimit.
Personat e shpallur në kërkim:
- Arben Qato pronar i Vila Palma
- Dëshira Qato-shefe e urbanistikës në Kavajë (Gruaja e Arben Qatos)
- Aldo Dakovelli, shef sektori në Kadastrën e Durrësit
- Artemis Malko punonjës terreni në Kadastrën e Durrësit
- Artur Cela, ish-drejtori i INUV
- Flamur Gjuzi, ish-drejtori i ALUIZNIT Durrës
- Artur Terziu, pronari i ‘Bar Barons’
- Dy ndërtuesit e banesës së familjes Lala në Kënetë
Personat e arrestuar:
- Arben Isaku, Ish-drejtor i ALUIZNI-it Durrës
- Klajdi Lame, Inspektori i Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik
- Albrend Qetka, Specialist i verifikimit në terren pranë ALUIZNI-it,
- Defrim Celami, Specialisti që ka përpiluar aktin e ekspertimit teknik
- Kujtim Hasa, Shefi i shërbimeve të Shtëpisë së pushimit të Ministrisë së Brendshme, ku vdiq kryekomisari Bajram Hajdarmataj
- Ahmet Doda, Drejtori i Shtëpisë së Pushimit
- Rruzhdi Xheka, Ndërtues dhe pronari i “Hotel Mira Mare”
- Avdulla Osmani, Ndërtuesi i “Hotel Tropikal”
- Nevjana Isufi, e cila sipas policisë me studion e saj private hartonte projekte fiktive
Hetimet pas tërmetit pritet të sjellin të arrestuar edhe për viktimat e Thumanës. Risjellim në vëmendje se tërmeti me magnitudë 6.4 ballë i mori jetën 51 personave, si dhe plagosi mbi 900 të tjerë.