Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA, ka vendosur sot shkarkimin nga detyra të ish-kreut të prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj.
Më herët KPK kishte vendosur konfirmimin e tij në detyrë po ky vendim është hedhur poshtë nga KPA pasi Hajdarmataj ka probleme me justifikimin e pasurisë, si dhe me aspektin professional.
Sipas KPA-së ai përveçse nuk justifikoi pasurinë e tij cash, kishte mangësi të thella edhe në njohjen e ligjeve, si dhe kryerjen e shkeljeve të rënda proceduriale gjatë kohës që ka ushtruar detyrën e tij si prokuror.
Më tej në vendimin e lexuar në KPA, ku ishte i pranishëm dhe vetë Hajdarmataj, thuhej se ai ka pasur kontakte me persona të papërshtatshëm, të cilët thyejnë besimin e publikut te drejtësia.
Besim Hajdarmataj ka kaluar me sukses në shkallën e parë të vettingut, pa asnjë kontestim, në të treja shtyllat e hetimit, pasuri, aftësi profesionalen dhe pastërti figure.
Mirëpo, pavarësisht rezultateve në KPK, ishte Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, i cili i rekomandoi Institucionit të Komisionerit Publik, ankimin. Brenda afatit ligjor IKP ankimoi vendimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, duke konkluduar se konfirmimi i Hajramatajt është i cenueshëm dhe përmban shkaqe të mjaftueshme për kontroll edhe në apel.
Besim Hajdarmataj u konfirmua në detyrë më 16 tetor nga trupa e kryesuar nga Brunilda Bekteshi, me relatore Suela Zhegu dhe anëtar Roland Ilia dhe u referua për procedim disiplinor për një hetim të mbyllur të vitit 2010.
Me rekomandim të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM, vendimi u ankimua në Kolegj. Besim Hajdarmataj e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 dhe përgjatë 20 viteve, ai ka mbajtur poste drejtuese në Prokurorinë e Tropojës dhe të Kurbinit.