Për vitin 2012 nuk parashikohet që në Kuvend të kalojnë ligje që ndryshojnë nivelin e taksave, por vetëm drafte që mund të ndikojnë në mirëmenaxhimin e mbledhjes së tyre. Kjo konfirmohet nga anëtari i komisionit parlamentar të Ekonomisë, Subi Hida, i cili tha për mediat se, gjatë këtij viti, paketa fiskale nuk pritet të pësojë ndryshime të ndjeshme, me përjashtim të disa ndërhyrjeve, që më së shumti synojnë përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian. Po ashtu, Hida vlerëson si një nga momentet e rëndësishme për ekonominë shqiptare, procesin e vetëdeklarimit të pasurisë nga qytetarët. Sipas tij, ky proces që nis për herë të parë, do të ketë një efekt të ndjeshëm jo vetëm ekonomik, por edhe social. Duke nisur nga muaji janar, qytetarët do të bëhen pjesë e procesit të vetëdeklarimit të pasurisë. Ky proces mbyllet në muajin prill të këtij viti, kohë në të cilën qytetarët do të duhet të kenë bërë deklarimin e të gjitha të ardhurave të përfituara gjatë vitit të kaluar.