Ashtu siç pritej, Kuvendi ka hedhur shortin për zgjedhjen e 9 anëtarëve në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Shorti u hodh nga Kuvendi pas refuzimit të Presidentit Ilir Meta për të mos e hedhur për shkak të vakuumit ligjor. Shorti ka nxjerrë 8 fitues duke lënë një vend vakant nga Gjykata e Apelit, pasi kishte kandidatë vetëm për një vend. Gjatë fjalës së tij, deputeti i PD, Oerd Bylykbashi tha se hedhja e shortit bëhet në kundërshtim me kushtetutën e ligjin, pasi mungon baza ligjore.
Oerd Bylykbashi: Presidenti thotë se ka vakuum ligjor dhe dispozitat tranzitore kanë mbyllur efektin e tyre. Kandidatët filtrohen nga 3 organe kushtetuese, Gjykata Kushtetuese, KLGJ e KLP, të cilat nuk janë ngritur ende. Qëllimi është kapja e sistemit të drejtësisë nga mazhoranca. Tërhiquni nga ky short sot dhe plotësoni vakumin ligjor për funksionimin e KLGJ e KLP.
Gramoz Ruçi: Letrën e presidentit për shortin e kam konsultuar me ekspertët ligjorë të Kuvendit, EURALIUS, OPDAT. Sot është rendi që hidhet shorti.
Pas shortit rezultoi se:
-nga Gjykata Kushtetuese janë zgjedhur Vitore Tusha dhe Bashkim Dedja, ndërsa anëtar zëvendësues nuk ka;
-Ardian Dvorani nga Gjykata e Lartë, ndërsa anëtar zëvendësues Medi Bici;
-Arta Marku nga Prokuroria e Përgjithshme, pa anëtar zëvendësues;
-Fationa Memçaj nga prokuroritë e Apelit, pa anëtar zëvendësues;
-Fatri Islamaj dhe Margarita Buhali nga gjykatat e Apelit, ndërkohë që anëtar zëvendësues është Gurali Braimllari;
-si dhe Eriol Roshi nga gjykatat administrative, me anëtar zëvendësues Klodiana Veizi Memën.
Me ngritjen e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, hapi i radhës është plotësimi i vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese, duke i rikthyer asaj funksionimin.