fbpx

Mapo Letrare

Hijet e mistershme e fillojnë vallëzimin (Poezi)





               Publikuar në : 18:41 - 09/11/19 |
Marisol B. Godoy

Nga Marisol B. Godoy


Muzika



Kur heshtja duket se po konsumon gjithçka…
Diçka brenda meje vazhdon të lëvizë.


Nata

U ndalën të gjitha:
Orët e njerëzve që flenë,
Krahët e zogjve që e gjetën folenë,
Rrezen e diellit që pashë
Mbrëmjes t’i rendte nga pas.

Hijet e mistershme e fillojnë
Vallëzimin e tyre,
Festat netëve dhe
Zija e pasqyrës
Që e mohon qënien e vet.

Turpi

Të të shoh…
Por është më e pëjetshme sesa shkëmbi
Të jetoj në heshtjen tënde
-Banesë e paemër-

Dita e vdekjes sime

Këtu gjithçka është qetësi…
Këmbanat e kishës së fshatit tim nuk bien
As zëri i nënës sime kur thotë se darka është gati.
Pushoi ajo zhurmë dyersh që signalizonte kthimin tënd.
Gjinkallat s’do vinë të më zgjoin më
Me tingullin e tyre cijatës
Dhe të ftohtit s’do më detyrojë t’i kërkoj krahët e tu.

Këtu ku dergjet trupi im i pajetë
Më mungon zhurma e urryer e orës
Dhe më në fund i kuptoj klithjet
Që më sjellin lajmin më të bukur të ditës.

Tash që nuk jam në të njëjtin mëngjes
Me sytë e përtërirë nga drita,
Orët s’mund t’i falenderoj më,
Zërat e tyre s’i dëgjoj dot më.

Zemra ime nuk rreh më nga kjo anë
Ku koha nuk ekziston.

Sistemi dyjar

Një impuls jete
Dhe na sjellin në këtë botë;
Krijesa të vogla pa emër
Vetëm njëri na dallon.
Një ditë, s’do arrijmë dot ta ndezim
dritën tonë,
Aq sa veta jemi do të shumëzohemi
me zero.

Poezia që nuk don të shkruhet

Isha dëshmimtare ende para se të lindja
Isha unë një copë mish që përpiqej të trokiste
Në barkun tënd të kërcënuar nga ankthi

I bëmë ballë urisë së dhunuesve
Shiu e fshiu heshtjen që lanë plumbat
I lamë makthet tona në lumenjtë e ngjyer me gjak
Dhe e kafshuam errësirën që u bë hi
Që ta përballonim frikën e një ditë të re
Tek prisnim vdekjen

I pamë nënat të qanin bijtë e vet
Dhe gratë që e eklipsuan ditën me zinë në tesha
U kapëm çdo natë në mbrojtje të hyjnive
Që ende e shfaqin fytyrën e vet
Dhe i fshehëm ëndrrat nën çatinë e derës

Patkoi i fatit tonë të mbarë
Ishte viktima e bekuar e një plumbi endacak
Më qëllim që unë t’i besoja parandjenjës

Unë e pashë luftën ende para së të lindja
I njoha lotët e nënës sime
Dhe rropamat në zemrën e atit tim
Para këngëve në djep

Pashë një pemë portokalli të athtë
T’i qante portokallet e prishur
Dhe të shërbente si strehë pë rata që
Nën degët e saj
U përpoq ta fshinte ferrin nga kujtesa

Dhe më pyet përse nuk shkruaj poezi për luftën?
Mua që ende përpiqem ta ndal
Jehonën e zërave të tyre
Në ëndrrat e mia.

Përktheu Arjan Th. Kallço

Ilustrimet, foto artistike nga Vivian Horieti


Etiketa: , ,

Pas