Pjesa më e madhe e studentëve që kanë përfituar fondin ekselencës, program i cili ka nisur zbatimin që prej vitit 2007, nuk janë rikthyer në vendin e tyre pas mbarimit të studimeve.
Ata pak që janë kthyer, janë punësuar kryesisht në sektorin privat ose janë regjistruar te zyra e punësimit si të papunë.
Ministria e Arsimit pranon se financimi i të rinjve më të mirë për arsimim jashtë Shqipërisë nuk ka qenë i suksesshëm.
“Janë sipërmarrje shumë qëllim mirë nga ana e qeverive shqiptare ndër vite, por i ka munguar thelbësisht zbatueshmëria. Shteti duhet të kishte mekanizma detyrues më të fortë, në mënyrë që studentët e financuar të ktheheshin aty ku shteti kishte nevojë”, shpjegon pedagogu Elvin Meka.
Top Channel ka mësuar se për 15 vite, qeveritë shqiptare kanë harxhuar nga buxheti i shtetit 1.8 miliardë lekë, për të mbështetur 300 të rinj me rezultate të shkëlqyera për studime jashtë vendit, në 15 universitetet më të mira të botës.
Sipas llogaritjeve në bazë të informacionit nga Ministria e Arsimit rezulton se taksa paguesit shqiptar kanë paguar për një student rreth 30-40 mijë euro.
“Nuk ka asnjë lloj ndëshkimi për keq përdorimin e parave të taksapaguesve shqiptarë”, thotë Meka.
Për shkak të efektivitetit të ulët, në vazhdim, të rinjtë shqiptarë nuk do të mbështeten më për edukimin jashtë, por Ministria e Arsimit ka nisur punimet për një politike të re për të financuar studentët ekselentë brenda Shqipërisë në fushat prioritare për zhvillimin e vendit.