Aktualitet

HISTORI/ 1944-1945, kriza humanitare e popullsisë çame





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:49 - 09/05/20 |
mapo.al

Nga Lorenc Agalliu


Për shkak të masakrave të kryera nga forcat nacionaliste greke gjatë vitit 1944-1945, mbi 23 000 refugjatë çamë kaluan kufirin shqiptar dhe u vendosën në qytetet kryesore të Shqipërisë. Këto familje çame, u shpërndanë dhe u vendosën në 16 qendra kryesore grumbullimi në të gjithë vendin, ku peshën kryesore e zinin qytetet si, Berati, Durrësi, Vlora, Fieri, Lushnja, Kavaja etj. Sipas të dhënave zyrtare, refugjatët çamë ishin shpërndarë pothuajse në të gjitha krahinat e vendit. Në Shkodër, sasia e frymëve ishte 220 refugjatë çamë, në Krujë 990, në Tiranë 1000, në Shijak 915, në Durrës 1425, në Kavajë 1725, në Peqin 830, në zonat e Dumresë 820, në Elbasan 735, në Lushnjë 1880, në Berat 1440, në Fier 2180, në Vlorë 4990, në Delvinë 1120, në Sarandë 1050 dhe në Konispol 1770. Pra në total, numri zyrtar i refugjatëve çamë të regjistruar në dokumentet zyrtare të administratës shqiptare gjatë vitit 1945 shkonte në 23 070 persona.


Edhe pas ardhjes në Shqipëri, gjendja e refugjatëve çamë vazhdonte të ishte e mjerueshme, mbasi Shqipëria e sapodalë nga lufta gjendej përballë një krize të thellë ekonomike dhe vendi kanosej çdo ditë nga uria. Gjendja shëndetësore e refugjatëve çamë të shpërngulur nga trojet e tyre ishte e mjerueshme. Rruga e gjatë dhe rraskapitëse përmes malesh dhe lumenj të rrëmbyeshëm, në drejtim të kufirit të Shqipërisë, bëri që një pjesë e të sëmurëve dhe të plagosurve të vdisnin rrugëve.


Kushtet e vështira të motit, si dhe uria që kishte pllakosur në radhët e popullsisë emigratore çame bënë që qindra vetë, kryesisht fëmijë, pleq dhe të plagosur, të vdisnin rrugës përgjatë kufirit shqiptar. Një pjesë e refugjatëve çamë, me gjithë kushtet e vështira të motit, për shkak dhe të paragjykimeve fetare apo dhe të qëndrimit të popullsisë ortodokse në fshatrat e jugut të Shqipërisë, nuk pranonin të strehoheshin në familjet e krishtera.


Vdekjet

Gjatë gjithë periudhës së eksodit çam deri në fund të vitit 1944 nga Greqia në Shqipëri, sipas të dhënave të organizatave çame që vepronin në Shqipëri numri i të vdekurve për shkak të urisë, sëmundjeve, kushteve të këqija të motit dhe strehimit, shkonte në mbi 2000 persona. Ndërsa që nga koha e nisjes së masakrave në verë të vitit 1944 dhe deri në fund të vitit 1945, numri i të vdekurve nga radhët e refugjatëve çamë shkonte afërsisht në 2755 persona. Lidhur me problemin e refugjatëve çamë, udhëheqja komuniste shqiptare në 19 mars 1945, thirri në Tiranë një takim të gjithë përfaqësive aleate perëndimore. Qëllimi i këtij takimi ishte informimi mbi gjendjen e mjerueshme të komunitetit të shpërngulur çam, si dhe njohja e tyre me krimet e kryera nga forcat nacionaliste greke ndaj këtij komuniteti. Qeveria shqiptare kërkoi gjithashtu, që konkluzionet e takimit, si dhe faktet e bëra prezente mbi masakrat e kryera nga forcat zerviste greke ndaj minoritetit çam, t’u bëheshin të ditura qeverive aleate, duke kërkuar njëkohësisht dhe ndërhyrjen e tyre për riatdhesimin e refugjatëve. Kushtet në të cilat u strehuan familjet çame ishin shumë të rënda. Këto kushte diktoheshin dhe nga kriza e thellë ekonomike në të cilën po kalonte vendi pas përfundimit të luftës. Nënprefektura e Kavajës njoftonte Ministrinë e Ekonomisë në mars të vitit 1945, se deri në këtë kohë në Kavajë ishin instaluar 44 familje të shpërngulura çame, të cilat përbënin gjithsej rreth 200 frymë. Sipas këtij njoftimi rezulton se, pjesa më e madhe e tyre gjendeshin në një gjendje mjaft të mjerueshme dhe se këto familje dispononin vetëm pak bagëti, të cilat kishin arritur të gjalla pas një udhëtimi të gjatë. Lidhur me sistemimin e këtyre familjeve, kjo nënprefekturë sugjeronte Ministrinë e Ekonomisë në Tiranë, që popullsia çame të vendosej së bashku, duke formuar katunde të veçanta, “në mënyrë që mos ngjallin pakënaqësi te bujqit vendas, ashtu si në rastin e instalimit të kosovarëve”. Gjendja e mjerueshme e popullsisë së shpërngulur çame pasqyrohet dhe në raportet e misioneve aleate në Shqipëri dhe kryesisht nga ai britanik, i cili tashmë kishte filluar të ndjente ftohjen në marrëdhëniet me qeverinë komuniste shqiptare. Në një raport të muajit prill të vitit 1945, misioni britanik në Tiranë njoftonte se, “Administrata shqiptare është plotësisht e vetëdijshme për mjerimin e kësaj popullsie (çame) dhe se ajo nuk ka dëshirën për t’iu dhënë ndihmën e përshtatshme”.

Gjendja e të shpërngulurve

Një raport i Këshillit Antifashist Çam në maj të vitit 1945, dërguar Ministrisë së Asistencës Sociale mbi gjendjen e refugjatëve çamë, bënte me dije se, gjendja e familjeve çame ishte shumë e keqe dhe se pothuajse 95% e tyre vuante nga uria dhe skamja. Raporti gjithashtu njoftonte se, edhe ato bagëti që çamët kishin mundur të sillnin me vete, kishin ngordhur gjatë dimrit, ndërsa një pjesë e krerëve ishin shitur për të siguruar disa ditë ushqime për familjet e tyre. Në raport vihet në dukje se, për shkak të kushteve të këqija, çamët u detyruan të shesin të gjitha sendet me vlerë që kishin sjellë me vete. Raporti njoftonte gjithashtu, se shpërngulja e popullsisë çame nga Shqipëria e jugut në drejtim të zonave qendrore të vendit ishte bërë në mënyrë të paorganizuar dhe kaotike. Raporti ndonëse me rezerva, shprehte mirënjohjen e komunitetit çam ndaj ndihmës që qeveria shqiptare kishte dhënë në masat e mara për t’u ardhur në ndihmë familjeve të shpërngulura çame, por kjo ndihmë sipas raportit, nuk kishte mundur të siguronte të gjithë nevojat që kishin familjet çame që gjendeshin në Shqipëri. Duke shprehur besimin se, Ministria e Asistencës Sociale do të udhëzonte në mënyrë të duhur seksionet e asistencës lokale në Prefekturat dhe Nënprefekturat ku gjendeshin çamë të grumbulluar, përfaqësuesit e kësaj popullsie kërkonin gjithashtu, që këto urdhra dhe udhëzime të gjenin zbatim njëlloj kudo dhe të mos kishte dallime. Madje KAÇ, i bënte me dije kësaj ministrie, se ai ishte i gatshëm që të hartonte një listë të familjeve çame të cilat ishin në gjendje të mirë ekonomike dhe që në mensat e ngritura për këtë popullsi, të regjistroheshin vetëm ata persona që ishin në gjendje të rëndë ekonomike.

Pritja e të shpërngulurve

Pasojat e Luftës së Dytë Botërore për Shqipërinë ishin shumë të rënda. Vendi ishte zhytur në një krizë të thellë ekonomike e sociale dhe qeveria shqiptare e dalë pas lufte nuk ishte në gjendje t’i bënte ballë kësaj situate. Ardhja e emigrantëve çamë e gjeti të papërgatitur qeverinë shqiptare, detyrë e së cilës ishte sistemimi i tyre në zona të sigurta, larg kërcënimeve të forcave edeiste, si dhe sigurimi i strehimit e ushqimit për familjet çame. Të traumatizuar nga krimet që kishin parë, në përgjithësi refugjatët çamë preferonin të largoheshin nga rajonet e jugut për në qendër dhe në veri të Shqipërisë, pasi këto rajone ishin më pak të prekura nga lufta. Lëvizjet e paorganizuara dhe të vazhdueshme nga një krahinë në tjetrën, kishin bërë që edhe burrat e aftë për punë të mos punonin dhe kështu në masën më të konsiderueshme të tyre mbizotëronte papunësia. Lëvizja e pakontrolluar e grupeve apo familjeve çame e vuri në vështirësi qeverinë shqiptare dhe administratën e saj, e cila duhet të krijonte kushtet e duhura për strehimin e tyre. Por, me gjithë kushtet e rënda ekonomike në të cilat ndodhej shteti shqiptar, qeveria shqiptare mori disa masa paraprake për t’i ardhur në ndihmë popullsisë në nevojë. Lidhur me marrjen e këtyre masave Ministria e Asistencës Sociale, në tetor të vitit 1945 i dërgonte Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Prefekturës së Beratit një qarkore në të cilën e udhëzonte se; Të gjithë ata persona që përfitojnë nga mensa e që janë të aftë për punë, duhet të aktivizohen sipas qarkores sonë nr.89/9, datë 22 maj 1945, dërguar të gjithë seksioneve sociale. Në rast të kundërt, të përjashtohen nga mensa të gjithë familjet e tyre. Transferimi i çamëve në Durrës nuk mund të bëhet. Për sistemimin e tyre si dhe të internuarve do t’ju dërgohen çadra sapo të na mbërrijnë nga jashtë. Në vazhdën e marrjes së masave për familjet e varfra shqiptare dhe ato të refugjatëve çamë, Ministria e Financave, po në muajin tetor të vitit 1945 nxori një qarkore në të cilën udhëzonte të gjithë Komitetet Ekzekutive të Prefekturave lidhur me sigurimin e banesave për strehimin e familjeve çame të pastreha. Në udhëzim thuhej se; “Sikundër dihet, gati në të gjitha Prefekturat e Shqipërisë ndodhen të emigruar një numër i konsiderueshëm çamë, si dhe familje vendase të dëmtuara gjatë luftës”. Shkresa udhëzonte që për të bërë të mundur sigurimin e strehimit në prag të dimrit që po afronte, të familjeve të dëmtuara nga lufta, si dhe të familjeve çame të shpërngulura me forcë nga Greqia, të gjithë Prefekturat e vendit të merrnin masat e duhura për sistemimin e tyre në barakat vakante, ato shtetërore dhe të sekuestruara, me qëllim evitimin e dëmeve që mund të shkaktohen. Gjithashtu, sipas qarkores së lëshuar nga kjo ministri, ato familje çame të cilat kishin mundësi financiare do të paguanin qira për banesat, ndërsa pjesa tjetër e cila nuk përballonte dot këto shpenzime, duhej të pajisej me një autorizim nga ana e Seksionit të Asistencës Sociale, të cilat në fund të çdo muaji duhet të mbulonin vetë

këto shpenzime. Menjëherë pas mbërritjes së ndihmave të para dhe çadrave të ardhura nga ndihmat humanitare ndërkombëtare nëpërmjet misionit të UNRRA-s në Tiranë, Ministria e Asistencës Sociale dhe degët e saj në Prefekturat e vendit filluan të luajnë një rol të rëndësishëm për sa i përket akomodimit dhe furnizimit me ushqime familjeve çame. Megjithatë organizatat e komunitetit çam të cilat vepronin në Shqipëri nuk ishin plotësisht të kënaqur me mënyrën e organizimit dhe gatishmërinë që kishin treguar disa Prefektura dhe Nënprefektura të vendit, të cilat nuk i ishin përgjigjur si duhet thirrjes së ministrisë për pritjen dhe strehimin e refugjatëve çamë. Lidhur me masat e marra për sistemimin dhe furnizimin e refugjatëve çamë, Seksioni i Asistencës Sociale në Prefekturën e Durrësit, njoftonte në muajin dhjetor 1945, se numri i refugjatëve çamë në Durrës dhe rrethinat e tij kishte shkuar në 1700 frymë. Gjithashtu, shqetësim i madh, jo vetëm për këtë Prefekturë por edhe për ato ku gjendeshin refugjatë çamë ishte lëvizja e pakontrolluar e tyre dhe pa i rakorduar këto lëvizje me organet e pushtetit lokal.

Të gjendur para këtij shqetësimi, Këshillat Nacional Çlirimtar të Rajoneve raportonin se, “dita-ditës nuk pushojnë së paraqituri emigrantë të rinj çamë të ardhur nga Jugu, sidomos nga Fieri, të cilët kërkojnë të strehohen në zonat ranishte”. Të njëjtin shqetësim për sa i përket lëvizjes së pakontrolluar të emigrantëve çamë, disa ditë më parë kishte ngritur dhe Komiteti Ekzekutiv i Prefekturës Vlorë, i cili njoftonte Ministrinë e Asistencës Sociale në Tiranë se, shumë familje emigrantësh çamë kanë lënë qytetet e Lushnjës dhe Kavajës dhe janë drejtuar në drejtim të Vlorës me iniciativën e tyre. Për të ndaluar një migrim të brendshëm të kësaj popullsie, kjo ministri udhëzonte Komitetet Ekzekutive të Prefekturave Durrës dhe Berat që të mos lejojnë shpërngulje të tilla, pasi një gjë e tillë sipas saj, jo vetëm që është në dëm të vetë familjeve çame, por gjithashtu sjellin çrregullime në gjendjen ekonomike të vendit dhe regjistrimin e tyre.

Riatdhesimi? Përplasjet

Krahas zgjidhjes së problemit ekonomik e social të emigrantëve çamë, përpara qeverisë shqiptare shtrohej një tjetër problem po aq i rëndësishëm, siç ishte ai i riatdhesimit apo i të drejtave politike të minoritetit çam. Përpara qeverisë shqiptare shtohej dhe detyra për ndërkombëtarizimin e çështjes çame dhe rikthimin e kësaj popullsie në viset e Çamërisë nga ishte shpërngulur me dhunë. Rrjedhja e ngjarjeve në të cilën ishin futur forcat politike e ushtarake në Greqi nuk favorizonin aspak një rikthim të mundshëm të popullsisë shqiptare çame në Çamëri. Qeveria shqiptare shpresonte se gjatë luftës civile në Greqi, midis EAM-it komunist dhe forcave nacionaliste të EDES-it, do të ishte pikërisht EAM-i ai që do të triumfonte. Por, aleatja e luftës së PKSH në Greqi, EAM-i, tashmë ishte një forcë e papërfillshme, e në këtë mënyrë mundësitë për bisedime me forcat politike greke për një rikthim të mundshëm të popullsisë së shpërngulur çame ishin të pakta. Qeveria e Athinës e krijuar pas luftës me bekimin dhe të britanikëve, pothuajse e kishte mbyllur çështjen çame. Nga ana tjetër dhe qeveria komuniste shqiptare, që gjithnjë e më tepër po shkonte drejt një vetizolimi në arenën ndërkombëtare, e kishte pothuajse të pamundur ngritjen dhe mbrojtjen e çështjes çame në organizmat ndërkombëtarë. Për këtë ajo u mundua të shfrytëzonte praninë e misioneve ushtarake të huaja që ndodheshin në Shqipëri. Për shkak dhe të fillimit të izolimit në arenën ndërkombëtare, duhet theksuar se vëmendja e qeverisë shqiptare ndaj problemit çam nuk ishte maksimal. Përveçse ndonjë reagimit të dobët në shtyp dhe kryesisht në shtypin që botohej nga organizatat e komunitetit çam të vendosur në Shqipëri, reagimi zyrtar i qeverisë shqiptare ndaj problemit çam ishte i dobët.

Në këtë mënyrë qeveria komuniste shqiptare mendonte se do të vihej në vend drejtësia për krimet të kryera ndaj popullsisë çame. Gjithashtu mendohej se, vlerësimi për kontributin e dhënë nga shqiptarët e Çamërisë në Luftën e Dytë Botërore përkrahë rezistencës antifashiste greke, do të ishte në të njëjtat nivele me respektimin e të drejtave që qeveria shqiptare i njohu pakicës greke në Shqipëri. Këto veprime të treguara nga qeveria komuniste, shkaktuan pakënaqësi në radhët e komunitetit çam, i cili nuk e shihte me sy të mirë përfshirjen e çështjes së tij në luftën civile midis forcave politike greke. Pikërisht për këto arsye, përplasjet e qeverisë komuniste shqiptare me krerët e Komitetit Antifashist Çam u dukën që në fillim të vitit 1945. Personi që vuri para akuzës qeverinë shqiptare për moskompetencë në zgjidhjen e çështjes çame dhe për lënien e emigrantëve çamë në mëshirë të fatit, ishte Musa Demi. Akuzat e Musa Demit në adresë të qeverisë shqiptare për vdekjen e dhjetëra emigrantëve çamë në Delvinë si pasojë e mungesës së ushqimeve, e detyruan Ministrinë e Brendshme shqiptare të ndërmerrte masa, duke izoluar gradualisht veprimtarinë e tij. Përpjekjet e qeverisë shqiptare për ta futur çështjen çame në rrugën e burokracisë diplomatike e shqetësoi së tepërmi Komitetin Antifashist Çam në Shqipëri. Përfaqësues të këtij komuniteti u detyruan të protestojnë, duke i dërguar një letër Kryeministrit të Shqipërisë Enver Hoxhës, njëkohësisht dhe ministër i jashtëm, lidhur me paraqitjen e çështjes çame në arenën ndërkombëtare. Në letër i bëhej apel qeverisë shqiptare që të mos e vononte ankesën e Komitetit çam drejtuar Kombeve të Bashkuara, kërkesë kjo e cila prej më se 10 ditësh qëndronte ende në tryezën e punës të ministrit të punëve të jashtme të Shqipërisë.

Ndërkombëtarizimi

Rol negativ në ndërkombëtarizimin e çështjes çame nga ana e qeverisë shqiptare, luajti ftohja e marrëdhënieve të qeverisë komuniste shqiptare me vendet perëndimore dhe kryesisht me Fuqitë e Mëdha Aleate të Luftës së Dytë Botërore. Siç thekson dhe historiani B. Meta, udhëheqja komuniste ia besoi dhe ia nënshtroi zgjidhjen e problemit çam, një problem ky me rëndësi madhore kombëtare, politikave të saj internacionaliste, të cilat sipas autorit, kishin për qëllim vetëm ruajtjen e pushtetit të PKSH, nëpërmjet zbatimit të direktivave të marra nga Moska dhe Beogradi.  Krahas kësaj, qeveria komuniste e Enver Hoxhës problemin çam e shihte si një çështje, që duhej zgjidhur në bazë të parimeve të Kartës së Atlantikut dhe vendimeve të Fuqive të Mëdha të marra në Potsdam dhe Jaltë.

Në kuadër të masave për ndërkombëtarizimin e çështjes çame, në dhjetor të vitit 1945, Ministria e Shtypit, Propagandës dhe Kulturës Popullore udhëzonte Komitetin Antifashist Çam për mbledhjen e të dhënave dhe fakteve rreth masakrave të kryera nga forcat nacionaliste greke kundër popullsisë civile çame, të dhëna këto që do të përmblidheshin në një broshurë, e cila do të botohej në gjuhën frënge. Gjithashtu në shkresën e saj, kjo ministri orientonte KAÇ që organizimi i punës të fokusohej kryesisht në; karakterin etnik të Epirit; shkeljen e të drejtave më themelore të popullsisë shqiptare të Çamërisë, e cila përfundoi me shpërnguljen e tmerrshme të popullsisë çame. Qëllimi i mbledhjes së këtyre materialeve sipas shkresës, kishte të bënte me ndriçimin e opinionit të jashtëm ndërkombëtar për çështjen çame, si dhe për t’iu kundërvënë propagandës në rritje të qeverisë greke dhe pretendimeve të saj për çështjen e Epirit të Veriut. Materiali që do të përgatitej do t’i përcillej më pas Ministrisë së Punëve të Jashtme shqiptare, e cila do ta paraqiste atë në Konferencën e ministrave të jashtëm që po zhvillohej në Moskë. Ndër të tjera, materiali synonte gjithashtu që të evidentonte para opinionit ndërkombëtar se, përballë trajtimit të panjerëzishëm dhe të padrejtë kundrejt minoritetit shqiptar në Greqi qëndronte trajtimi shumë i mirë që i ishte bërë pakicave greke në Shqipëri, jo vetëm në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, por gjatë gjithë historisë së marrëdhënieve greko-shqiptare.

Për sa i përket trajtimit që i është bërë pakicës greke, është i vërtetë fakti se qeveria komuniste shqiptare nuk e mori asnjëherë në konsideratë idenë për shpërnguljen e tyre me dhunë. Madje qeveria shqiptare e gjendur para një presioni të tillë për sistemimin e banorëve të shpërngulur çamë, nuk e mori asnjëherë seriozisht idenë e hedhur nga britanikët për shkëmbimin e popullsisë çame me banorë të pakicave greke që jetonin në disa fshatra në jug të Shqipërisë. Pretendimet e historiografisë greke të cilat e lidhnin FNÇ shqiptar dhe qeverinë shqiptare me dhunën ndaj popullsisë greke që jetonte në jug të Shqipërisë nuk kanë asnjë bazë të vërtetë.

Lidhur me pështjellimet që u krijuan gjatë kësaj periudhe rreth idesë së shkëmbimit të dy minoriteteve, apo të shpërnguljes me dhunë të pakicës greke që jetonte në jug të Shqipërisë, mjafton të përmendim një vërejtje të bërë nga historiani grek J. Margaritis, i cili shpreh mendimin se; Fronti Nacionalçlirimtar Shqiptar nuk pranoi të kryente reprezalje në kurriz të minoritetit grek, që jetonte në vendin fqinj (Shqipëri). “Në kundërshtim më praktikat e vazhdueshme ballkanike”, -thotë autori, – gjaku nuk u shpërblye me gjak dhe dëbimi nuk u shpërblye me dëbim. Në mbyllje të studimit të tij, autori grek Margaritis thotë se; Në mënyrë hiperbolike njerëz të shumtë deklarojnë se vetëm vendi ynë, (Greqia) mësoi qytetërim, por në këtë rast, mësimi është i jashtëzakonshëm dhe sigurisht nuk vjen nga pala greke.


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas