Aktualitet

HISTORI/ Çështja çame që prej Kongresit të Berlinit, një plagë shekullore








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:08 - 13/08/20 |
mapo.al

Çështja çame lindi si problem i mprehtë në marrëdhëniet mes dy vendeve, Shqipërisë dhe Greqisë, që me Kongresin e Berlinit, më 1878, u përligj mbas vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër 1913, ku Çamëria dhe vende të tjera të Shqipërisë u shkëputën pa të drejtë, duke kënaqur me aneksimet e tyre shtetet fqinje. Që nga viti 1913, Çamëria është e pushtuar nga Greqia. Marrja e krahinës së Çamërisë, kësaj barriere për Greqinë u hapi dyert pretendimeve absurde të shovinizmit grek për të marrë hapësira të tjera shqiptare.


Çështja çame është një tragjedi kombëtare jo vetëm në njerëz, por edhe në territore. Tragjedia çame është një padrejtësi që kërkon zgjidhje. Në skajin më jugor të Shqipërisë së sotme shtrihet krahina shqiptare e Çamërisë, ose siç quhet sot pjesërisht nga administrata greke, Thesproti. Ajo shtrihet në pjesën më jugore të trevave etnike të Epirit të Jugut, të banuara prej shqiptarëve që nga antikiteti (nga koha pellazgjike-ilire) e deri më sot. Ajo përbëhet nga një popull e vazhdimësi territori. Këtë e dëshmojnë autorë të lashtësisë, enciklopedia e madhe greke, si dhe shumë autoritete shkencore botërore. Këtë e vërteton prezenca e gjallë, faktori njeri, shqiptarët në gjuhë, kultura dhe tradita. Popullsia e Çamërisë ka qenë homogjene, shqiptare 99% në qytete dhe 100% në fshatra.


Historikisht përkatësia fetare e krahinës së Çamërisë ka kaluar një proces të gjatë ndryshimesh të diktuara nga rrethana të caktuara historike. Nga paganizmi në lashtësi, në katolicizëm në shekujt e parë të erës së re dhe deri në shekullin e 13-të dhe 14-të (prezencën e besimit katolik në Çamëri e dëshmojnë emrat e shqiptarëve në atë kohë, sidomos princërve të saj, si Pjetër Losha, Gjin Bue Shpata etj., si dhe emrat Gjin, Gjon, Marka, Lek, Pal etj). Në këtë periudhë (shekulli i 13-të dhe 14-të), si rezultat i dyndjeve bizantine në krahinën e Epirit (invazionet greko-serbe), kjo krahinë kaloi në ortodoksizëm.


Deri në shekullin e 17-të dhe fillimshekullin e 19-të, popullsia e kësaj krahine ishte e besimit ortodoks. Mbas kësaj periudhe filloi procesi i islamizimit të shqiptarëve. Si rezultat i këtij procesi, sipas të dhënave statistikore të administratës turke, 50% e popullsisë shqiptare u kthye në besimin islam dhe 50% ruajtën besimin ortodoks. Rreth këtyre shifrave, në dëm të etnisë shqiptare është spekuluar deri më sot. Regjistrimi i vitit 1910 i administratës së turqve të rinj dëshmon se në këtë krahinë jetojnë 83898 shqiptarë myslimanë dhe ortodoksë. Ndërsa vjetari statistikor i qeverisë greke të vitit 1930 shënon se në Çamëri banojnë vetëm 26000 shqiptarë, duke mos përmendur shqiptarët ortodoksë, të cilët i konsiderojnë grekë.


Si rezultat i spastrimeve etnike (gjenocidit), që u bë në vitin 1944-1945 në krahinën e Çamërisë, u dëbuan me dhunë 25000 shqiptarë myslimanë, të cilët gjetën strehë në Republikën e Shqipërisë, ku jetojnë edhe sot. Kjo popullsi sot kap shifrën e 250-300000 vetëve (regjistrim i vitit 1991), shifër kjo që shpjegohet me natalitetin e lartë të kësaj popullate mbas gjenocidit. Ndërkohë që në Çamëri (Thesproti, Greqi), komuniteti autokton i shqiptarëve të besimit ortodoks kap shifrën 250000-300000.

Ky komunitet sot nuk guxon të vetëdeklarojë identitetin e vet, si rezultat i politikës mohuese e asimiluese që ndjekin qarqet greke ndaj prezencës së etnive të tjera në territorin grek. Një hartë demografike e misionit anglez në Londër, ku theksohet se në Çamëri në prag të mbarimit të Luftës së Dytë Botërore 75% e popullsisë ishte shqiptare, është një dëshmi autentike e burimeve serioze perëndimore për prezencën shqiptare në këto zona. Dëshmi e pakontestueshme për prezencën e shqiptarëve ortodoksë sot në Çamëri (Greqi) është gjaku dhe lidhjet e hershme fisnore që kanë me ta çamët myslimanë, sado që të përpiqen ta mohojnë këtë qarqet greke.

Me vendim të Konferencës së Ambasadorëve në Londër më 1913, kjo krahinë iu shkëput trungut amë dhe iu aneksua shtetit grek. Me gjithë rezistencën dhe kundërshtitë e veta historike, popullsia autoktone e Çamërisë ju nënshtrua fatit tragjik të saj, duke u konsideruar si minoritet etnik shqiptar në Greqi. Fati i minoritetit shqiptar të Çamërisë përbën një tragjedi jo vetëm në territore, por edhe në njerëz.

Politika dhe qëndrimi zyrtar grek ndaj minoritetit etnik shqiptar në Çamëri
Mbas aneksimit të Çamërisë më 1913 e deri më sot, popullsia e saj gjatë këtyre viteve nën sundimin e shtetit grek nuk ka gëzuar asnjë të drejtë njerëzore e kombëtare që i takon. Qarqet zyrtare greke, mbështetur në konceptimin absurd të mohimit të ekzistencës së grupeve etnike në territorin e vet, kanë ndjekur një politikë shoviniste të detajuar në dy drejtime:

Ndaj shqiptarëve të besimit ortodoks, politikën e asimilimit, duke u privuar çdo e drejtë etnie, kulturore apo gjuhësore, duke i konsideruar grekë, pra ngatërronin me qëllim fenë me kombësinë. Veprime që i bëjnë edhe sot ndaj shqiptarëve, duke pretenduar se të gjithë ortodoksët janë grekë.

Ndaj shqiptarëve të besimit islam aplikuan politikën e gjenocidit dhe shfarosjes, duke mohuar gjithashtu etninë. Në shumë raste me qëllim i kanë konsideruar turko-çam dhe jo shqiptaro-çam. Kjo tragjedi e projektuar afro një shekull më parë nga Greqia ia arriti qëllimit në fund të Luftës së Dytë Botërore më 1944-1945, kur bandat kriminale të gjeneralit famëkeq Napolon Zerva realizuan spastrimin e plotë etnik të shqiptarëve myslimanë të Çamërisë.

Gjenocidi grek në Çamëri
Për të realizuar synimet e veta grabitqare, qarqet zyrtare greke asnjëherë nuk respektuan popullatën shqiptare të Çamërisë, duke u treguar mosmirënjohës ndaj ndihmesës së vyer historike që ky popull dhe kjo krahinë i kanë dhënë historikisht në shekuj për popullin grek.

Së pari, fill mbas aneksimit, ajo nënshtroi me dhunë popullatën e pafajshme shqiptare, duke vrarë me pabesi 72 burra nga paria e kësaj krahine më 1913, ne vendin e quajtur Selan, Paramithi (Ajdonat), të cilët kishin shkuar për bisedime me palën greke, si dhe dhjetëra e dhjetëra njerëz të tjerë të pafajshëm. Për të ndaluar persekutimet e qeverisë greke kundër popullsisë shqiptare të Çamërisë, më 8 qershor 1913, patriotët çamë në një protestë drejtuar qarqeve evropiane kërkuan që të ndalen masakrat dhe persekutimet ndaj tyre.

Së dyti, “ajo që tmerroi çamët si veprim vdekjeprurës ishte përpjekja katanike e qeverisë greke më 1923-1924, për të përfshirë edhe çamët myslimanë midis turqve myslimanë që banonin në Greqi, të cilët sipas marrëveshjes së Lozanës, janar 1923, midis Turqisë dhe Greqisë, do të shkëmbeheshin me grekët e Anadollit”. Qeveria greke, duke shkelur në mënyrë flagrante këtë marrëveshje, nuk iu përmbajt deklaratës së përfaqësuesit të saj në Lozanë, Kaklamanos, më 19 janar 1923, ku deklaroi se qeveria e tij nuk kishte aspak ndërmend të fuste në shkëmbim “myslimanët me origjinë shqiptare”. “Ndërsa janë bashkëfetarë me turqit, nuk janë aspak bashkëkombës të tyre”. Komisioni greko-turk (mars 1924) vendosi kundrejt popullsisë shqiptare të Çamërisë një realitet etnik dhe historik që njihej edhe nga pala greke, të mos zbatohej asnjë lloj procedure apo formaliteti në kuadrin e shkëmbimit të popullsisë greko-turke. Në kundërshtim me realitetin historik dhe marrëveshjet e arritura, qarqet zyrtare greke detyruan me forcë këmbimin (si skllevërit zezakë të mesjetës) e çamëve, që arrinin në disa dhjetëra mijëra vetë, duke realizuar në atë kohë një pjesë të planit të hartuar për një spastrim etnik në “minoritet” autokton në trojet e veta.

Së treti, me ardhjen në fuqi të qeverisë fashiste të Joani Metaksait më 1930, gjendja e popullsisë shqiptare të Çamërisë u rëndua edhe më shumë. Kjo qeveri zbatoi një politikë diskriminimi të paparë. Vazhdoi kolonizimin me grekë, me qëllim ndryshimin e raporteve të popullsisë; ndërrimin e emrave shqip të vendbanimeve të shqiptarëve me emra grekë; aplikoi një gjenocid të vërtetë: arrestime, internime, konfiskime të pasurisë. Ky program thellohej hap pas hapi, duke e bërë jetën e shqiptarëve të padurueshme.

Së katërti, gjendja në Çamëri u bë më e turbullt dhe më e rëndë sidomos në prag të Luftës së Dytë Botërore. Në prag të pushtimit të Greqisë nga Italia fashiste, qeveria greke bëri mobilizimin e përgjithshëm të popullsisë për luftë. Shqiptarët e Çamërisë si mbështetës të këtij shteti kërkuan të mobilizohen, por në vend të armëve iu dhanë kazma dhe lopata, duke i çuar në prapavija për të bërë punime të dorës së dytë. Qeveria greke, me këtë veprim mosbesimi të demonstruar hapur, ofendoi rëndë gatishmërinë e çamëve dhe i distancoi ata nga detyrat qytetare me qëllim të paramenduar, për t‘i akuzuar më vonë çamët myslimanë si bashkëpunëtorë me pushtuesin.

Së pesti, në prag dhe me fillimin e luftës italo-greke, nga frika për çka kishin bërë ndaj popullsisë së pambrojtur, duke u bërë pre e vrasjeve, grabitjeve, përdhunimeve nga bandat kriminale greke. Me pushtimin e Greqisë, kur u kthyen nga internimi, çamët me shpirtin e tyre të durueshëm, për të mos acaruar dhe mos e thelluar mynxyrën që po u kanosej, nuk ndërmorën asnjë veprim hakmarrjeje, por zgjodhën rrugën e pajtimit. Këtë e dëshmojnë vetë historianët seriozë, grekë të ndershëm dhe qytetarët e tjerë të kësaj krahine.

Gjenocidi i pashembullt dhe dëbimi me dhunë i shqiptarëve etnikë (myslimanë) nga vendbanimet historike
Më 27 qershor të vitit 1944, në krahinën e Çamërisë, ndaj popullatës shqiptare myslimane filloi akti i fundit i gjenocidit, që çoi në spastrimin etnik të kësaj popullate martire. Bandat kriminale të shovinizmit grek derdhën mbi këtë krahinë mizoritë më të pashembullta të njerëzimit. Barbarizmat ndaj kësaj popullate të pafajshme kalojnë çdo cak njerëzor. Vrasje, përdhunime, groposje për së gjalli, prerje të organeve të ndryshme trupore si hundë, vesh, organe gjenitale etj., gra të masakruara e me gji të prerë, fëmijë të djegur në furra, gra shtatzëna me bark të çarë, janë pamjet e tmerrshme të krimeve zerviste. Në qytetin e Paramithisë, ditën e martë më 27 qershor 1944, që është dita e “Shën-Bartolomeut”, për të gjithë Çamërinë, brenda 24 orëve u vranë mbi 600 burra, gra e fëmijë. Në Filat, gjatë periudhës qershor 1944-mars 1945 u masakruan dhe u vranë 1286 persona, në Gumenicë u vranë 192, në Margëlliç e Pargë 626 persona etj. Ka me qindra të tjerë të paidentifikuar e të zhdukur pa lënë gjurmë. Janë grabitur të gjitha llojet e orendive shtëpiake në masë (fshatrat e Çamërisë kanë qenë të njohura për pajisjet e shtëpive).

U shkatërruan 68 fshatra, u dogjën dhe u rrënuan 5800 shtëpi, u shkatërruan të gjitha objektet e kultit, si dhe u grabitën pasuritë, pronat e këtyre kulteve (mbi 80 xhami). Terrori ishte i përmasave të tilla, sa që popullsia shqiptare myslimane u detyrua të braktisë trojet e të parëve të tyre mijëravjeçare, duke gjetur strehë në republikën e Shqipërisë. Përmasat e kësaj tragjedie dhe qëllimin e saj e dëshmojnë në mënyrë të pakundërshtueshme edhe misionet anglo-amerikane, që vepronin në atë kohë një në Greqi dhe një në Shqipëri.

Përpjekja për ta ndërkombëtarizuar çështjen çame
Mbas dëbimit të dhunshëm, emigrantët çamë që rezultonin me nënshtetësi greke e kombësi shqiptare, u organizuan menjëherë në Shqipëri nën drejtimin Komitetit Antifashist Çam, sensibilizuan organizmat e ndryshme ndërkombëtare, si dhe shtetin amë, lidhur me tragjedinë dhe kërkesat e tyre të ligjshme. Qeveria e re shqiptare pas luftës iu drejtua Konferencës së Paqes në Paris dhe Konferencës së Ministrave të Jashtëm të Fuqive Aleate, jo vetëm duke pasqyruar gjendjen rrëqethëse të çamëve, por edhe duke kërkuar kthimin dhe ripronësimin e tyre. Dhe kjo ishte e drejta e tyre e ligjshme, që mbrohej edhe nga vendimet e atëhershme ndërkombëtare për të drejtat e pakicave kombëtare. Tabloja e mjerimit të çamëve dhe kërkesat e tyre u parashtruan edhe në Konferencën e Parisit (1946) prej Ministrisë së Jashtme Shqiptare. Përpjekjet më të mëdha për ta ndërkombëtarizuar problemin dhe për të tërhequr përkrahjen e Fuqive Aleate i bëri Komiteti Antifashist Çam, si përfaqësuesi më i drejtpërdrejtë i popullit. Janë të shumta memorandumet dhe telegramet e protestës që u ka dërguar Fuqive Aleate dhe forumeve përkatëse si Asamblesë së Kombeve të Bashkuara në Londër, Uashington e Moskë, Shtabit të Përgjithshëm të Mesdheut etj.

Këto mbetën kërkesa dhe protesta pa përkrahje dhe pa përgjigje. Përgjigje dhe përkrahje nuk u dhanë as përfaqësuesit të misionit anglez, amerikan, rus dhe jugosllav, që morën pjesë në Kongresin e Dytë Çam, i cili u mbajt në Vlorë në vitin 1945 dhe që e panë me sy katastrofën e kësaj popullsie. Në vitin 1946-1947, Komisioni Ndërkombëtar Hetimor i OKB-së, gjatë verifikimit të kësaj tragjedie në të dy anët e kufirit shtetëror, konkludoi me fakte dhe dëshmi të gjalla mbi përmasat dhe realitetin e masakrave të kësaj tragjedie të dhunshme. Mbas kësaj, vetëm Forumi Ndërkombëtar i UNRRA-së, duke e kategorizuar popullatën çame të dëbuar si emigrantë lufte, dha një ndihë ekonomike mbi 14 milionë dollar USA dhe ndihma të tjera materiale për mijëra refugjatë të uritur dhe të pastrehë.

1947-1990, heshtje enigmatike
Ndërkohë që çamët shpresonin për një zgjidhje të të drejtave legjitime, përpjekjet e tyre u pasuan me një heshtje totale. Kjo periudhë (1946-1990) është një nga aktet më të rënda të kësaj tragjedie. Një heshtje e tillë me shkaqe kaq të thella, ende është enigmë.

Qëndrimi zyrtar grek, mbas dëbimit të shqiptarëve myslimanë nga Çamëria
Ndaluan me dhunë çdo përpjekje për të ruajtur identitetin e popullatës shqiptare të besimit ortodoks, të cilët banojnë edhe sot e kësaj dite në Çamëri (Thesproti). U ndalua përdorimi i gjuhës amtare shqipe të flitej në mjedise urbane dhe një sërë masash të tjera asimiluese, me qëllim që të humbasin vetëdijen e origjinës së tyre kombëtare. Si rezultat i kësaj politike asimiluese, shtypjes dhe diskriminimit, popullsia shqiptare e besimit ortodoks nuk guxon sot të vetëdeklarohet në Çamëri.

Mbas vitit 1945 filloi dhe aksioni për ndryshimin e strukturës demografike të Çamërisë, kolonizimi me grekë, arumunë, romë i vendbanimeve të çamëve të dëbuar, me qëllim që krahina e Çamërisë të ndryshojë fizionominë.

Pronat dhe pasuritë e çamëve të dëbuar, pjesën më të madhe të tyre, qeveria greke ua ka dhënë në përdorim këtyre kolonëve, por pa të drejtë tapie.

Qeveria e sotme greke ndjek një politikë diskriminuese ndaj çamëve në Shqipëri, duke i penguar për të parë vatrat e tyre. Ajo i friket së vërtetës, ringjalljes tradicionale midis vëllazërisë midis çamëve myslimanë dhe ortodoksë.

Ndryshoi përfundimisht toponomastikën shqipe me grekë në vendbanimet e shqiptarëve në Çamëri.

Demokratizimi në Shqipëri dhe trajtimi i problemit
Fitorja e forcave demokratike në Shqipëri, rrëzimi i sistemit komunist dhe i pushtetit monist 45-vjeçar, krijoi kushte e premisa për trajtimin e këtij problemi të madh kombëtar. Si rezultat i pluralizmit, në janar 1991 u krijua shoqëria patriotike atdhetare “Çamëria”, si vazhduese e përpjekjeve dhe aspiratave të popullatës martire të Çamërisë. Problemi i Çamërisë është në programet e disa partive të vogla politike në Shqipëri, të cilat po bëjnë përpjekje për zgjidhjen e tij në përputhje me frymën e standardeve e dokumenteve ndërkombëtare të OKB-së, OSBE-së, Këshillit të Evropës mbi të drejtat e njeriut. Në radhë të parë, shoqëria patriotike atdhetare “Çamëria”, si dhe pjesërisht qeveritë demokratike shqiptare, i janë drejtuar qeverisë dhe shtetit grek për të zgjidhur këtë problem të mbetur pezull nga e kaluara e afërt, duke gjykuar se bisedimet dypalëshe janë mënyra më e mirë për trajtimin dhe zgjidhjen e tij.

Por qeveria greke dhe personalitetet e larta të saj, deri tani kanë mbajtur një qëndrim mohues. Sipas qëndrimit zyrtar grek, çamët myslimanë nuk do të lejohen të kthehen në Çamëri (Greqi), “sepse kanë bashkëpunuar me okupatorin gjerman në Luftën e Dytë Botërore dhe si të tillë ata janë kriminelë lufte dhe janë dëbuar sipas ligjeve greke” (Kryeministri grek, K. Micotaqis, Tiranë, maj 1992). Kjo është shpifje monstruoze dhe falsifikim i qëllimshëm i të vërtetës historike. Të konsiderosh çamët “kriminelë” në një kohë kur ata kanë derdhur gjakun, bashkë me grekët, për çlirimin e përbashkët, është krim i inskenuar politiko-diplomatik.

Sepse çamët nuk kanë bashkëpunuar me okupatorët, të çfarëdo lloji qofshin, por janë viktima të tyre. Në qoftë se në Çamëri ka pasur disa dhjetëra kolaboracionistë (fenomen që është vërtetuar në të gjitha shtetet që janë pushtuar nga nazifashizmi gjatë Luftës së Dytë Botërore), në Greqi si të tillë kanë qenë dhjetëra mijë vetë (grekë) me gjeneral Ralisin në krye. Askush sot nuk akuzohet në Greqi, përkundrazi janë rehabilituar me amnistinë e përgjithshme që ka bërë ky shtet. Është fakt historik që çamët janë rreshtuar ndër të parët në rezistencën greke kundër pushtuesit të përbashkët (në radhët e ELAS-it dhe EAM-it). Ekzistojnë dokumente të RAJH-ut gjerman që dëshmojnë se Napolon Zerva, një nga përgjegjësit kryesorë të gjenocidit grek ndaj çamëve, ka qenë bashkëpunëtor i Gestapos gjermane.

Nuk mund të fajësohet një popullatë prej dhjetëra mijëra vetësh, sepse sipas gjyqeve speciale politike të inskenuara, në mungesë të çamëve të dëbuar dhe pa mbrojtje juridike, janë dënuar rreth një mijë vetë. Ky qëndrim zyrtar grek nuk është aspak në nderin e qeverisë greke, e cila ka firmosur dhe ratifikuar të gjitha konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Ne nuk akuzojmë sot si fajtore qeverinë aktuale greke për këtë tragjedi, por ajo bëhet bashkëfajtore kur nuk dënon gjenocidin e qarqeve shoviniste greke dhe nuk pranon të zgjidhë problemin çam, duke përdorur akuza false që fshehin të vërtetën. Kjo tragjedi për sa kohë do të qëndrojë pezull, aq më shumë do të rëndojë në ndërgjegjen e popullit grek.


Etiketa: ,

Pas