Aktualitet

HISTORI/ Fati i njerëzve të afërm të Stalinit






Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 19:21 - 03/10/20 |
Spiro Mëhilli

Spiro Mëhilli


Stalini vuante nga arteroskleroza. Pas mbledhjes së Jaltës në vitin 1945, ai pësoi tri kriza kardiake brenda 5 muajve. Vdiq në 5 mars 1953 në moshën 73-vjeçare nga hemorragjia masive e bërthamave të nënkores së hemisferës së majtë trunore. Është përfolur se e helmoi Lavrent Beria, duke i dhënë antikoagulantin varfarine me dozë të madhe. Profesor Mjasnikovi, që bëri autopsinë e kufomës me ndihmën e 7 mjekëve të tjerë, në 9 mars 1953, deklaroi se ai vuante nga forcimi progresiv i artereve të trurit, gjë që mund të shpjegonte sjelljen e tij paranojake dhe pamundësinë për të dalluar miqtë nga armiqtë, për të thënë më pas për sëmundjen e Alvarezit. Stalini pati një hemorragji masive në bërthamat e nënkores së hemisferës së majtë të trurit, që çoi në çrregullime të pakthyeshme të frymëshkëmbimit dhe të qarkullimit të gjakut. Pas vdekjes ai u vendos në Sallën e Kolonave të Pallatit të Sindikatave në Moskë.


Turma e dendur dhe e çrregullt e njerëzve të ekzaltuar nga vdekja e këtij gjeniu bëri që të shtypeshin e të vdisnin mbi 500 veta. Më pas, trupi i tij u vendos pranë atij të Leninit, në Mauzoleumin që ndodhej në Sheshin e Kuq. Do ishte njëri nga shokët e tij, Nikita Hrushiovi, që në Kongresin XX të PKBS do zbardhte krimet e Stalinit dhe kufoma e tij të hiqej nga Mauzoleumi dhe të digjej, për t’i mbetur vetëm historisë. Stalini ishte sigurisht një i sëmurë mendor. I kishte të gjitha simptomat e kësaj sëmundjeje, sadizmin, intolerancën ndaj kritikave, etjen për hakmarrje, maninë e përndjekjes, megalomaninë. Kjo sëmundje u rëndua me rëndimin e arterosklerozës. Ai, anëtarët e familjes i trajtonte shumë keq.



Nadjezhda Allilujeva vuante nga një sëmundje e rëndë nervore, ndoshta një sindromë depresivo-manjakale e trashëguar nga një formë e çrregullimit të personalitetit edhe pse Svjetllana foli për skizofreni. Në vitet 1922-1923 vuante nga pagjumësia dhe dobësia. Në vitin 1926 ajo bëri një abort që sipas të bijës i shkaktoi probleme femërore dhe për shumë muaj nuk pati menstruacione. Pas një grindjeje që patën atë vit, Nadja mori dy fëmijët dhe iku në Leningrad duke i thënë se e kishte lënë. Stalini e luti dhe ajo u kthye. Në vitin 1927 mjekët konstatuan se ajo kishte probleme në një nga valvulat e zemrës dhe vuajti nga artriti dhe angina.


Në vitin 1929 mbetën shpesh të ndarë. Në vitin 1930 angina iu shfaq përsëri, saqë i hoqën bajamet. Qëndrimi në Karlsbad nuk ia largoi dhimbjen e kokës. Në vitin 1931, kur ajo ishte 30 vjeçe, studionte në degën e kimisë në Akademinë Industriale të Moskës dhe i kushtohej studimit të fibrave sintetike. Në leksione shkonte me tramvaj. Shokët e klasës i përshkruanin gjendjen e mjerueshme në Ukrainë, ku ata kishin kaluar verën si aktivistë. Edhe Kira Allilujeva kur shkoi te burri i hallës, Stanislav Redensi, në atë kohë shef i GPU-s në Harkov, pasi kishte hapur një nga perdet e dritareve të vagonit ku ndodhej, kishte parë një mizëri njerëzish me bark të fryrë që po vdisnin urie dhe ia tregoi atë hallës Ana dhe ajo kunatës, Nadjezhdës, e cila ia tregoi Stalinit. Ai ia ktheu se “janë thashetheme trockiste”.


Pasi kishte dëgjuar nga shokët se dy vëllezër ishin arrestuar sepse kishin ngrënë mish njeriu, ajo u detyrua të hidhej në sulm. Çfarë ndodhi? Stalini nga kjo thënie e së shoqes reagoi duke e quajtur atë “mungesë të disiplinës politike”, arrestoi studentët e Akademisë Industriale dhe dërgoi në internim të gjithë ata studentë që kishin qenë në Ukrainë. Shokët humbën besimin ndaj saj duke menduar se ajo ishte shkaktare e arrestimeve dhe ekzekutimeve, dukuri që atë e vrau shpirtërisht. Ajo dhe Buharini kishin një ndjenjë mosaprovimi që fshatarët të vdisnin nga uria. Në 8 nëntor 1932 Voroshillovi shtroi në Kremlin një darkë të madhe për nder të 15-vjetorit të Revolucionit Socialist të Tetorit.* [*- Në të vërtetë Grushtit të Shtetit.] Stalini në sy të pranishmëve i tha të shoqes: “Ej ti! Pi diçka”, dhe i hodhi cigaren e ndezur, ndërsa ajo bërtiti: “Nuk quhem ej. Si guxon të më flasësh në atë mënyrë?” pastaj përpara gjithë të ftuarve u ngrit nga tryeza dhe u largua duke vrapuar.

Polina Molotova e shoqëroi deri te Pallati Poteshnij dhe i tha: “Nuk është e drejtë të braktisësh Stalinin në një periudhë kaq të vështirë”. Guvernantja Karolina Vasiljevna Til e gjeti Nadjezhdën të shtrirë në shesh, mes të një pellgu me gjak ngjitur me krevatin e saj. Në dorë ajo mbante pistoletën e markës “Valter” që ia kish sjellë i vëllai, Pavli, nga Berlini. Kufoma e saj kishte një fytyrë të rregullt me sytë gjysmë të hapur, kurse në kraharor, në vendin ku projektohej zemra kishte një vrimë prej 5 mm. Profesor Kushner dhe një koleg ekzaminuan kufomën në dhomën e saj të gjumit. Enukidze kryesoi funeralin me Dora Kazan dhe çekistin Pauker. Ajo vrasje ishte politike. Mëngjesin e 10 nëntorit kufoma u çua në Kremljovka. Natën, arkivoli u çua në sallën e kolonave pranë Sheshit të Kuq dhe Kremlinit.

Në 8 të mëngjesit, Jagoda iu bashkua komisionit të funeralit. Stalini qau pranë arkivolit, kapi kokën e saj dhe filloi ta puthte, por nuk mori pjesë në varrimin e saj në Novo Devici. Molotovi u mundua ta përligjte këtë vetëvrasje duke thënë se Nadjezhda ishte xheloze ndaj një berbereje që ishte e caktuar të rruante Stalinin. Dhe Stalini nga ai moment braktisi daçën në Zubalovo që ndodhej 35 km larg Moskës, pranë Usovos, vend ku Stalini dhe të tjerë udhëheqës sovjetik kishin daçat e tyre dhe u vendos në Kuncevo që ndodhej jo më larg se 8 km nga Kremlini.

Jakov Xhugashvili (1907-1943), djali i Ekaterina Shvanixes dhe i Stalinit, u rrit nga prindërit e të ëmës. Fliste keq rusishten dhe kishte aksent si i ati, Stalini. U bashkua me familjen e Stalinit kur ishte 20 vjeç. Persekutimi i tij vazhdoi deri në vitin 1928, kur pasi u ofendua nga i ati, u fut në kuzhinën e apartamentit në Kremlin dhe qëlloi veten me plumb në gjoks. Stalini pa e prishur terezinë i tha: “Ah! Nuk je i aftë të marrësh shenjë”. Pasi gjendja e tij shëndetësore u përmirësua, menjëherë u dërgua në Leningrad në familjen e të shoqes, Nadjezhdës, tek Allilujevët. Në vitin 1939 mbaroi Akademinë “Frunze” që e kishte filluar në vitin 1935 dhe hyri në forcat e armatosura me gradën toger. Në vitin 1937 u martua me një grua të divorcuar, hebrejen Juliana, që Stalini nuk e kishte miratuar. Në vitin 1938 u lindi vajzë, Xhulia.

Në 22 qershor kur ai ishte 33 vjeç e çuan në Baranovic të Bjellorusisë Perëndimore, në repartin e artilerisë ku luftoi me trimëri deri sa u kap rob nga gjermanët. Kur nazistët në vitin 1943 kërkuan ta shkëmbenin Jashën me marshallin fon Paulus, komandantin e Armatës 6 Gjermane, “Kërkojnë të bëjnë pazarllëqe me mua. Nuk do ta pranoj. Lufta është luftë. Nuk kam asnjë fëmijë me emrin Jakov, nuk kam asnjë fëmi me emrin Jakov” – tha “i madhi” Stalin. Propaganda bolshevike e interpretoi këtë dukuri se për Stalinin të gjithë djemtë e Rusisë ishin djemtë e tij. Jakovi u dërgua në tri kampe përqendrimi: në Hammelburg, Lubecca dhe Sachsenhausen dhe u rezistoi të gjitha kërcënimeve.

Para se ai të tentonte të arratisej tha: “Nëse nuk do ta shoh më vendin tim, kërkoj që t’i thoni babait tim, Josif Visarionoviç Stalinit, që unë nuk e kam tradhtuar asnjëherë dhe ajo që ka farkëtuar propaganda gjermane është veçse një gënjeshtër”. U vra nga një ushtar gjerman në tentativë për t’u arratisur. Në verën e vitit 1941 Julian e arrestuan dhe ndenji në burg deri në pranverën e vitit 1943, kur u vërtetua që ajo nuk kishte pasur lidhje me kapjen rob të Jakovit.

Vasili Xhugashvili, (1921-1962) donte të bëhej pilot aviacioni ushtarak. Alkoolist sa vazhdimisht ishte i dehur. Në vitin 1940 u martua me Galina Burdonovskajan, dhe patën dy fëmijë, Aleksandrin në vitin 1941 dhe Nadjezhdën në vitin 1943. Ishte i dhunshëm sa godiste të shoqen, Galinën, që sapo kishte lindur Aleksandrin; në vitin 1946 u martua me Katja Timoshenkon dhe patën dy fëmijë, Svjetllanën në vitin 1947 dhe Vasilin në vitin 1949 dhe një martesë të tretë në vitin 1950 me Kapitolina Vasiljevnën. Ai filloi të kishte marrëdhënien me Nina Karmen, të cilën e mori në rezidencën e vetë.

Thuhet që ka pasur dhe një martesë të katërt. Në Zubalovo merrte një grup vajzash dhe kalonte kohën. Në 26 maj 1943 Stalini urdhëroi komandantin e aviacionit Novikov që ta hiqte menjëherë nga komanda e regjimentit të aviacionit dhe të njoftonte oficerët e regjimentit se kolonel Vasili Stalin është hequr për dehje dhe korruptim të regjimentit. Pati 7 fëmijë, 3 prej të cilëve të adoptuar. Arriti të merrte gradën e gjeneralit. Tre javë pas vdekjes së Stalinit u degradua dhe u largua nga ushtria.

Svjetllana Xhugashvili (1926-) ishte dashuruar me skenografin hebre Aleksej Jakovleviç Kapler, që sipas Stalinit ishte agjent britanik, prandaj më 2 mars 1943 e morën dhe e çuan në burgun e Lubjankës duke e akuzuar për bashkëpunim me armikun e jashtëm dhe më pas e degdisën 5 vjet në Verkuta për spiunazh. Në vitin 1945 Svjetllana u martua me hebreun Grigori Morozov (1921-2002), student në Institutin për Marrëdhënie Ndërkombëtare, dhe po atë vit u lindi djalë, Josif Morozovi.

Pas divorcit me Grigorin, në pranverën e vitit 1948, ajo u martua për së treti me Juri Zhdanovin dhe në vitin 1950 u lindi vajza, Katja Zhdanova. Edhe me Jurin u divorcua. Vite më vonë në SHBA do shkruante librin me kujtime që i dedikohej të atit.

Aleksandër Shvanidze, vëllai i Ekaterina Shvanidzes, gruas së parë të Stalinit, një nga bolshevikët e parë gjeorgjian. U martua me Marien, një vajzë e pasur nga familja Koronas, me origjinë hebreje spanjolle, këngëtare opere dhe shumë e bukur. Aleksandri u pushkatua në vitin 1942 kur ishte 60 vjeç. Kur Maria mori vesh vrasjen e të shoqit, vdiq në vend nga pushimi i zemrës. I biri 8 vjeç u arrestua, sepse tha “Ju jeni armiq të popullit” dhe u dërgua në Siberi si “djalë i armikut të popullit”. Kunata e Stalinit Maria Shvanidze motra e Ekaterinës dhe e Aleksandrit ish-sekretarja e Enukidzes u arrestua dhe vdiq në internim.

Ana Allilujeva, e motra e Nadjezhda Allilujevës, u dashurua me asistentin polak të Xherxhinskit, Stanislav Redens, në kohën kur ishin në Perm me detyrë. Stanisllav Redens u arrestua në vitin 1938 si “armik i popullit” dhe u pushkatua me gjithë lutjet e Anës. Më vonë Stalini urdhëroi arrestimin e Anës, që u çmend në burg por jetoi deri në vitin 1964. Ksenia, e veja e vëllait të Nadjezhdës, Pavël Allilujevit, ushtarak profesionist dhe atashe ushtarak në vitet 1930-1933 në Gjermani, u arrestua në vitin 1948 së bashku me Evgjenian, gruan e xhaxhait të Nadjezhdës, si mikesha të hebrenjve dhe u dënuan me 10 vjet burg për spiunazh. U liruan në 1954 pas vdekjes së Stalinit.


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas