Aktualitet

HISTORI – Shpërngulja e popullsisë shqiptare të Çamërisë në Turqi









Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:45 - 22/01/21 |
mapo.al

Pas rënies së Perandorisë Osmane, luftërat ballkanike ia kishin dyfishuar territoret dhe popullsinë Greqisë, në dëm të fqinjëve. Orekset shoviniste greke për çdo ditë shtoheshin, drejt gllabërimit të tokave të huaja. Koncepti ekspansionist i “megalidesë” që synonte të përfshinte në brendësinë e kufijve të saj tokat ku banonin ortodoksët e Turqisë. Kjo aventurë solli një disfatë poshtëruese për grekët.



Diskreditimi politik dhe katastrofa ushtarake që pësoi atje u shoqërua me shumë shkëmbime të qindra e mijëra njerëzve. Më 30 janar 1923 u nënshkrua në Lozanë marrëveshja turko-greke, mbi shkëmbimin e grekëve të Anadollit, me “turqit” e Greqisë. Sipas marrëveshjes, duke filluar që nga 1 maji i vitit 1923: “…duhet të kryhet shkëmbimi, i detyrueshëm i shtetasve “turq” të besimit ortodoks. Grekët e vendosur në tokat turke, gjithashtu edhe i shtetasve grekë të besimit mysliman të vendosur në tokat greke.” Në komisionin miks, të ngarkuar me zbatimin e shkëmbimit, u vendos që të “përjashtohej popullsia e Çamërisë”. Realiteti praktik qe ndryshe. Pa u tharë nënshkrimet në marrëveshje, qeveritarët grekë i shkelën ato. Nën etiketën “turq” ata vendosin t’i largojnë me mijëra shqiptarë nga trojet e tyre në Çamëri.


Vrasja e Telinit e më pas
Gjendja acarohej së tepërmi, kur qarqet shoviniste greke organizuan vrasjen e gjeneralit italian Telini, dhe anëtarëve të Komisionit Ndërkombëtar për përcaktimin përfundimtar të kufirit, duke dashur të fajësojnë Shqipërinë. Disa ditë më vonë italianët e pushtojnë Korfuzin. Më 31 mars 1923, Konferenca e Ambasadorëve, e deklaron fajtor të krimit qeverinë greke dhe e ngarkon me përgjegjësi. Athina e tërheq përkohësisht përfaqësuesin e saj nga Tirana. Punët marrin një kthesë me pasoja të rënda për popullsinë e Çamërisë. Autoritetet greke e intensifikojnë luftën për shpërnguljen e çamëve për në Anadoll. Musa Demi, Ymer Capari, Xhevat Merushi të cilët kërkojnë ndërhyrjen e Komisionit miks për të ndaluar dëbimin, burgosen.




Banda hajdutësh profesionistë nga autoritetet lokale, terrorizonin popullsinë që të deklaroheshin “turq”. Ata përdornin me mjeshtëri metodat më shkatërrimtare për të shpërngulur njerëzit. Duke i rrëmbyer natën nga shtëpia, duke iu kërkuar shuma të konsiderueshme parash për t’i liruar pastaj etj. Kështu rrëmbehet Man Ismaili dhe lirohet pasi paguan 200 napolona ari, vëllai i Murat Gjikës 300, Agako Pronja 600 etj., hajdutët pasi bënin gjithçka natën, të nesërmen shkonin nëpër fshatra forcat e rendit dhe i hapnin popullsisë plagë të reja duke e akuzuar se “strehonte” hajdutë.



Popullata e pafajshme, duke përjetuar tortura nga më të ndryshmet nuk u gjunjëzua. Ajo i dërgoi disa herë përfaqësuesit e saj për të protestuar pranë qeverisë kundër dhunës e padrejtësive. Në rrugë nga më të ndryshmet informonte rregullisht qeverinë shqiptare për të gjithë gjendjen në Çamëri. Me dhjetëra telegrame iu dërguan Lidhjes së Kombeve, ku denoncoheshin padrejtësitë dhe kërkohej ndërhyrja e saj. Këto bënë që në tetor të vitit 1924 të dërgohet në Çamëri një komision i kryesuar nga përfaqësues shqiptar, turq dhe grek për të konstatuar kombësinë dhe vullnetin e popullit. U kërkua që zërin e Çamërisë t’ia transmetonte komisionit një dërgatë e përbërë nga Tahir Metja, Kadri Sadushi, Bido Dule, Nelo Hamiti etj. Detyrat e të dërguarve përcaktohen qartë në një mbledhje që u bë në fushë të Grigohorit. Përfaqësuesit e popullsisë së Çamërisë, pa i përfillur pasojat, jo vetëm që i parashtruan Komisionit përkatësinë e saj shqiptare dhe këmbënguljen kundër çdo përpjekjeje për shkëmbim, por edhe shtypjen, padrejtësitë dhe mohimin e çdo të drejte që u bëhej nga autoritetet greke. Ata i sollën Komisionit fakte tronditëse.


Vala e dëbimeve
Autoritetet greke vazhduan punën e tyre. Fshati Petrovicë u boshatisë krejtësisht, Gardhiqi nga 400 shtëpi mbetën 80, Karbunari nga 300 në 120, Parga nga 300 në 40, Shëndielli nga 200 banorë nuk mbeti asnjë etj. Vetëm gjatë viteve 1912-1925 u shpërngulën më tepër se 20, 000 banorë nga Çamëria. Qeveria greke e ngarkon deputetin e Trankës, Bakallbashin të merrej me shkëmbimin dhe instalimin e emigrantëve grek të ardhur nga Azia e Vogël. Emigrantët vërshojnë në Çamëri. Vendasit grumbulloheshin 4-5 familje në një shtëpi dhe në vend të tyre strehoheshin të tjerët-të huaj.

Kundër këtyre akteve popullsia Çame ngriti zërin e protestës. Në një letër drejtuar Lidhjes së Kombeve, Hasan Kapoli, Sherif Rexhepi dhe 23 nënshkrues të tjerë, protestonin energjikisht “kundër çdo tentative depërtimi në Azi duke qenë të njohur si shqiptarë edhe prej vetë grekëve”. Një protestë të tillë bënte edhe Huso Iljasi, në emër të popullsisë së Pargës. Duke u gjendur në këtë situatë të rëndë, populli shqiptar shpërtheu në mitingje e protesta masive kundër arbitraritetit të autoriteteve greke në dëm të popullsisë çame.

Duke i bërë jehonë një mitingu të zhvilluar nga studentët e Tiranës, gazeta “Dajti’’, i kërkonte qeverisë demokratike: “…të tregohej sa më aktive në mbrojtje të popullsisë çame dhe kjo jo vetëm në emër të solidaritetit me vëllezërit e një gjaku, por edhe në interes të hedhjes së themeleve sa më të shëndosha për zhvillimin e marrëdhënieve midis dy vendeve”. Në verë të vitit 1924, procesi i shkëmbimit mori karakter masiv. Në këto kushte qeveria shqiptare ndërmori një varg hapash serioze duke e bërë mbrojtjen e popullsisë shqiptare të Çamërisë, një ndër objektivat kryesorë të veprimtarisë së saj diplomatike. Ajo kërkoi që çështja të shtrohej për shqyrtim edhe një herë në Këshillin e Lidhjes së Kombeve. Qeveria shqiptare është e mendimit se është e pamundur të merret seriozisht, një dëshirë e shprehur nga një popullsi që është nën tmerrin e masave të dhunës së autoriteteve helenike…

Ndërhyrja e qeverisë së Nolit
Problemi çam zuri një ndër vendet qendrore në veprimtarinë diplomatike të qeverisë së F.Nolit, duke ndërmarrë një varg hapash për sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar, përmes Lidhjes së Kombeve. Duke denoncuar dhunën e përdorur nga autoritetet greke për shpërnguljen e shqiptarëve; Nolit nuk i mungonte asnjëherë përpjekja për krijimin e një klime të re midis të dy vendeve. Ai e shikonte problemin e minoriteteve jo si pengesë, por si një urë lidhjeje. Në një intervistë që i kishte dhënë Noli gazetës greke “Politika” duke dashur të krijojë një atmosferë të re në mënyrë të veçantë midis Shqipërisë dhe Greqisë ka theksuar se: “Pakica kombëtare, si këtej, ashtu edhe aty, duhej të jenë jo si një pengim, por si një lidhje dhe si një urë për marrëveshje midis nesh”.

Sulejman Delvina duke parë se përçapjet diplomatike për të ndaluar shkëmbimin e popullsisë çame ishin të pafrytshme i shkruante Ministrisë së Brendshme: “Lutemi të keni mirësinë t’u jepni me urgjencë urdhëra nga ajo ministri, që të varen nga autoritetet kufitare të jugut, që mos pengojnë hyrjen dhe instalimin në Shqipëri të atyre shqiptarëve që vinë nga Greqia për të shpëtuar nga shkëmbimi i popullsive”. Kur nën pretekstin absurd të “hetimit për përcaktimin e prejardhjes” dëbimi i popullsisë çame po merrte përmasa të gjera, qeveria shqiptare kërkoi që çështja të shtrohej përsëri për shqyrtim në Këshillin e Lidhjes. Në telegramin që i dërgohej sekretarit të përgjithshëm, më 11 gusht 1924 thuhej se: “ …fizionomia etnike shqiptare e krahinës së Çamërisë është përcaktuar në mënyrë të pakundërshtueshme, për arsye se popullsia është autoktone, ajo flet vetëm shqip, se kultura turke është krejt e pa njohur aty dhe se asnjë element tjetër i huaj nuk ndeshet në këtë krahinë…”. Në këto kushte çdo hetim është i tepërt dhe në kundërshtim me çdo gjë që është vendosur më parë.

Megjithatë, në prag të hapjes së Asamblesë në Gjenevë, autoritetet greke kishin përfshirë në shkëmbim afro 10.000 çamë. Delegacioni shqiptar në Asamblenë e 5-të të Lidhjes së Kombeve e bëri çështjen e mbrojtjes së të drejtave të kësaj popullsie një nga objektivat e tij kryesore. Në krye të delegacionit, F. Noli, vuri të gjithë prestigjin e vet. Ai denoncoi me forcë veprimet e paligjshme të qeverisë greke dhe të komisionit miks që bënte punën e saj. Nëpërmjet analizës që i bëri procedurës në përfundim se ai “e linte derën hapur për lloj-lloj persekutimesh nga ana e autoriteteve greke”. Në fjalën që mbajti më 29 shtator 1924 në sesionin e Këshillit të Lidhjes së Kombeve, ndër të tjera tha: “Shumica e shqiptarëve mysliman të Greqisë janë përfshirë në shërbim sepse është një e vërtetë palisiane (që duket sheshit) se myslimanët e Epirit nuk janë gjë tjetër veçse shqiptarë…”.

Qëndresa
Qëndresa e popullsisë shqiptare të Çamërisë kundër shkëmbimit me grekët e Anadollit pati jehonë të madhe në shtypin shqiptar të kohës. Në një korrespondencë të dërguar për gazetën “Dajti” dërguar nga Çamëria ndër të tjerash thuhet: “Grekët jo vetëm që e realizuan dëshirën e tyre për çrrënjosjen e elementit shqiptar të Çamërisë, por me taktikën dhe metodën e tyre të zakonshme po përpiqen të kandisin botën dhe Lidhjen e Kombeve se çamët e duan vetë shkëmbimin dhe emigrimin në Anadoll. Grekët kanë prurë mijëra emigrantë prej Azisë së Vogël, viktima të megalidesë së tyre qesharake dhe i kanë vendosur në shtëpitë e shqiptarëve të Çamërisë, duke grumbulluar 4-5 familje shqiptare në një shtëpi… Mahagjirët e Anadollit për të ushqyer familjet e tyre, u grabisnin çamëve tërë produktet e arave e të vreshtave. Ka afro një muaj që në Çamëri ka ardhur komisioni miks që do të studiojë origjinën e shqiptarëve të Çamërisë. Komisioni në fjalë do të qëndroj vetëm në Margëlliç e në Filat se shtypi grek ka shpifur se do t’i vrasë komitët shqiptarë.

Edhe së andejmi do të shqyrtoj origjinën dhe dëshirën e Çamëve duke thirrur disa veta nga çdo katund (të protestuar nga ana e autoriteteve të vendit e të frikësuar me vrasje, në qoftë se përgjigjen kundër porosisë së tyre), edhe në bazë të dëshirës së imponuar që do të shfaqin këta, komisioni do të veproj për të gjithë popullsinë shqiptare të Çamërisë. Për të mbrojtur jetën e anëtarëve të komisionit (siç), qeveria greke ka dërguar në Çamëri një fuqi të madhe ushtarake nën komandën e andantit gjakpirës Kollovoit, i cili me radhë e ka tmerruar popullin e mjerë të Çamërisë me veprat e tij çnjerëzore si vrasje barbare e për të shpërngulur shqiptarët e Çamërisë dhe sidomos ata të paktë që dalin para komisionit të thonë se janë turq dhe duan të venë në Turqi”. Sesioni i Lidhjes së Kombeve, që u mbajt nga fundi i tetorit 1924 tregoi se tragjedia çame vazhdonte. Kontingjente të reja njerëzish përgatiteshin për t’u nisur në Anadoll, kurse organizata e Gjenevës, jo vetëm që nuk e ndaloi, por i lavdëroi përpjekjet e qeverisë greke për përmbushjen e zotimeve të saj. Qëndresa e vendosur e popullsisë çame dhe puna këmbëngulëse e qeverisë shqiptare u bënë pengesa në rrugën që kishin nisur qeveritarët e Athinës. Megjithatë procesi i shkëmbimit të dhunës vazhdoi edhe pas vitit 1925.

Qëndrimi i Pangallos
Në një memorandum që përfaqësuesit e Çamërisë i drejtonin kryeministrit grek, Pangallos, më 26 shkurt 1926 duke denoncuar arbitraritetin, shpronësimet e paligjshme dhe zbatimin e mbrapsht të së ashtuquajturës “Reformë agrare”, në dobi të emigrantëve të Azisë së Vogël theksohej se …“ne dhe familjet tona jemi dënuar të vdesim urie…”. Dhe më poshtë, me një ton që nuk fshihte aspak revoltën, shtonin se me këto akte; “…kemi të drejt të besojmë se qeveria juaj nuk dëshiron tjetër veçse zhdukjen tonë, ose të na detyroj të braktisim vatrën dhe tokat tona që i kemi mbajtur për gjenerata të tëra, të cilat çdo shtet i respekton, dhe të shpërngulemi duke kërkuar gjetkë atë që shteti grek na e refuzon: sigurimin e jetës e të pasurisë”.

Po i jap lexuesit kujtimet e Gjeneralit Pangallos, të botuara në gazetën “Akropolis” të Athinës, gazeta më e vjetër greke. Gjeneral Theodhor Pangallos, 1878-1952, ish- kryetar i shtetit grek më 1926, ishte me origjinë shqiptare. “Përveç heronjve shqiptarë në panteonin grek, historia e Greqisë ka regjistruar edhe shumë figura të tjera me prejardhje shqiptare që janë të njohura për shërbimet e mëdha që i kanë sjellë Greqisë. Në atë atmosferë urrejtje që ishte rrezik të njiheshe si shqiptarë edhe në rrugë, del në fushën e burrave një gjeneral u gjakut tonë, i cili me krenarinë më të madhe mbron Kombin shqiptar: Me Bullgarët dhe Shqiptarët jam i njohur prej shumë kohe. Marrëdhëniet e mia me ta kanë qenë të ndryshme. Që në kohën e Perandorit Vasilios “Bullgavrasës” të Bizantit dhe deri më sot. Nga të gjithë qeveritarët grekë, armiku më i madh kam qenë unë. Që nga koha e Esat Pashës e sidomos Ahmet Zogut, miku më i përzemërt dhe mirëbërës i Shqiprisë, jamë përsëri unë. Është lehtë të binden zyrtarët kompetent mbi këto fakte po të hedhin një vështrim në dosjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe se si do të shohim më poshtë nga zhvillimi i ngjarjeve të kohës në fjalë që gati të kishin përfunduar në një aleancë midis Greqisë dhe Shqipërisë. Në foshnjërinë time flisja vetë shqip, pasi gjyshja që më rriti, nuk dinte greqisht. Ajo ishte e bija e aristokratit më të shquar të Magaridhës. Në dejet e mij, pra, rrjedh gjak shqiptari.

Nuk jam pra armik i Shqiprisë, përkundrazi e simpatizoj popullin shqiptar, i cili në shumicën dërmuese nuk është përgjegjës për pabesinë kundër Greqisë. Menjëherë sapo erdha në fuqi në Qershor 1926, u ndodha para një keqësimi të vërtet në marrëdhënjet me Shqipërinë, për shkak të problemit të Çamërisë. Përfaqësonjësi i Shqipërisë duke prezantuar në zyrën politike më lajmëroi se autoritetet greke më përzunë e në kundërshtim me traktatet shpërngulën popullatën shqiptare të asaj krahine, duke e përcjellë në anën e detit në Azinë e Vogël, dhe se protestimeve të tij u jepet përgjigja se, këta turko-shqiptarë përmblidhen në marrëveshjen për shkëmbimin me popullatën greke në Turqi. Kërkova shkresat përkatëse dhe u binda se interpretimi i Ministrisë nuk kishte bazë, pasi në traktatin e Lozanit shpreheshin qartës se, muhamedanët e Epirit konsideroheshin si minoritet dhe nuk përfshiheshin në shkëmbim, si turqit e Thrakës etj. Për sqarime e më të plota të çështjes i telefonave ministrit tonë në Londër, të ndierit Kaklamano, që kishte përfaqësuar Greqinë në redaktimin e traktatit.Ky u përgjegj pa hezituar se muhamedët e Epirit nuk hyjnë në shkëmbimin dhe se mendimi i ministrisë nuk ishte i drejtë.

Thirra menjëherë drejtorin e përgjithshëm kompetent, i cili më tha këto fjalë habitëse: “Parimisht kanë të drejtë, por për arsye nevoje dhe qëllimi, urdhërova shpërnguljen e shqiptarëve për të boshatisur katundet dhe vendosjen në to të refugjatëve tanë nga Turqia, nuk vlen të humbasim kohën për pesë gjashtë mijë shqiptarë Zoti Kryetar!”. Mezi u mbajta pa e flakur jashtë me shkelma diplomatin monokëlmbajtës. Njëkohësisht sipas raporteve policore një dramë e vërtet kryhej në Epir, pasi katundarët me të qara shkëputeshin prej vatrave të tyre ku ishin lindur dhe jetonin prej shekujsh dhe ngarkoheshin në anijet për tu dërguar në Azinë e Vogël. U dhash urdhëra të shkarkoheshin dhe të ktheheshin të lirë në katundet e tyre. Shqiptarët si çdo racë e vjetër dhe e prapambetur kanë vese, por kanë edhe disa virtyte të zgjedhura. Ngjarja e sipërme ka qenë shkaku kryesor i vendosjes së marrëdhënjeve të përzemërta, (midis dy shteteve) të cilat u zhvilluan gati deri në arritjen e themelimit të një federate të ardhshme siç do shohim.

Presidenti i Republikës, Ahmet Zogu, me një letër të përzemërt, më shfaqte mirënjohjen e vet, të cilën nuk do t’e harroj kurrë. Dhe, pra, deri në ditët e shfronëzimit të tij, sa herë vinte përfaqësonjës i ri shqiptar në Greqi, më porosinë e tij më vizitonte në shtëpi dhe më sillte përshëndetjet e mbretit, duke më drejtuar fjalën shqip më thoshte “vëlla i madh”. Dhe këto kur isha vetëm një qytetar i thjeshtë si gjeneral i shmobilizuar. Kjo është e quajtura “Besa” shqiptare, domethënë besë dhe mirënjohje për mirëbesim. Po të hedhim një vështrim në hartën e Ballkanit, kuptojmë menjëherë rëndësinë e madhe të Shqipërisë. Për shkak të ngjarjeve të fundit tani sapo u kuptuan rrethet politike dhe ushtarake në Greqi, rëndësinë e Shqipërisë si bazë sulmi dhe mbrojtjeje. Ushtarakët grek në kohërat e kaluara e dinin këtë, siç tregohet qartë prej luftrave të rrepta dhe të përgjakshme që u zhvillua në limanet dhe kalimet malore të Shqipërisë, sidomos në shekujt e fundit të Perandorisë Bizantine. Për Greqinë Shqipëria mike dhe aleate, përbënë një fortesë kolosale dhe një kërcënim të fortë për çdo sulmues të veriut.

Zgjuarsia e mprehtë e Venizellos e kishte kuptuar këtë fakt, kur thoshte që duhet me çdo sakrificë që çështja e Epirit të rregullohet miqësisht dhe të vendoset me Shqipërinë marrëdhënjet më të përzemërta. Besoj me patundshmëri në të drejtën e këti mendimi. Kërkova me çdo kusht e sakrificë këtë gjë ta vë në zbatim kur isha Kryetar i shtetit.

Pas këtyre ngjarjeve u vendosën marrëdhënjet miqësore dhe dërgova në Tiranë si përfaqsonjës të Greqisë Gjeneralin Aleksandër Kondulin, bashkëvendasin tim i cili e njihte jo vetëm shqipen e Shqipërisë së Jugut që flitet në krahinën tonë, por edhe ato idiomat e labëve e gegëve.
Është fakt i pakundërshtueshëm për shumë arsye, se po të zbatohej një politikë e urtë dhe e qëndrueshme në çështjen e Shqipërisë, do të ishte e mundur që në vend të armiqësis, do të ishte më e mira, më e vlefshmja dhe e vetmja mike besnike e Greqisë në Ballkan.
Si racë shqiptarët nuk janë as tartaro-mongolë, as sllavë, por Ilirë, stërnipër të pellazgëve. Janë historikisht të provuar, pasojë-racë motër me racat e vjetra që zbritën nga veriu dhe përbënë banorët e parë të Heladhës. Nuk kanë asgjë të përbashkët me Italianët, serbët, bullgarët, kurse me popullin helen lidhen ngusht në gjak, trashëgime dhe zakone”.

1


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas