Aktualitet

Historia e fortë, e thellë, për shkrimtarët është një lëndë formuese që sjell letërsi të rëndësishme














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 12:54 - 01/05/21 |
Bisedoi Mark Simoni

…..Kadare qe ndër të paktët që u bë një kufi i pakalueshëm. Ai mbijetoi turbullt për shkak të talentit të tij dhe tematikave identitare me kohën. Kadare krijoi një gjendje që nuk u tejkalua dot nga askush, as sot që flasim. Është fenomeni i një shkrimtari me dritëhije të majftueshme për të qenë pushtues dhe autoritet i një letërsie të madhe. Gjithashtu edhe një hierark në konflikte të mjafta dritëhijesh e kontradiktash që duhen rilevuar hapur tashmë për të vërtetat kundër tij dhe gjenisë krijuese…….





(Bisedë më krijuesin dhe kulturologun e mirënjohur Vladimir Myrtezai)


M:S: Borges-i thotë se në vendet me letërsi të dobët janë shkrimtarët me formim të mangët kulturor e letrar që e sjellin këtë gjendje. Cili është opinioni juaj për letërsinë tonë që është cilësuar nga kritika serioze si një letërsi modeste?
V.M:
Ndoshta ka të drëjtë Borges-i. Shpesh kam menduar se letërsia vjen e ndikuar nga territori gjeofizik dhe historia e çdo kontinenti. Ka ndikim nga aftësia e një vendi për t’u tejkaluar në një komunikim të hapur, i mundur që të lexohet nga gjuhët e ndryshme. Merr ndikim nga emancipimi i regjimeve që i japin rëndësi letërsisë dhe arteve, si një hulli që mban në rrjedhë një dialog mbarë botëror. Ndoshta ka ndikim edhe nga fataliteti i një mbylljeje të gjatë, ndoshta edhe fakti i pushtimeve të ndryshme:, luftra, perandori e shtete që mësynë Ballkanin.





Të gjitha së bashku bëjnë që në rastin e letërsisë tonë t’i shkaktojnë një qëndrim jo të natyrshëm, në një impostim të pamjaftueshëm letrar. Është çështje territori, çështje traumash dhe përjetimesh të forta një komb duhet të ketë kaluar si një lindje e vështirë. Historia e fortë, e thellë, për shkrimtarët është një lëndë formuese, si shprehje më e gatshme dhe e ndjeshme për t’u shfaqur, për t’u formuar në kuptimin e një shkaku madhor që sjell letërsi të rëndësishme. Pa harruar këtu edhe një histori mbijetese në aftësinë e mundimshme shtetformuese që prodhoi më herët një letërsi romantike me element patriotikë; një letërsi e identifikimit dhe e mbijetesës.



Po aq edhe të gjitha shkaqet që solli paslufta, me një letërsi që tentoi të modernizohet, por si e pamjaftueshme. Kadare qe ndër të paktët që u bë një kufi i pakalueshëm. Ai mbijetoi turbullt për shkak të talentit të tij dhe tematikave identitare me kohën. Kadare krijoi një gjendje që nuk u tejkalua dot nga askush, as sot që flasim. Është fenomeni i një shkrimtari me dritëhije të majftueshme për të qenë pushtues dhe autoritet i një letërsie të madhe. Gjithashtu edhe një hierark në konflikte të mjafta dritëhijesh e kontradiktash që duhen rilevuar hapur tashmë për të vërtetat kundër tij dhe gjenisë krijuese. Kadare është një kufi që duhet kapërcyer nga të tjerë dëshmitarë të fjalës së shkruar.


M.S: Majakovski kërkon me shumë energji dhe gjykim radikal, se tashmë ka ardhur koha që të flakim në det nga varka e letërsisë një pjesë të madhe të letërsisë së vjetër dhe të traditës, duke filluar që nga Tolstoi. A mendoni se mund të ketë një mendim paralel dhe në Shqipëri, si i Majakovskit, në raport me letërsinë e traditës. A mund të kemi një mendim tuajin për këtë radikalizim të qendrimit ndaj letërsisë, dhe a mendoni se letërsia e vjetër e meriton e gjitha fetishin dhe glorifikimin?
V.M:
Majakovski mbetet një poet i madh, ndoshta më i madhi pasionant që erdhi si platformë e poezisë futuriste, dhe si i tillë jetonte më shumë kah e ardhmja sesa në të tashmen. Në bazamentet e tyre, platformat krijuese erdhën si prurje dhe u identifikuan në një luftë të hapur ndaj çdo krijimi të traditës dhe të së shkuarës. Në bosht dhe moto kishin pikërisht këtë shkëputje, si një qasje e re që frymëzohej nga favorizimi i trajektores historike; por, edhe si një katarakt që u mbështet nga situata politike. Ishte një piskamë frymëzuese që la një gravurë të mjaftueshme e të fortë me vargjet e tij. Krijimet aso kohe ishin përkundër qetësisë dhe formave lineare të pararendësve. Kish shkelmime për të hapur territor duke parashikuar vetëm të ardhmen, pa një akt rezonativ në çfarë ishte pas. Janë korrente që lanë shenjë në historinë e letërsisë si stacionime me platforma të ndryshme zhvillimesh. Ngjashëm pati referenca të përafërta edhe në Shqipëri në letërsinë e pasluftës, në të njëjtën frymë, duke u ushqyer nga ideja e së “resë” në art e letërsi si një mësymje përmbysëse.

Ndërsa sot kemi një menu më të gjerë zgjedhjesh, pasi letërsia ka në konsumin e saj edhe ata lexues që nuk vështrojnë më një korent të caktuar kulturor. Kështu që, ka vend për një rishikim të thelluar sipas kutit mbulues kulturor, në mënyrën së si konsumojmë letërsi dhe art. Do ende kohë të kullojnë e të tërheqin zgjedhje zëra që, ndoshta të padëgjuar, mund të jenë një formë e re e eksitimit për të zgjedhur letërsinë që duan. Pra, sot për shkak të lirisë, ata që duan letërsi të mirë vetidentifikohen me të për shkak të rritjes së tyre si konsumatorë të fjalës.

Ndaj dhe raportet vijnë duke ndryshuar. Ka ende vend e materie të pashfrytëzuar, për të vënë në radhë të tjera qasje rishikuese, qoftë dhe për shkak të një lloj kozmopolitizmi në kuptimin e zgjerimit të lexuesve në një trend të hapur të letërsisë së krahasuar. Letërsia e mirë mbetet e zezë mbi të bardhë, thjesht do kohën e saj të konstatohet dhe të gjejë lexuesin. Nuk ka nevojë për prurje përmbysëse, se nuk ka motivim. Ne tashmë jemi një vend në posttraumë, që po kurojmë gabimet e së kaluarës, si rrjedhojë e një politike përjashtuese mes të “resë” dhe të “vjetrës”. Arti dhe letërsia kanë aftësi rigjeneruese, sepse nuk asgjësohen: ato presin shtresuar dhe heshtur rishikimin e flukseve zbuluese.

Letërsia e mirë, e djeshmja dhe e sotmja, ka nevojë të udhëtojë, të përkthehet e të dialogojë me letërsinë në botë, dhe për këtë duhet atdhedashuri dhe udhëtime kulturore.

M.S: A mund të kemi nga ju një panoramë historike rreth pikturës sonë, parë nga optika juaj shumë e kultivuar dhe e maturuar? Na ilustroni me argumenta opinionin tuaj?
V.M:
Shpesh piktura ka privilegjin e kodifikimit dhe të pashpjegueshmërisë, si një aksion mes pamores dhe mediumeve të tjerë ndihmës. Kemi të bëjmë edhe me një lloj pavarësie të një produkti të mëvetshëm në dimensione më ndihmuese në depërtimin emocional. Prandaj, piktura ka një territor më të tolerueshëm e më abstrakt në raport me ata që e konsumojnë qoftë si ritual, qoftë si komunikim kulturor. Kështu që, për artet pamore është një hapësirë më e shtrirë që e ka ndihmuar vetë mediumi, duke e bërë të jetueshme jo vetëm si mëvetësi, por edhe si një lloj ndërveprimi. Pikërisht për llojin e vet dhe aftësinë për të zbuluar ndjesinë përmes elementëve të saj, ka me mijëra fluturime në lloj për të qenë argëtuese dhe udhëheqëse, diç më shumë se artet e tjera dhe letërsia.

Çlirimi i pikturës pas viteve nëntëdhjetë i ngjan një shisheje shampanjë që u derdh me eufori për shkak të trysnisë që kish akumuluar gjatë regjimit të kaluar. Nuk pati as aleancën korrektuese të kritikës për ta ndaluar, gjë që solli një rënie të lirë. Po ashtu, ishte edhe fenomeni i realizmit socialist, i cili përpiqej të unifikonte gjithçka nën hijen e një sistemi represiv. Kështu që, pati prurje nga më të çuditshmet nën ngutin e rifitimit të kohës së humbur. Gjithsesi kishte edhe lëvizje të rëndësishme, që në njëfarë mënyre hapën rrugën për zhvillime të reja në konceptimin e arteve pamore. Ende ka tentativa në ulje-ngritje mes artit të angazhuar dhe atij që synon të personalizojë qëndrime frenuese në territore që mendohen si ripërtëritës. Është një histori e ngarkuar, madje konfliktuale, në një paralele të nëndheshme, ku qasjet e ndryshme shkëmbejnë epërsi në varësi të shumë faktorëve. Gjithsesi është një frymëmarrje që po le shenjat e saj.

M.S: Ju shoh aktiv si në esetë kulturologjike të analizave të thella, edhe në letërsinë tuaj të veçantë, apo në artet figurative. A plotësojnë këto të tria njëra-tjetrën në pazëllin tënd personal të vokacionit që ke për të komunikuar me publikun, apo janë thjesht mënyra të shprehuri të mëvetshme?
V.M
: Njeriu vjen në këtë jetë si frymë dhe kërkon përmbushje. Në fillim kërkon që të jesh i mbijetuar, në kuptimin e bazave, më pas nis e shtegton për të gjetur gjëra që në fillim të duken sikur janë përjashtë teje, por, në fakt, zbulon se, çuditërisht, është vetëm jeta jote. Letërsia dhe artet pamore u bënë streha ime për të ndjekur një ego të fshehur, disi e ulët, me një profil si të pazëshëm. Ende po udhëtoj si një i uritur për t’u vetëvizatuar në një fashë kohe që na përket vetëm ne. Është një aventurë e bukur, duke patur dhe pak fat ndoshta nga historitë e mia, që nuk se ishin shumë të qarta e të mirëkopsitura në raport me kohën; por, gjithsesi ndihem në një zgjedhje që më jep lumturi të vogla, nga ato që i njohin vetëm krijuesit.

Në fakt, të gjitha mediumet ku unë rrekem të shestoj janë komplementare, pra rivitalizojnë njëri-tjetrin, sepse varet nga temperatura e brendshme që më afrohet. Shpesh krijimtaria është e pavetëdijshme, ende e pakallur në rrezen e dritës, ndaj dhe sa herë më feks një çlirim nga ata që grishin rrëfim përpiqem ta hedh me një frymë. Është bukur të udhëtosh kah e pavetëdijshmja e të gjesh pika takimi me njerëz që e përkthejnë drejtë aktin tënd herë të koduar e herë të hapur. Është një udhëtim fantastik i cili ua kalon të gjitha eksitimeve dhe adrenalinës për pushtet, sepse është një akt i vazhdueshëm njohjeje.

M.S: A mund të ndani me lexuesin diçka rreth planeve tuaja krijuese? Çfarë do të punojë zeja e agregatit tënd në kohët në vazhdim
V.M:
Jam në një gjendje të mirëmbarsur dhe po punoj rregullisht, rreth katër pesë orë në ditë. Kam gati një libër me poezi, që mund ta botoj së afërmi. Po ashtu, kam edhe një si rrëfim autobiografik në trajtë sprove, jo dhe aq tipik për nga forma, të cilin po e mbaj në një gjendje të fjetur për të provuar se sa do të më bindë. Kam edhe përsiatjet e mia për artet pamore, që janë një vëmendje e gjatë në zgjedhje dhe (vetë)identifikime që kanë të bëjnë me procesin krijues, jo si vepër e pavarur, por si një angazhim në një dialog me veten e me kohën.

15


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas