Mapo Letrare

Historia e Mendimit Shqiptar si frymë, si ide, si mision






Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:32 - 18/10/19 |
Nga prof. Myqerem Tafaj

Nga prof. Myqerem Tafaj


Epoka e lirisë pas viteve ‘90, u hapi udhë mjaft inisiativave të reja të mendimit, historisë e historiografisë, antropologjisë kulturore, nëpërmjet mundësive të mëdha që u dha njerëzve të ditur e të pasionuar për të shpalosur vlerat dhe rrugëtimin e tyre të brendshëm. Por nëse do të veçonim dy “zbulime” të mëdha në radhën e elitës së mendimit tonë, që jo vetëm nuk njiheshin, por për më tepër dënoheshin dhe anatemoheshin, ishin kolonat e mëdha të botimeve të veprave të Zef Valentinit (rreth 32 botime) dhe të mjaft autorëve të mëdhenj të mendimit shqiptar të viteve ‘30, duke filluar nga Merxhani, Koça, Zavalani, Maloki, Harapi etj. E në të dyja këto rrugëtime, jo vetëm botuese, por më së pari, hulumtuese, përmbledhëse apo përkthyese, spikat një emër i përbashkët, studiusi dhe botuesi Ndriçim Kulla.


Ishin pikërisht këto kolana, kjo punë e gjatë parapërgatitore, pasioni dhe dija e veçantë, e kultivuar dhe rritur ndër vite e dekada deri në të tilla përmasa, ato që duket të qëndrojnë pas shpatullave të kësaj përpjekje madhore, të kësaj “përpjekje shqiptare” për t’i afirmuar më përpara vetes, por edhe të tjerëve, një rrugëtim akoma dhe më të madh se të parët, një rrugëtim që duke pasur pikënisje mendimin tonë zenitor të viteve ‘30, të arrijë të përshkruajë përmes një lidhje të brendshme, të krijuar prej kodesh, modelesh apo fijesh të përbashkëta mendore e shpirtërore, shtratin historik të gjithë mendimin shqiptar deri në rrënjët e tij ilirike. I gjejmë të gjitha këto të përmbledhura dhe të strukturuara në një vepër të vetme, në punimin më të fundit të mirëfillt shkencor të këtij autori, me titullin zëmadh e kuptimplotë “Histori e Mendimit Shqiptar”. Flasim për një histori, por që, falë punës së thellë kërkimore, njohurive të shumë fushave të gërshetuara në nji ide të vetme, atë të njësisë dhe thellësisë së mendimit e intuitës, mund të etiketohet edhe si një “mozaik” esesh mbi historinë, historiografinë, socio-filozofinë, antropologjinë kulturore, e kështu me radhë majat më cilësore të mendimit, gjuhës dhe psikikës së popullit tonë në shekuj.



Duke përmendur gjithë këtë lëndë që i është dashur autorit të mbrujë e modelojë në këtë libër, nuk ke sesi të mos të të shkojë mendja tek institucionet tona arsimore, kulturore apo akademike që shteti shqiptar ka mbështetur e financuar gjatë gjithë këtyre viteve të lirisë, e që duhet ta kishin për detyrë parësore pohimin e vlerave më të qëndrueshme, më unike e më përbashkuese të mendimit tonë në histori, për të prodhuar kështu, një “histori” të tij. Mirëpo, kjo jo vetëm që nuk është përmbushur në nivelin e duhur për plot tri dekada, por as nuk u pa e udhës ose nuk u duk e natyrshme për të gjitha këto institucione, nevoja apo detyrimi për t’i ndihmuar, qoftë me mjete financiare, por sidomos kulturore e mbështetëse, inisiatorët dhe kontribuesit e “ndërmarjes” më të madhe shqiptare për afirmuar me dokumente, vepra dhe argumente shkencore, vlerat më sipërore të mendimit shqiptar. Themi “ndërmarrjes më të madhe”, sepse vepra nuk është vetëm një përpjekje e jashtëzakonshme për të përhapur e promovuar kulturën shqiptare. Përkundrazi, ajo është një vepër kulture që ashtu siç është shkruar dhe përshkruar në frymë e në detaje, në tërësi e në vepra në veçanti, kërkon parësisht të arrijë divulgimin ose më mirë kombëtarizimn e vlerave më të arritura të mendimit shqiptar në kanalet dhe strukturat kryesore të përçimit të dijes kapilare në trupin e kombit, siç janë shkollat dhe universitetet.


Fitoren e kulturës për kulturë, studiuesi i njohur duket se e kish arritur me kohë, kur vite më parë pat organizuar një konferencë mbarëkombëtare me fokus temën e njohjes më të thellë të mendimit shqiptar të viteve ‘30 në shkollën shqipe. Po kështu, në rradhën e elitës sonë më të re, vlerat e këtij mendimi tashmë jo vetëm janë stabilizuar, por kanë nisur të studiohen e thellohen nga mjaft kërkues të rinj. Mirëpo, shpirti i tij misionar tash kërkon një nivel të ri, ndaj dukej se i kish ardhur koha që gjithë ajo punë e thellë hulumtuese të shpalosej në një fushë shumë më të gjerë, shumë më të thellë në rrafshe e plane të thella e të ndërthurura midis tyre. Por, vepra nuk duhet parë thjesht si një kontribut botimi, si një vlerë e shtuar e kulturës shqiptare, por përkundrazi, ajo duhet të bëhet “gjaku kombëtar” i dijes që përçojnë shkollat dhe universitetet shqiptare.


Siç e thotë autori në parathënien e librit, është një shtrojë e parë që kërkon të lidhë bashkë autorë në epoka, kushte e nivele të ndryshme kulture, është një vepër unike, tek e cila mblidhen rrëke e lumenj, që kanë rrjedhur në territore të njohura, të ditura, por edhe të paditura për të, por që falë pasionit, punës së thellë disavjeçare hulumtuese, talentit dhe dijes ai ka ditur të mos i humbasë, por t’i bashkojë në një det të vet, në këtë “histori mendimi”, për të cilën edhe duhet të kontribuojmë të gjithë që ajo të bëhet pjesë bazike e mësimdhënies. Kjo do t’i jepte shkollës sonë atë epitet aq domethënës shkollë shqipe, që s’duhet të mbetet vetëm në letër, vetëm në germë, por duhet të ngulitet si ide, si detyrim brezash, pra si frymë kombëtare.

Deri tani kemi dëgjuar vetëm fjalë të bukura, deri tani ndoshta kishte mjaft justifikime, pasi shumica e atyre që mund ta bënin këtë gjë, akademik apo profesorë, nuk ishin aq të përkushtuar ta jepnin e ta mësonin këtë lëndë. Sot kemi jo vetëm një libër kulture, por edhe një udhërrëfyers gjithë kulturë të mënyrës se si duhet të mësohet mendimi shqiptar, për të qenë pjesa më e studiuar dhe thelluar në kurrikulat tona, madje ndoshta jo me më pak vend se letërsia. Jo vetëm se produkti ynë mendor është shumë i çmuar dhe i krahasueshëm me produktin tonë letrar, por pikërisht pse për vite e për dekada të tëra dukej sikur mendimi ynë s’ekzistonte ose sikur vlerat e tij nuk ishin të atij stadi sa të mund të përbënin si pikë referimi. Përkundrazi, merita tjetër madhore e këtij libri është se na e rikthen edhe njëherë vëmendjen tek fuqia që mendimi shqiptar ka ushtruar në rrjedhën e historisë shqiptare. Në momentet dhe kohrat më të vështira ishte mendimi ai tek i cili u mbështet elita jonë. Edhe sot, pasi kemi jetuar një zbaticë të tërë të mendimit të thellë, socio-filozofik, në shoqërinë shqiptare të këtyre tri dekadave, jemi në pragun kur duhet t’i kthehemi dhe të mbështetemi tek studiues të këtij lloji mendimi, të vërtetë, të thjesht , elitar, të ekuilibruar dhe të sintetizuar, si pikë referimi ndaj gjithë atyre shembujve të keq të mendimit të njëanshëm, të pakulturuar thellësisht e ngadalësisht, por rrëmbimthi nëpër gazeta e televizione, që kanë vetëm një leskër, një dukje, por jo një qenie të brendshme të kulturës.

Ndaj, libri, me mënyrën se si e trajton frymën e kulturës dhe “kondensimin” e saj në mendim, duket sikur është edhe si një thirrje e fortë, kushtruese, e argumentuar e kulturimit të vërtetë, të thelluar e sistemik, të gjithë shoqërisë sonë, pasi vetëm prej këtij “kombëtarizimi” të shkencave sociale dhe filozofike, të injektuar si gjak jo artificial, por natyral, në dejet e saj, ndryshe nga siç ka ndodhur deri më sot, mund të arrihet edhe ai transformim i rëndësishëm i elitës dhe shoqërisë sonë civile, e cila, sigurisht fillon me të rinjtë, nxënësit e shkollave dhe studentët. E vetëm falë këtij “transfuzioni kulturor”, mund të jemi të sigurtë se do të arrijë edhe tek ai “transfuzion” idesh e parimesh që kërkon e pretendon kapërcimi i tranzicionit shumë të gjatë dhe të mundimshëm të vendit tonë, në të gjitha planet dhe fushat e jetës shoqërore, politike dhe ekonomike.

Ja, për të gjitha këto arsye, mendoj se nuk kemi vetëm një libër kulture thjesht për kulturë nga studiusi Ndriçim Kulla, por një histori mendimi – mision, histori mendimi frymë, ide që i shërben fuqishëm të gjithë të ardhmes shqiptare.


Etiketa: , , , ,

Pas