Nga Blerim Latifi
Në mbrëmjen e 8 shtatorit, kur një grup qytetarësh të Skenderajt vendosën ta ndalojnë kalimin nëpër Drenicë të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, të gjithë e dinin se ku duhej vënë pengesa. Ku tjetër pos Vajteshit, luginës së vogël – e cila shtrihet mes dy maleve që mbajnë emrin Klysyra.
Kjo luginë është kufiri që ndan Rajonin e Drenicës nga ai i Mitrovicës dhe nëpër të kalon rruga që shpie nga Mitrovica në drejtim të Pejës. Është një luginë e vogël, që në pranverë mahnit me panoramën e bukur, ndërsa dimrit shkakton një ndjenjë të vogël mërzitjeje, me pamjen e zymtë të malit të zhveshur. Territori i saj i përket Prekazit.
Derisa shikoja njerëzit duke u grumbulluar aty për të vënë barrikadën, përnjëherë në mendje më erdhën ngjarjet e shumta historike që lidhen me atë luginë dhe me malet anash saj.
Kjo histori qëndron e ruajtur në vetë emrin e luginës dhe të këtyre maleve. Ato, siç e thashë më lart, quhen Klysyra.
Prej nga vjen ky emër? Cila është domethënia e tij?
Qysh herët ky emër më kishte intriguar. Pas gjurmimeve, kisha gjetur se bëhet fjalë për një emër me orgjinë greke.
Dikush mund të pyesë me habi: Ç’kërkon një emër grek në toponiminë e Drenicës?
Nuk ka asnjë mister këtu. Ky emër ka mbetur që nga koha e Perandorisë Bizantine, gjuha administrative e së cilës ishte greqishtja. Dhe emri “Klysyrë” në greqisht do të thotë grykë, vend i ngushtë kalimi. Një emër ky që saktësisht e përkufizon gjeografinë e vendit për të cilin po flasim. Klysyra është gryka përmes së cilës hyhet në Drenicë.
Ajo që në këtë mes përbën mister është fakti se si ky emër ka arritur t’u mbijetojë shekujve, pas zhdukjes së Perandorisë Bizantine. Ndoshta rëndësia që kjo grykë ka patur për Drenicën, ka ndikuar që emri Klysyrë të kristalizohet në memorien e saj kolektive.
Në Mesjetë, por edhe më vonë, grykat e maleve kanë qenë pikat kryesore në strategjitë e mbrojtjes, prandaj lufta për kontrollin e tyre gjithmonë ka qenë e ashpër dhe e pamëshirshme. Dhe, natyrisht, Gryka e Klysyrës nuk bënte përjashtim prej këtij rregulli. Edhe vetë etimologjia e emrit të luginës së saj e dëshmon këtë.
Emri “Vajtesh” do të thotë vend i vajtimit, vend i veshur në zi. Aty burrat e Drenicës shkonin për të vdekur, duke lënë pas fëmijë jetimë, gra të veja dhe shtëpi të mbyllura përgjithmonë. Në vitin 1907, kur Shemsi Pasha u nis për të shtypur kryengritjen e Ahmet Delisë, në Vajtesh u bë një kasaphanë e tmerrshme. Pashai turk mundi të marrë kontrollin e grykës vetëm pasi artileria e tij ia vuri zjarrin Klysyrës.
Në Luftën e Parë Botërore, ushtria austro-hungareze, gjithë kohën mbajti aty një qendër të kontrollit ushtarak dhe kur pas tyre erdhën serbët, barakat austro-hungareze i shndërruan në stacion të xhandarmërisë.
Në ditët e revoltës së tij kundër regjimit serb, Azem Bejta arriti ta shkatërrojë këtë stacion, duke e djegur dhe vrarë xhandarët, por pastaj serbët, nën mbikëqyrjen e ushtrisë, e ringritën sërish.
Pas protestave që Hasan Prishtina dhe Fan Noli bënë në Lidhjen e Kombeve për dhunën që ushtronte qeveria serbe mbi shqiptarët e Kosovës, vendet perëndimore dërguan një delegacion faktmbledhës në Kosovë. Delegacioni arriti në Mitrovicë dhe prej andej mori rrugën për në Drenicë. Xhandarët serbë hoqën uniformat, vunë në kokë plisat e bardhë dhe kur delegacioni arriti në Vajtesh, ata shtinë mbi të. Delegacioni u kthye pas në Mitrovicë, ku autoritetet serbe u kujdesën “t’i informojnë” se përgjegjës për të shtënat janë kaçakët e Azem Bejtës.
Ishte një kohë kur propaganda dhe gënjeshtrat serbe për Kosovën kishin ndikim absolut në botën perëndimore. Kosova vuante terrorin e skajshëm serb, por zëri i saj nuk dëgjohej askund dhe Vajteshi vazhdonte të kullonte gjak.
Në vitin 1941, gjatë Luftës së Dytë Botërore, Vajteshi mori rëndësi ndërkombëtare. Aty u vendos kufiri mes Gjermanisë naziste dhe Italisë fashiste, deri në kapitullimin e kësaj të fundit në vitin 1943. Kur në dimrin e vitit 1945, Shaban Polluzha nisi kryengritjen kundër komunistëve të Titos, gjëja e parë që bëri ishte dërgimi i një batalioni për ta bllokuar grykën në Vajtesh. Një muaj më pas, kur brigadat partizane të Petar Brajoviqit dhe Fadil Hoxhës arritën të marrin grykën, fati tragjik i kryengritjes së Shaban Polluzhës u vendos. Ende sot, aty rrotull, nëpër mal, gjenden varret e shumë luftëtarëve të Shaban Polluzhës që u vranë në përpjekje për të ndaluar partizanët komunistë të hynin në Drenicë. Të gjitha janë varre luftëtarësh të panjohur, që teksa i shikon, e kupton dhe ndjen tërë peshën emocionale që bart emri Vajtesh, vendi i mbuluar nga vaji dhe zia.
Dekada më vonë, kur shpërtheu kryengritja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë, serbët vrapuan të marrin nën kontroll grykën në Vajtesh. Vendosën aty njësi të rregullta ushtarake dhe gjithë zonën përreth e minuan. Pas luftës, për shumë muaj nuk guxuam të hynim në Klysyrë, e cila është pronë private e banorëve të Prekazit, derisa erdhën njësitë e KFOR-it dhe e deminuan territorin.
Më pas erdhi qetësia e paqes, deri në mëngjesin e 9 shtatorit, kur drenicakët iu drejtuan edhe njëherë grykës për ta ndaluar Presidentin serb, Aleksandar Vuçiç të hyjë në Drenicë. Protesta e tyre ngjalli reagime nga më të ndryshmet. Pati shumë nga ata që e lavdëruan, e shumë të tjerë që e kritikuan, e të gjithë së bashku e harruan një gjë themelore: ajo protestë ishte reaksion spontan ndaj Presidentit të një shteti, i cili pa kërkuar falje dhe pa u dënuar, deshi të kthehej në vendin e krimit, duke shkelur me të dyja këmbët një normë morale universale. Prandaj, barrikada në Vajtesh, në vendin e veshur në zi, nuk u bë as për të mbrojtur kufij, as për të dërguar mesazhe të forta politike, këtu ose atje. U bë thjesht për të mbrojtur dinjitetin njerëzor, të cilin aq shpesh ose e nëpërkëmbin, ose e harrojnë, agjendat politike të ditës. Respekti i të tjerëve nuk mund të sigurohet për aq kohë sa harrohet respekti për vetveten. Dhe këtë, vetë Vuçiç, u përkujdes të na e përkujtojë me anë të lartësimit që i bëri Millosheviçit në fjalimin e tij në Mitrovicë.
Më 28 qershor 1989, Millosheviç, me terma të paqes, paralajmëroi krimet e shtetit të Serbisë të udhëhequr prej tij.
Më 9 shtator 2018, Vuçiç, po me terma të paqes, tregoi se ky shtet mbetet recidivist, kur bëhet fjalë për Kosovën.
Filozofikisht kjo do të thotë: në Ballkan happy end mbetet vetëm një utopi, një ëndërr e ditës siç do të thoshte Ernst Bloch.
Duhet punuar, pra, që kur të vijë ora e ligë e historisë, të mos e gjejmë veten në rolin e viktimave të radhës. Dhe, kjo punë ka një përcaktim të vetëm: të bëhemi shtet serioz. E kur kjo të arrihet, Klysyra dhe Vajteshi s’ka nevojë të jenë më shumë se një atraksion gjeografik në kohën e pranverës dhe një njësi mësimore në orët shkollore të historisë.
Emri klysyrë, klisurë, këlcyrë do të thotë që aty , në atë ngushticë kaqenë vendosur një repart I ushtrisë byzantine me detyrë ruajtjen e rrugës dhe kalimit në të. Komandanti I vendit quhej klisurarh….Në kohë të Turqisë përdorej emri derven dhe komandanti I atjeshëm dervenaga.
Ky toponim eshte me rëndësi se tregon ku ishte kufiri me sllavet.