Motra e Artan Lenjës, i vrarë më 24 shkurt 1991 nga një patrullë ushtarake, tregon peripecitë e natës së vrasjes dhe dhimbjen e mungesës së drejtësisë. Shfrytëzimi politik i ngjarjes dhe gjyqet që u zhvilluan në mungesë të familjes. Matilda Lenja: Vëllanë e vetëm nuk ma kthen kush, drejtësinë e dua
Nga Sebi Alla
Ishte stërvitja e fundit. Në palestrën e vjetruar të Klubit të Partizanit, i riu Artan Lenja sapo kishte lënë tapetin e mundjes dhe mori rrugën drejt banesës së dajës së tij. Nata kishte pak kohë që kish rënë, e bashkë me të, në errësirë qëndronin ushtarakët që ende besonin se sistemin e lëkundur nga themelet mund ta mbronin me grykën e armëve. Dy të shtëna u dëgjuan në mbrëmjen e 24 shkurtit të vitit 1991. Kësaj radhe vrau pushteti që i kishte ditët e numëruara. Artani u bë heroi i parë i demokracisë, ndërsa autorët u mbrojtën fort në zyrat e Ministrisë së Mbrojtjes. U vra një 20-vjeçar, mundës i ekipit të Partizanit, që në atë kohë ishte edhe ushtar. Periudhë e trazuar dhe për të mbuluar krimin, trupin e pajetë të të riut e hedhin në oborrin e Spitalit Ushtarak në Tiranë. Kohët shkanë, sistemi u përmbys, qeveritë ndryshuan, drejtësia duhet të jepte verdiktin e saj. Por edhe pas 24 vitesh, familja nuk gjen paqe me vetën. Është motra e Artanit, Matilda Lenja, që ka marrë përsipër barrën e rëndë për të çuar deri në fund amanetin e nënës së tyre për të gjetur drejtësinë për të birin e vrarë. Paçka se ngjan me një mision të pamundur, ku autorët që u proceduan për këtë krim janë arratisur, ndërsa drejtësia e ka mbyllur një herë e përgjithnjë çështjen.
Rrëfimi
Atëkohë Matilda ishte vetëm 16 vjeçe, por kujton çdo detaj të natës së gjatë. “Kishte katër ditë që ishte rrëzuar busti i Enver Hoxhës dhe trazirat kapën gjithë Tiranën. Ne rrinim me shtëpi afër “Rruga Ura” dhe kishim strehuar disa të rinj që u përleshën me forcat e policisë dhe ushtrisë në afërsi të Shkollës së Bashkuar”, – kujton Lenja. Ndërsa ishin pikërisht këto ngjarje që e detyruan edhe Artanin që pas stërvitjes të nisej për tek shtëpia e dajës së tij, që ndodhej pranë Parkut të Autobusëve dhe afër me palestrën ku stërvitej. Nga dëshmitë e disa qytetarëve mësohet se një grup ushtarakësh, në kundërshtim me detyrat e tyre, kishin ndaluar një adoleshent dhe po ushtronin dhunë mbi të. Pikërisht në këtë kohë kalon Lenja, që mendohet se ka ndërhyrë për të shuar gjithçka. Por duket se sapo kishte nisur ai çast që gjithkush kërkon ta kthejë kohën pas. “Ashtu sikurse na kanë thënë, por edhe nga detajet që dolën në atë gjyq të stisur, mësuam se fillimisht oficeri që drejtonte këtë patrullë ushtarakësh qëllon në ajër me pistoletën e shërbimit. Më pas ushtari drejton armën nga Artani dhe një plumb i përshkon shpatullën dhe i del në fund të shtyllës kurrizore. Mënyra sesi kishte marrë plumbin dukej se nuk ishte aksidentale, e aq më tepër të kishte pasur përleshje”, – kujton Matilda, e cila edhe pas 24 vitesh ka “ende” lot për të derdhur për vrasjen e vëllait të vetëm të saj. “Vjen daja tek shtëpia dhe na thotë se Artanin e kanë plagosur. Mes të qarave dhe lutjeve u nisëm drejt Spitalit Ushtarak dhe aty mësuam se Artani kishte vdekur”, – kujton ajo. Është dashur ndërhyrja e shumë njerëzve që të tërhiqej trupi, përfshi këtu edhe Sali Berisha, Gramoz Pashko dhe personalitete të tjera të Partisë Demokratike. Në fakt, pushtetit i duhej të “mbahej” me idenë se patrulla ushtarake kishte bërë detyrën, ndërsa liderët e rinj të politikës duhet ta mbanin fort këtë rast për ta përdorur edhe si argument kundër Partisë së Punës dhe sistemit komunist. Pas kërkesave të shumta, trupi i Artan Lenjës u dërgua në banesë dhe aty Matilda kishte vënë re se kishte plagë në fytyrë dhe në buzë. Më vonë gjatë procesit gjyqësor, mjekët e Mjekësisë Ligjore kanë dhënë edhe detaje të tjera sesi i kishin thyer brinjët Artanit edhe pse ka qenë i vdekur. “Vrasja u krye nga një patrullë ushtarake, të cilën në telefon e kishin lajmëruar për të patrulluar në atë zonë, pasi aty banonte dhe komandanti i batalionit të “Diko Zeqos”, i quajtur Çelo Boro. Meqenëse unë dhe im vëlla kishim lindur dhe ishim rritur në atë lagje, ku gjendej edhe Klubi i Partizanit, shumica e banorëve na njihnin, përjashto banorët e një pallati ku kishte disa oficerë dhe punonjës të Sigurimit të Shtetit. Prandaj dhe lajmi i vrasjes u mor vesh menjëherë”.
Gjyqi
Nga ajo që ka mësuar Matilda, pretendon se patrulla ushtarake me tre ushtarë, një oficer dhe shoferi i automjetit, kishin kapur një djalë të lagjes, të cilin po e tërhiqnin zvarrë nga shkallët e pallatit. “Ai i thërret Tanit, që po kalonte aty, për t’i dalë në ndihmë. Im vëlla që po ecte për të shkuar te stacioni i autobusit, kthehet dhe i thotë patrullës ta linin të qetë djalin e vogël, pasi ishte jetim dhe rrinte tek gjyshja. Me të parë Artanin, oficeri i cili kryesonte patrullën, kthehet dhe thotë: ‘Ky është’. Menjëherë Artanit i drejtohet automatiku mu përpara syve dhe e urdhërojnë të futet në makinë, për t’u paraqitur në rajonin e policisë. Artani i thotë që “s’kam pse të shkoj në rajon sepse nuk kam bërë asnjë gjë të keqe”. Në këtë moment edhe dy ushtarët të tjerë i drejtojnë automatikun dhe oficeri i patrullës, M. Themollari jep urdhër për të hapur zjarr duke ngritur pistoletën dhe duke qëlluar në ajër, ndërsa ushtari i quajtur L. Vata qëllon në trup”. Nuk kalojnë as pesë muaj dhe bëhet edhe gjyqi për ushtarakët. Ndoshta edhe përshpejtimi po kryhej që vendimi të merrej nga trupa gjyqësore që kishte shërbyer në sistemin komunist. Një vrasje politike, siç pretendon familja Lenja, nuk pranohej nga Ministria e Mbrojtjes në atë kohë, gjithashtu edhe gjykata do ndiqte “vijën partiake”, për ta konsideruar një krim pa motiv dhe jo me ngjyra politike. Në pretencën e prokurorisë kërkohet një vit burgim për oficerin Thomollari, ndërsa tetë vite për ushtarin dhe akuza kishte ndryshuar, jo vrasje me dashje, por shkelje të rregullave të shërbimit me pasoja. Pikërisht në këto momente, familjarët e Lenjës dhe një pjesë e mirë e shokëve të tij reagojnë ashpër në sallën e gjyqit. “Disa nga shokët e Tanit nisën të konfliktohen fizikisht me punonjësit e policisë dhe ushtarakët që gjendeshin në sallë. Në ato momente, ushtari Vata hidhet nga dritarja e katit të dytë të gjykatës dhe largohet me shpejtësi. Ndërsa oficeri Thomollari u mor në mbrojtje dhe u fut në zyrën e prokurorit”. Kështu e kujton atë moment të fundit të vitit 1991 Matilda, e cila shton se ai ka qenë çasti i fundit i zhvillimit të seancës gjyqësore, pasi më tej çdo proces është bërë në mungesë. Gjithçka ishte e mirorganizuar dhe duket se nga Ministria e Mbrojtjes së asaj kohe kishin dalë urdhra të saktë që të mos tregohej arsyeja e vërtetë e patrullimit nga ana e ushtrisë atë natë dhe dëshmitarët nuk u lanë që të jepnin detaje në procesin gjyqësor. “Ne nuk ishim për hakmarrje, por donin që drejtësia të shkonte në vend. Nuk mund të vritet një djalë i ri, që nuk kishte asnjë rrezikshmëri. Për më shumë plumbat erdhën nga ushtria, që nuk kishte të drejtë të sulmonte njerëzit”,- argumenton Lenja. Sipas saj, është marrë një vendim nr 38, dt 02.07.1991, i prishur me vendim nga këshilli gjyqësor i kolegjit ushtarak të Gjykatës së Lartë me vendim nr 16.09.1991 dhe rigjykim i çështjes me tjetër trupë gjyqësore. Që nga ajo kohë, janë ngritur disa trupa gjyqësore, çështja është hapur e rihapur, deri në vitin 1996 kur u mor vendimi në mungesë”, – kujton Lenja. Ajo thotë se nuk është bërë drejtësi, paçka se i vëllai që asokohe u konsiderua si një nga dëshmorët e parë të demokracisë. Ndoshta edhe pengu i një nëne të ndarë nga jeta disa kohë më parë është i madh, sa tashmë dy motrat e Artanit dhe babai janë ata që u rëndon më shumë ikja e birit të tyre. Padyshim që një vrasje e tillë konsiderohej si pjesë e sistemit, pasi vetëm tri ditë më parë i ishte “shkulur” nga sheshi monumenti i diktatorit. Kjo familje e përjetoi më rëndë. Për “ditët e demokracisë” u pre në mes jeta e djalit 20-vjeçar. Por duket se ka shkuar dëm gjithçka, sepse familjarët e “Dëshmorit të Demokracisë” janë ende me kujtimet e trishta të 24 viteve më parë. Me këtë drejtësi, sistemi ngjan sikur ka mbetur në vend…
E kam patur shume shok Artanin ne shkollen Teknologjike. Djale i mrekullueshem dhe behej cope per shoket. i ndrite shpirti atje ku eshte