Mapo Letrare

Historia është përdorur në funksion të letërsisë





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 21:30 - 07/03/20 |
Nga Mark Simoni

(Bisedë me shkrimtarin, përkthyesin dhe botuesin e njohur Bashkim Shehu)


PYETJE: Në romanet tuaja ndjehen gjithë lëkundjet sizmike të shoqërisë shqiptare, sidomos të shekullit të 20-të. A ka tek ju një harmoni të mardhënieve mes letërsisë dhe historisë?



PËRGJIGJE: Në romanet e mia, më saktë në romanet e mia të fundit, historia e shekullit të 20-të është përdodur në funksion të letërsisë. Pra, më tepër se një harmoni marrëdhëniesh mes letërsisë dhe historisë, mendoj se është një marrëdhënie funksionale e së dytës ndaj së parës, në kuptimin që fenomene dhe segmente të kësaj historie, dhe jo vetëm nga historia e vendit tonë, përdoren si lëndë paraletrare dhe si sfond ngjarjesh fiksioni.


PYETJE: Mbasi jeni në Spanjë, a mendoni që Servantesi konsiderohet si një nga shkrimtarët që i dha tonalitet letërsisë së mesjetës?

PËRGJIGJE: Mendoj që Cervantes-i është ndër shkrimtarët që i japin tonalitet letërsisë së të gjitha kohëve, në veçanti zhanrit të romanit.

PYETJE: Na thoni diçka për letërsinë spanjolle të sotme, dhe a ka luajtur në përgjithësi letërsia spanjolle ndonjë rol në formimin tuaj?

PËRGJIGJE: Më shumë se letërsia spanjolle, shumë më tepër, në formimin tim ka luajtur letërsia hispano-amerikane, qysh përpara se të mërgohesha në Spanjë, madje qysh në moshë të re. Fillimisht realizmi magjik; më pas, dhe ndoshta më thellë, Borges-i.

PYETJE: Në një intervistë keni thënë se keni lexuar shumë e shumë. Në këtë shumësi cilët ishin autorët tuaj më për zemër?

PëRGJIGJE: Eskili, Sofokliu, Euripidi, Dante, Shakespeare, Cervantes, Gogol, Dostojevski, Kafka, Borges, Danillo Kish, Sebald, Bolaño… dhe, last but not least, Kadareja.

PYETJE: Kur u bë koshiente ideja juaj se mund të bëheshit shkrimtar?

PËRGJIGJE: Mjaft herët, qysh në gjimnaz.

PYETJE: A keni fjalë të parapëlqyera që e vini re se i përdorni më shumë se fjalët e tjera, fjalë që ju I doni më shumë, (për shkak të ndonjë entuziasmi të çastit?), apo përse, dhe zakonisht nga çfarë fashë të leksikut vijnë këto fjalë?

PËRGJIGJE: Nuk e di, nuk mund ta di dhe nuk duhet ta di. Përndryshe, e shkruara do humbte çdo lloj natyrshmërie, ose më mirë fjalët do të më lindnin të vdekura. E shkruara nuk do të ishte krijim, por balsamosje.

PYETJE: Çraporte ka letërsia juaj me publikun dhe lexuesin e vendit ku jetoni?. Na flisni për gjeografinë e botimeve të veprave tuaja, dhe si është pritur nga kritika dhe shtypi?

PËRGJIGJE: Në Spanjë kam botuar tre romane dhe një libër letërkëmbimi me shkrimtarin bask Bernardo Atxaga. Ndërsa vendi ku jam përkthyer më shumë është Franca, me pesë libra të botuar, dhe së shpejti del i gjashti. Gjithashtu, kam dy libra të botuar në Itali, një në Shtetet e Bashkuara, një në Serbi dhe një në Rumani. Vendet ku librat e mi kanë pasur më shumë jehonë nga kritika dhe mediat janë Spanja dhe Franca, së fundi edhe Italia. Në përgjithësi janë pritur shumë mirë, por kjo nuk do të thotë se kanë pasur ndonjë shitje të madhe.

 

 

 

 


Etiketa:

Pas