Në komentin për shqiptarët që trafikonin kokainë nga Amerika Latine në Belgjikë, Holandë e Gjermani, Der Spiegel raportoi se pjesë e rrjetit ishin edhe disa nga bosët më të mëdhenj të drogës në Europë, por pa specifikuar emra.
Mes 6 shqiptarëve të arrestuar ishin edhe dy nipat e deputetit socialist Rrahman Rrajës, Fjoralbi dhe Ramazani. Emri i këtij të fundit risjell në vëmëndje një histori që tronditi pushtetin e socialistëve dy vite më parë.
Bëhet fjalë për historinë e Xhisiela Malokut dhe të policit, Emiljano Nuhu. E para, e dhunuar nga Rexhep Rraja, djali i deputetit të PS. I dyti, polici që u kërcënua nga kriminelët dhe nga pushteti kur provoi të regjistronte kallëzimin penal.
Pas arrestimit të Ramazan Rrajës, polici Emiljano Nuhu ka dhënë një intervistë në abcnews për të kujtuar se operacioni në Belgjikë dhe në Gjermani është konfirmim i akuzave që ka bërë ai ndaj familjes Rraja. Por akuzat e tij, polici ia kishte dërguar edhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.
“Më shumë se dy vite më parë e kam lajmëruar. Kam dërguar 2 emaile, një në datë 3 gusht dhe një në datën 14 gusht. Kur dërgova të parin nuk mora reagim mendova nga fluksi i punës. Kur e nisi për së dyti prapë nuk mora asnjë përgjigje nga Ardi Veliu siç kishim marrë më përpara nga drejtorë të tjerë të përgjithshëm.
Informacioni ka qenë për këtë grup kriminal, këtë familje mafioze që kryente kultivim dhe trafik droge brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ata e kanë filluar karrierën e tyre me vrasje me pagesë dhe kanë kaluar tek trafiku i drogës”, tha Nuhu.
Duke qenë se duhej të regjistronte kallëzimin për djalin e deputetit, Nuhu e pa veten në një sulm të vazhdueshëm nga fisi Rraja, që sipas tij ndihmoheshin edhe nga kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.
Mes të tjerash ai foli për një takim kur është kërcënuar nga Ramazan Rraja, pikërisht njeriu që u kap në operacionin Atos në Belgjikë, si pjesë e një prej rrjeteve më të mëdha të trafikut të kokainës në Europë.
Nuhu tregoi se Ramazanin e kishte takuar në Tiranë. Ai i kishte thënë se “ligjin në Krujë e bënin ata dhe nëse donin mund të shkrinin edhe Komisariatin e Krujës”.
Kërcënimet, Emiljano Nuhu i ka raportuar pranë drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu nëpërmjet dy email-eve, por nuk mori kurrë përgjigje nga ai.
Në këtë letër, Nuhu i përshkruante nipat e deputetit Rraja si “Të pushtetshëm, impulsiv, lëvizin gjithmonë të armatosur dhe që nuk goditen nga strukturat e Policisë lokale”.
“Shtetasi Ramazan Rraja (djali i vëllait të deputetit) është i dënuar për dy vepra penale “Vrasje e mbetur në tentativë, plagosje e lehtë, mbajtje e armëve luftarake”, dhe i dyshuar për disa vepra penale në zonën e Krujë “vendosje lëndëve eksplozive”, nga informacionet e marra nga burime kofindenciale ky shtetas lëviz gjithmonë me armë në zonën e Krujës” shkruante polici, pa e ditur se nga drejtuesi i policisë së shtetit nuk do t’i vinte asnjë mbrojtje./ Lapsi.al