Një i dënuar me burg në SHBA shpëtoi nga dënimi për vrasje falë talentit të tij për pikturën.
Valentino Dixon u dënua për një vrasje, por gjatë 27 viteve në burg, 48-vjeçari vazhdimisht deklaronte se ishte i pafajshëm.
Gjithçka ndryshoi kur talenti i tij për pikturën ra në sy të autoriteteve të burgut. Një gardian i dha atij një foto të një fushe golfi dhe i tha nëse mund ta pikturonte.
Punimet e tij u bënë të famshme dhe ranë në sy të redaktorëve të revistës ‘Golf Digest’, që i kushtuan një profil dhe publikuan disa prej pikturave të tij.
“Ndoshta një ditë do të mund të luaj lojën që vetëm e kam imagjinuar,” shprehej ai në shkrim.
Mbulimi i revistës bëri që shumë avokatë dhe studentë të juridikut të shqyrtojnë historinë e tij.
Dixon ishte dënuar me minimumi 38 vite burg për vrasjen e një 17-vjeçari në një natë gushti të vitit 1991 pas sherrit për një vajzë.
Ai pranoi se ishte në skenën e krimit, por tha se ishte në një dyqan aty pranë duke blerë birrë.
Dixon tha se dëshmitarë të shumtë mund të provonin se ai nuk kishte qëlluar me armë. Por avokati nuk thirri asnjërin, pasi disa ishin akuzuar më parë për dëshmi të rreme. Në mënyrë të pazakontë, hetuesi i vrasjes nuk dëshmoi para gjykatës.
Por mangësia më serioze u zbulua nga studentët e juridikut në universitetin ‘Georgetown’.
Prokurorët nuk i kishin treguar avokatit mbrojtës se testi i barutit në rrobat e klientit të tij kishte dalë negativ.
Më e rëndë se kaq, Lamarr Scott pranoi për median pas ngjarjes se ishte ai personi që qëlloi mbi Torriano Jackson.
“Nuk dua që shoku im të bëjë burg për diçka që e kam bërë unë,” tha ai.
Lamarr Scott nuk u arrestua kurrë. Vëllai i viktimës tha se ai kishte parë zotin Dixon teksa hapte zjarr.
Të mërkurën më në fund Lamarr Scott dëshmoi për krimin. Disa orë më vonë, Dixon u lirua. Prokurorët thanë se Lamarr Scott jo vetëm pranoi krimin, por edhe tregoi armën e krimit, një automatik.